Dhimbja është e papërshkrueshme në Gryksh të Madh i Peqinit këtë të enjte. Në çdo cep të fshatit ndihet heshtja e rëndë, lotët që nuk ndalen dhe zemrat e thyera për Artin, Jonidën, Hajdarin dhe Xhesikën Kola ,familjen që u shua tragjikisht në Itali javën e kaluar , duke lënë pas një boshllëk që askush nuk di si ta mbushë.

Të afërmit mezi gjejnë fjalë për të përshkruar atë që po përjetojnë. “Na iku një familje e tërë… Na u mbyll dera e shtëpisë,” thotë mes lotësh një nga familjarët. “Arti ishte shtylla e familjes, një jetë e tërë në emigrim pa mushur ende 14 vjeç. Ishte njeri punëtor e i qetë. Jonida ishte zemra e shtëpisë. Fëmijët… ishin drita e syve të tyre. Si ta përballosh një dhimbje të tillë?”

Në oborrin e shtëpisë ku ishin mbledhur të afërmit,miqtë dhe me qindra e qindra bashkëfshatarë ,drejtuesit e pushtetit vendor sot mbizotëronte zia .Fqinjët qëndronin të heshtur , të mbledhur pranë njëri-tjetrit për të ndarë dhimbjen. “Nuk kemi parë kurrë një tragjedi të tillë. Është si të na jetë këputur një pjesë e shpirtit,” shprehet një fqinj i vjetër. “I njihnim prej vitesh. Ishin njerëz të thjeshtë, të dashur, që nuk i bënin keq askujt.”
Një tjetër banor shton: “Fshati Gryksh i Madh sot është në zi. Nuk është vetëm dhimbja e familjes së tyre, është dhimbja e të gjithëve ne. Hajdari dhe Xhesika ishin fëmijë të mbarë, plot ëndrra. Nuk e besojmë ende që nuk do t’i shohim më.”

Lotët, përqafimet dhe fjalët e ngushëllimit nuk mjaftojnë për të lehtësuar plagën e hapur nga kjo tragjedi e katërfishtë. “Kjo është një dhimbje që nuk kalon kurrë,” thotë një e afërme. “Do të jetojmë me kujtimin e tyre çdo ditë.”
Grykshi i Madh sot nuk është një fshat në zi , është një komunitet i tërë i bashkuar në dhimbje, që përkulet me respekt para kujtimit të një familjeje që u nda nga jeta tragjikisht në dhe të huaj ,shumë herët, duke lënë pas mall, trishtim dhe një plagë që nuk do shërohet kurrë .Ajo do të mbetet gjatë në zemrat e të gjithëve si një nga tragjeditë që lëndoi gjithëkënd këndej e andej përtej detit.

