Nën kupolën e artit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në një mbrëmje kushtuar festave të nëntorit, muzika e filmit shqiptar erdhi si një lutje e bukur nostalgjike duke rikthyer në jetë kujtime, portrete, zëra dhe histori që jetojnë prej dekadash në shpirtin e publikut shqiptar.
Orkestra Simfonike, Kori dhe Kori i Zërave të Bardhë të TKOB, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike te RTSH-së, nën dirigjimin e Gridi Krajës, sollën tingujt e jashtëzakonshëm të filmave shqiptarë, nga Nëntori i Dytë, Skënderbeu, Dimri i Fundit, Gjeneral Gramafoni, Liri a vdekje apo Në shtëpinë tonë.
Për afro dy orë, publiku u përfshi nga një nostalgji e thellë duke udhëtuar pas në kohë, drejt fëmijërisë, dashurive të para për filmin, heronjve të heshtur e të paharruar si dhe historive që kanë formuar narrativën kinemarografike.
Kjo pasi muzika e filmave shqiptarë nuk ishte thjesht shoqëruese e imazheve ajo ishte vetë rrëfimi, fryma, gati gati shpirti i tyre.
Momente të veçanta solistike erdhën nga klarineta e parë e TKOB, Elton Katroshi dhe vokalistja Kamela Islamaj, të cilët plotësuan mozaikun artistik të kësaj mbrëmjeje të rrallë.
Përmes kolonave zanore që na sjellin shumë kujtime, ky koncert festiv ishte dhe një homazh për kolosët Çesk Zadeja, Kujtim Laro, Limoz Dizdari, Zef Çoba e Aleksandër Peçi.



