“Moderne me taban”, një festë arti e realizuar nga ” Art Revolution Dance” që bashkoi brezat dhe emocionoi Elbasanin

NGA FATMIR POPJA

ELBASAN , 18 prill 2026/Albania Express News/Qyteti i Elbasan përjetoi gjatë kësaj jave një nga ngjarjet më të spikatura artistike të viteve të fundit, teksa u përmbyll me sukses maratona tre-ditore e koncertit koreografik “Moderne me taban”. Një projekt i guximshëm dhe i kuruar me finesë artistike, që solli në skenë një ndërthurje të rrallë mes traditës dhe modernes, duke krijuar një spektakël të gjallë, autentik dhe thellësisht emocionues.

Nën realizimin e trupës Art Revolution Dance, kjo mbrëmje erdhi si rezultat i një pune të gjatë dhe pasioni të palëkundur për artin. Drejtimi artistik nga Elton Alla dhe Mariglen Rama, së bashku me përkushtimin e mësueseve Rodeta Pllumbi dhe Denisa Rama, sollën një koncept të strukturuar në detaje, ku çdo element skenik kishte vendin dhe mesazhin e tij.

Një nga pikat kulmore të këtij projekti ishte performanca live, ku orkestrimi i drejtuar nga Ilir Sokoli i dha spektaklit një dimension të ri artistik. Tingujt e gjallë, të interpretuar me profesionalizëm, krijuan një atmosferë të veçantë, duke i dhënë çdo koreografie më shumë jetë dhe autenticitet.

Për tri net radhazi, salla e mbushur plot dëshmoi qartë se arti i vërtetë vazhdon të ketë një vend të veçantë në zemrat e publikut. Mbi 250 artistë, nga më të vegjlit 5-vjeçarë deri te interpretuesit 75-vjeçarë, u bënë pjesë e këtij spektakli të madh, duke sjellë një energji të jashtëzakonshme dhe një ndjenjë të fortë bashkimi mes brezave.

“Moderne me taban” erdhi si një mozaik i pasur kulturor, ku vallja dhe kënga popullore u ndërthurën natyrshëm me ritmet moderne, duke krijuar një dialog artistik mes së shkuarës dhe së tashmes. Ky kombinim jo vetëm që ruajti identitetin kulturor, por edhe e solli atë më pranë brezave të rinj, në një formë bashkëkohore dhe tërheqëse.

Në skenë u ngjitën edhe artistë të ftuar që i dhanë më shumë ngjyra spektaklit, si Demir Zena, Sergita Varfi, Noel Hoxholli dhe Franceska Kasa, të cilët u pritën me duartrokitje të gjata nga publiku.

Organizimi në tre net ishte një zgjedhje e domosdoshme për t’i dhënë hapësirë numrit të madh të pjesëmarrësve, veçanërisht fëmijëve, të cilët performuan me profesionalizëm dhe pasion, duke kaluar natyrshëm nga tabani popullor tek ritmet moderne. Ky bashkëjetim artistik krijoi një urë të bukur komunikimi mes brezave dhe një ndjenjë krenarie për trashëgiminë kulturore.

Një nga momentet më të veçanta dhe të duartrokitura ishte performanca e një grupi zonjash, të cilat sollën në skenë elegancë, finesë dhe pasion, duke dëshmuar se arti nuk njeh moshë dhe se skena i përket kujtdo që ka dëshirë të shprehet.

Eventi  “Moderne me taban” ishte një manifest artistik që përcolli një mesazh të fortë: kur arti krijohet me shpirt dhe përkushtim, ai arrin të bashkojë njerëzit, të mbushë sallat dhe të lërë gjurmë të thella në kujtesën kolektive.

Elbasani, përmes kësaj ngjarjeje, konfirmoi edhe një herë rolin e tij si një nga qendrat më të rëndësishme të jetës kulturore në vend, duke dëshmuar se tradita dhe moderniteti mund të bashkëjetojnë në mënyrë të harmonishme dhe frymëzuese.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rama: Do rrisim në mënyrë të konsiderueshme financimet për startup-et

TIRANË, 26 prill 2026/Albania Express News/ Në Pallatin e...

I mbushur me nxënës, autobusi në Zvërnec del pjesërisht nga rruga dhe bllokon qarkullimin

Një incident është shënuar paraditen e sotme në zonën...

Atentati ku dyshohet se janë vrarë dy persona në Lezhë, makina e bërë “shoshë” nga plumbat

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar pasditen e...

Kryetari i bashkisë Besh Arif Tafani : Konventa Arbërore në San Demetrio Coronen ,urë bashkimi mes Shqipërisë dhe Italisë

ITALI ,26 prill 2026/Albania Express News/Një udhëtim që tejkalon...