Shoqata Evropiane e Radiologjisë Urogjenitale (ESUR) po zhvillon kongresin e saj vjetor, ku mjekë dhe ekspertë nga e gjithë bota diskutojnë mbi risitë dhe arsimimin në imazherinë e kancerit të mitrës, vezoreve, veshkave, fshikëzës dhe prostatës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, mbajti ligjëratën me temë “Inteligjenca Artificiale në Onkologjinë Gjinekologjike: Sfida dhe Mundësi”, ku nënvizoi se përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) mund të ndihmojë në vendosjen më të shpejtë dhe më të saktë të diagnozave. Ajo theksoi se aplikimi i IA në shëndetësi është një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare.
“Inteligjenca artificiale mund të bëjë që procesi i skanimit dhe interpretimit të imazheve të jetë më i shpejtë, në mënyrë që më shumë paciente të përfitojnë pa pritur gjatë, duke marrë kujdes shëndetësor cilësor”, u shpreh ministrja Sala.
Një tjetër fushë premtuese e IA-së është ndihma në përcaktimin e trajtimit më të përshtatshëm për çdo paciente, duke shmangur terapitë që mund të rezultojnë më pak efektive. Në përfundim të diskutimeve të ESUR 2025, u theksua se bashkëpunimi mes radiologëve dhe inteligjencës artificiale të besueshme mund të sjellë përmirësime të dukshme në kujdesin ndaj grave të prekura nga kanceri.