Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) ka publikuar për konsultim publik projektligjin “Për kontrollet zyrtare”, duke ftuar qytetarët, ekspertët, shoqatat dhe përfaqësues të tjerë të interesuar për të dhënë kontributin e tyre gjatë procesit.
Qëllimi i ligjit është të garantojë një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe bimëve në Shqipëri, përmes përcaktimit të rregullave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollet zyrtare. Projektligji synon gjithashtu vendosjen e parimeve dhe kërkesave për kryerjen e kontrolleve, përgjegjësitë e institucioneve, financimin dhe procedurat për realizimin e tyre.
Sipas MBZHR-së, ligji përcakton mënyrën e re të kontrollit të sigurisë ushqimore, duke përfshirë produktet bimore dhe nënproduktet shtazore, me qëllim rritjen e sigurisë për konsumatorët dhe kafshët. Në këtë kuadër:
- Institucioni i Kontrollit Zyrtar do të mbikëqyrë subjektet që operojnë në vend, nga bujqësia deri te blegtoria.
- Institucioni i Kontrollit Kufitar do të veprojë në pikat kufitare.
- Institucioni i “Aktiviteteve të tjera” do të mbulojë aspektet e mbetura në fushën e sigurisë ushqimore.
Projektligji parashikon që kontrollet të kryhen mbi bazën e riskut, duke marrë parasysh faktorë si: rreziqet për shëndetin e kafshëve dhe bimëve, aktivitetet e operatorëve, vendndodhja e veprimtarive, përdorimi i produkteve dhe materialeve që mund të ndikojnë në sigurinë e ushqimit, cilësinë e tij ose ndikimin në mjedis.
Kontrollet zyrtare do të kryhen kryesisht pa njoftim paraprak, përveç rasteve kur njoftimi është i nevojshëm dhe i justifikuar. Kontrolli mund të bëhet edhe me kërkesë të operatorit, me ose pa njoftim paraprak sipas vendimit të autoritetit kompetent.
Përveç inspektimeve nga institucionet shtetërore, projektligji krijon mundësinë e kontraktimit të operatorëve privatë për mbikëqyrjen e sigurisë së ushqimeve. Këta subjekte duhet të raportojnë rregullisht për rezultatet e kontrolleve tek autoritetet kompetente.
Gjoba për shkelje të sigurisë ushqimore variojnë nga 100 mijë lekë deri në 2 milionë lekë (rreth 20 mijë euro) për subjektet e paregjistruara.
Procesi i konsultimit publik ka nisur më 19 gusht dhe do të zgjasë deri më 16 shtator 2025. Në përfundim të tij, MBZHR do të përmbledhë të gjitha sugjerimet dhe komentet dhe do të sqarojë se si ato janë reflektuar në projektligj.