Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me deputetë të qarkut Elbasan, zhvilloi një vizitë në Kantinën e Verës Librazhd, një nga emrat më përfaqësues të verarisë shqiptare, duke vlerësuar nga afër punën, investimet dhe vizionin afatgjatë të këtij biznesi familjar.

Gjatë vizitës, ministri u prit nga Rrahman Gjeta dhe familja e tij, të cilët prej dekadash vijojnë të mbajnë gjallë një nga traditat më të hershme të prodhimit të verës në zonë. Kantina, e themeluar në vitin 1960, është shndërruar ndër vite në një pikë referimi për cilësinë dhe autenticitetin e verës shqiptare.

Kantina e Verës Librazhd prodhon varietete të njohura dhe të kërkuara si Kabernet, Shesh i Zi, Shesh i Bardhë dhe Riesling, duke kombinuar trashëgiminë tradicionale me teknologjinë moderne të përpunimit. Falë mbështetjes së qeverisë për modernizimin e linjës së prodhimit, sot këto produkte dalin në treg nën markën “Vera Librazhd sh.p.k”, duke përmbushur standarde gjithnjë e më të larta cilësie.

Ministri Andis Salla theksoi rëndësinë e mbështetjes së bizneseve bujqësore dhe agropërpunuese, veçanërisht atyre me histori dhe identitet të fortë lokal, duke nënvizuar se investimet në këtë sektor rrisin konkurrueshmërinë, krijojnë vende pune dhe forcojnë markën #MadeInAlbania.

Vizita në Kantinën e Verës Librazhd u vlerësua si një dëshmi konkrete se tradita, investimi dhe vizioni afatgjatë janë çelësi për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe për promovimin e produkteve shqiptare në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar


