Ministri Andis Salla: Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” hap një kapitull të ri për bujqësinë shqiptare, më shumë investime për fermerët dhe bizneset agro-ushqimore

TIRANË ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka deklaruar se Programi Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” përfaqëson një mundësi të re dhe të rëndësishme për modernizimin e bujqësisë shqiptare, zhvillimin e sipërmarrjeve agro-ushqimore dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.

Gjatë pjesëmarrjes në panelin e diskutimit kushtuar këtij programi, ministri Salla theksoi se instrumenti i ri financiar i Qeverisë Shqiptare synon të lehtësojë aksesin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në financim, duke nxitur investimet në sektorët prioritarë si bujqësia, agropërpunimi dhe turizmi rural.

Sipas tij, programi vjen në një moment vendimtar për zhvillimin e sektorit bujqësor, duke krijuar mundësi konkrete për fermerët dhe sipërmarrjet që të investojnë në teknologji, modernizim dhe rritje të kapaciteteve prodhuese.

“‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ vjen në një moment shumë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe sektorin bujqësor. Është një mundësi që u jep jo vetëm bizneseve të mëdha, por edhe sipërmarrjeve të vogla dhe fermerëve mundësinë të rriten, të investojnë dhe të kalojnë në një standard tjetër zhvillimi,” u shpreh ministri Salla.

Në fjalën e tij, kreu i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nënvizoi se transformimi i bujqësisë shqiptare është i lidhur ngushtë me procesin e integrimit europian, duke theksuar se bizneset kanë nevojë për mbështetje financiare për t’u përshtatur me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Europian.

Ai theksoi se investimet në sigurinë ushqimore, modernizimin e fermave dhe rritjen e konkurrueshmërisë janë elementë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

“Bizneset shqiptare kanë nevojë për këtë mbështetje për t’u përshtatur me legjislacionin e Bashkimit Europian. Programi vjen në momentin e duhur për të mbështetur investimet që lidhen me sigurinë ushqimore, modernizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë,” deklaroi ai.

Ministri Salla vlerësoi gjithashtu faktin se nisma, e cila fillimisht u fokusua te bujqësia, tashmë është zgjeruar edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, duke krijuar më shumë mundësi zhvillimi për biznesin shqiptar.

Ai bëri të ditur se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë pranë fermerëve dhe sipërmarrësve gjatë gjithë procesit të aplikimit, përmes asistencës teknike dhe orientimit në terren.

“Bashkë me ekipin do të jemi në terren për të orientuar dhe asistuar bizneset që të bëhen pjesë e kësaj nisme. Sektori i bujqësisë ka specifika të veçanta dhe ne po zhvillojmë njëkohësisht programe dixhitalizimi për t’i ndihmuar fermerët të përshtaten me standardet e Bashkimit Europian,” përfundoi ministri.

Gjatë panelit të diskutimit u vu theksi edhe te rëndësia e investimeve në modernizimin e fermave, zhvillimin e industrisë së agropërpunimit dhe zgjerimin e turizmit rural, si faktorë që pritet të rrisin vlerën e shtuar të ekonomisë shqiptare dhe të forcojnë pozicionin e produkteve “Made in Albania” në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” konsiderohet një nga instrumentet më të rëndësishme financiare të ndërmarra së fundmi nga Qeveria Shqiptare, me synimin për të nxitur investimet, rritur prodhimin vendas dhe përshpejtuar zhvillimin ekonomik në sektorët strategjikë të vendit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Drejt përfundimit shëtitorja e re e Ksamilit, hapësirë e transformuar për banorët dhe turistët

KSAMIL , 17 korrik 2026 /Albania Express News/- Kryeministri...

Një foto, një epokë/ Ja sa vjeç ishin yjet e Spanjës kur debutoi Messi, dy prej tyre nuk kishin lindur ende…

BOTËRORI 2026 ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Kur Lionel Messi...

Botërori 2026, Spanjë-Argjentinë është një finale për super të pasurit

BOTËRORI 2026 ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Të dielën e...