Milan ka arritur fitoren e 14-të sezonale në Serie A, duke mposhtur Bolonjan në transfertë me rezultatin 3-0. Kuqezinjtë aktualisht renditen në vendin e dytë, 5 pikë pas Interit kryesues.
Skuadra e trajnerit Allegri nuk hasi shumë vështirësi ndaj një kundërshtari që po kalon një moment të vështirë, megjithëse Bolonja u përpoq të krijonte rrezik. Avantazhi erdhi shpejt në minutën e 20-të me golin e Loftus-Cheek. Siguria u vendos me penalltinë e francezit Nkunku, i cili nuk gaboi në përballjen me portierin Ravaglia, duke çuar rezultatin në 2-0 në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, Adrien Rabiot realizoi golin e tretë, duke vulosur fitoren 3-0 për Milanin. Tentativat e mëtejshme të të dyja skuadrave nuk sollën gola, dhe sfida përfundoi në favor të kuqezinjve.
Me këtë fitore, Milan ka 50 pikë në tabelë dhe mbetet në ndjekje të Interit, ndërsa garojnë për titullin me 15 javë ende për t’u luajtur.

