Nga Fatmir Popja
Në thellësi të malësive të bashkisë së Librazhdit, aty ku natyra ruan ende bukurinë e saj të paprekur, një ngjarje unike do të shpaloset këtë gusht, duke e shndërruar Malin e Xhyrës në një nga skenat më të bukura të qiellit shqiptar. Nga data 11 deri më 14 gusht 2025 në mes të heshtjes malore, buzë gjurmëve të rrugës së lashtë Egnatia, qindra të rinj e të reja, vendas dhe të huaj do të mblidhen për të ndjekur spektaklin qiellor të “Shiut të Yjeve Perseid”.
Kjo ngjarje, që vit pas viti po shndërrohet në një traditë të dashur për të apasionuarit pas astronomisë dhe natyrës, është më shumë sesa një vëzhgim i një fenomeni qiellor të rrallë. Është një përjetim. Është një festë e të gjitha shqisave ku qielli, toka, ajri dhe ndjenjat gërshetohen në një harmoni të rrallë nën hijen e masive të bukura me ah të Malit të Xhyrës.

Një kamping gjigand nën yje
Në shpatet e gjelbra të malit, do të ngrihet një kamping i madh me qindra çadra, ku do të strehohen dhjetëra e dhjetra grupe rinore, të cilët do të udhëtojnë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, por edhe nga vende të tjera europiane. Ata nuk do të jenë vetëm ,shumë familje me fëmijë, turistë të pasionuar pas eksplorimit, dhe të moshuar që ende mbajnë në shpirt kureshtjen për yjet, do të ndajnë së bashku këtë përvojë të jashtëzakonshme.Organizatori i eventit, Lyto Alliu, e përshkruan atmosferën si “mahnitëse dhe të paharrueshme”. Sipas tij, kjo është një nga mënyrat më të bukura për të afruar të rinjtë me natyrën, shkencën, astronominë dhe turizmin e qëndrueshëm.

Shiu i Yjeve Perseid: një spektakël qiellor nga më të rrallët
“Shiu i Yjeve Perseid” është një ndër fenomenet më të spikatura astronomike të çdo viti. Kur Toka kalon përmes mbetjeve të kometës Swift-Tuttle, qindra yje rrëshqasin në qiellin e natës duke krijuar një panoramë të paharrueshme për çdo shikues. Në Malin e Xhyrës, larg ndotjes urbane dhe dritave të qytetit, dukuria do të jetë më e dukshme se kudo tjetër. Qielli i pastër dhe i hapur i kësaj zone e bën atë një nga vendet më të favorshme në Ballkan për të vëzhguar këtë spektakël natyror.Me ndihmën e teleskopëve të vendosur posaçërisht për këtë ngjarje dhe nën udhëheqjen e astronomëve amatorë dhe profesionistë, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njohin më nga afër yjet, konstelacionet dhe historitë që i shoqërojnë ato.

Një eksperiencë turistike gjithëpërfshirëse
Përveç vëzhgimit të yjeve, vizitorët do të përjetojnë një sërë aktivitetesh të tjera,shëtitje në shtigjet malore, kuzhinë tradicionale nga Agroturizmi “Hani i Çepit”, netë me muzikë akustike rreth zjarrit të kampit, tregje artizanale dhe diskutime rreth ekologjisë dhe rëndësisë së ruajtjes së natyrës. Për shumë të huaj që do të jenë pjesë e kampingut, ky do të jetë kontakti i parë me Shqipërinë dhe padyshim, një kujtim që do ta mbajnë gjatë në zemër.

Nga rruga antike Egnatia, drejt një të ardhmeje të qëndrueshme turistike
Rruga që të çon drejt kampingut, megjithëse e pashtruar është një aventurë më vete. Ajo ndjek konturet e rrugës së lashtë Egnatia, që dikur lidhte Perëndimin me Lindjen dhe ishte një nga arteriet kryesore të Perandorisë Romake. Kjo rrugë historike, sot është një dëshmi e trashëgimisë sonë kulturore dhe një mundësi për të ndërtuar mbi të një turizëm të qëndrueshëm, që promovon natyrën dhe historinë njëherësh.

Xhyra, destinacion i rëndësishëm i turizmit malor shqiptar
Mali i Xhyrës që pak vite më parë ishte një emër i njohur vetëm për vendasit dhe rrethinat sot po bëhet një nga emrat më të spikatur të turizmit malor në Shqipëri. Me lartësi që të ofrojnë pamje të jashtëzakonshme, me pyje që të mbushin mushkëritë me ajër të pastër dhe me një mikpritje që mbetet në zemër, ky mal në bashkinë e Librazhdit është një thesar që sapo ka filluar të zbulohet.Ngjarje si “Shiu i Yjeve Perseid” nuk janë vetëm aktivitete të përkohshme,ato janë investime në identitetin turistik të Shqipërisë së re. Janë dëshmi që vendi ynë ka potencial të bëhet një qendër e rëndësishme për turizmin e përvojës, edukimit dhe natyrës.
Nën qiellin e pafund me yje, ndriçohet potenciali turistik i Xhyrës
Gushti i këtij viti sjell jo vetëm yje në qiell, por edhe dritë në potencialin e Malit të Xhyrës dhe të gjithë rajonit të Librazhdit. Është një ftesë për të gjithë ata që kërkojnë më shumë se thjesht pushime ,për ata që duan të ndiejnë, të shohin, të kuptojnë dhe të ndajnë magjinë e natyrës.Nëse doni të përjetoni një natë ndryshe, një natë ku qielli flet dhe toka e dëgjon, atëherë ky është vendi. Merrni çadrën e kampingut, aparatin fotografik dhe dëshirën për të ëndërruar .Mali i Xhyrës dhe yjet e Perseidëve ju mirëpresin.



