Merxha analizon Elbasanin: Final 4 dhe kupa janë objektiva realë

Elbasani i mbylli tri fazat e para në kuotën e 49 pikëve, duke ndarë vendin e dytë me Egnatian dhe vetëm dy pikë larg Vllaznisë kryesuese. Një ecuri që mban gjallë shpresat e elbasanasve jo vetëm për të pretenduar “Final 4”, por edhe për të qenë pretendent deri në fund për titullin kampion. Ish futbollisti i njohur Eriol Merxha analizon për “Panorama Sport” performancën e verdhebluve deri më tani, duke e vlerësuar atë që ka bërë ekipi përgjatë këtyre tri fazave. “Mendoj që në këto tre faza të para është bërë një punë e mirë. Drejtuesit kanë shpallur objektivat që në fillim të sezonit për të qenë në katërshe dhe deri tani janë brenda pritshmërive që kanë pasur. Ekipi ka treguar stabilitet dhe ka marrë rezultate të rëndësishme edhe në ndeshje të vështira. Kjo tregon se grupi ka cilësi dhe karakter për të përballuar presionin e fazës vendimtare të sezonit”, u shpreh fillimisht Merxha.

KUPA – Ish trajneri i Elbasanit analizon edhe shortin e kupës, ku Elbasani do të sfidojë Egnatian në gjysmëfinale. Sipas tij, janë të gjitha mundësitë për të shkuar në finale dhe për të synuar trofeun. “Në fakt, me të tria ekipet që ishin rival në këtë short, besoj se lufta do të ishte e njëjtë për të shkuar në finale. Egnatia është një kundërshtar i fortë dhe ka treguar gjatë sezonit se është ekip konkurues, por edhe Elbasani ka treguar se mund të përballet me çdo rival. Shpresojmë që me rikthimet e lojtarëve që kanë munguar, grupi të jetë pak më i plotë, ekipi të shkojë deri në finale. Pse jo më pas edhe ta fitojë këtë trofe. Një trofe do të ishte shpërblimi më i mirë për punën që është bërë gjatë gjithë sezonit”, vijoi më tej ish mbrojtësi verdheblu.

KAMPIONATI – Në fund, si ish futbollist i Elbasanit dhe Flamurtarit, ai flet edhe për këtë përballje të fundjavës. Ai ndalet pak edhe tek situata me ekipet që pretendojnë titullin kampion. “Flamurtari do të mundohet të luajë për pikët e veta, pasi është në fund të tabelës dhe i ka jetike ato. Në Vlorë gjithmonë është e vështirë të marrësh rezultat, sepse është një fushë me presion dhe tifozëri shumë pasionante. Megjithatë, Elbasani ka të tjera synime dhe kam besim se do të dalin me një rezultat pozitiv. Nëse ekipi tregon përqendrim dhe luan me qetësi, besoj se mund të marrë maksimumin nga kjo ndeshje”, theksoi Merxha. Ai u ndal edhe tek gara për titullin kampion. “Ende nuk mund të dalim në verdikte për të parë se cila skuadër është më e favorizuar, për shkak edhe të diferencave që janë shumë të vogla. Çdo javë mund të ndryshojë shumë në renditje dhe kjo e bën kampionatin edhe më interesant. E rëndësishme është që edhe Elbasani është aty në luftë për titull dhe duhet ta shfrytëzojë këtë moment deri në fund të sezonit”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Merxha. Ndeshja mes Flamurtarit dhe Elbasanit do të luhet të shtunën në orën 18:00 në qytetin e Vlorës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Euroja dhe dollari humbin terren ndaj lekut në javën e dytë të prillit

TIRANË, 11 prill /Albania Express News/ Monedhat e huaja...

“Paketa e Maleve”, miratohen zonat prioritare në Cërrik, Këlcyrë, Lushnjë dhe Poliçan

TIRANË, 10 prill/Albania Express News/ Këshilli i Ministrave miratoi...