Meçan Hoxha një jetë në shërbim të dritës, dijes dhe historisë

“Kush nuk e do dhe nuk e njeh vendlindjen, nuk mund të ndjejë dot Shqipërinë”

…Në një kohë ku fjalët shpesh zbehen, ai mbetet si lis që s’e tund era. Në rrënjët e tij janë burimet e Kukurit, në trungun e tij është ndershmëria, në degët e tij rriten fletët e librave që ndriçojnë…

Nga BUJAR QESJA, Mjeshtër i Madh

Në mëngjesin e një tetori të artë të vitit 1945, në Kukurin e Gramshit, aty ku mjegulla e mëngjesit puth majat e Lisecit dhe lumi flet me gurët e vet, lindi një djalë që do ta mbante përherë në zemër aromën e barit të njomë dhe zërin e zogjve të fshatit. Quhet Meçan Hoxha.

Në atë shtëpi dykatëshe guri, ku çdo dritare hapej drejt dritës dhe shpresës, filloi historia e një jete që do të bëhej udhërrëfyes për shumë të tjerë. U rrit mes rrëfenjave për luftëtarë e njerëz të ditur. Që në fëmijëri mësoi se drita nuk vjen vetëm nga dielli, por nga dashuria për njerëzit, nga puna e ndershme dhe nga dituria.

Meçan Hoxha është emër i njohur për bashkësinë letrare dhe intelektuale. Ka studiuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultutin Histori-Filologji, në degën histori-gjeografi. Jeton në Durrës, ku ka punuar dhe vepruar për vite me radhë.

Në karrierën me ndikime krijuese e akademike, nuk ka qenë vetëm studiues dhe historik. Është bërë edhe një “urë” mes territorëve kulturore, mes të kaluarës dhe të tashmes, mes kujtesës dhe rifreskimit të identitetit.

Në fusha të ndryshme, është gjurmëlënës në libra monografikë historikë, përkthime, ese, botime letrare si kritika dhe poezi, publicistikë dhe jam i sigurt që ka edhe shumë të tjera. Veprat e Meçan Hoxhës janë udhëtim përmes viteve dhe brezave, simfoni që përzien historinë me ndjesinë, faktin me shpirtin, dokumentin me poezinë.

Në 14-të librat me gjallesë në arkivën e bibliografisë, ku secili prej tyre mbetet gur i çmuar në mozaikun e kulturës kombëtare, gjejmë kujtesë, reflektim dhe mësim. Këto shembuj tregojnë vetëm copëza të mozaikut krijues, që Hoxha ndërton me përkushtim dhe qëndresë.

Meçan Hoxha është si druri me rrënjë të forta në fusha historike dhe degë që përhapen në krijim letrar. Nuk thyhen kur stuhitë e kohës trokasin, por përkul vetëm në nuancë dhe vazhdon të krijojë hije për lexuesin dhe dijen. Është si gërmues i kohës, që në fondin e harresës vë gishtin në tokë dhe nxjerr fletët e vjetra që dikush mendoi se ishin thërrime.

Janë dokumente, kujtime, rrëfenja. Dhe i rendit me dashuri dhe korrektësi, që t’i bëjë të ndriçojnë për brezat. Poezia e tij, veçanërisht në “Aromë Gjethi”, është pështjellimi i një erë të lehtë që vjen nga malet, që lë shije kujtimi dhe mall, e cila fton lexuesin të kthehet tek fjalët, tek imazhet, tek ndjesia dhe të qëndrojë aty për pak.

U takon atyre njerëzve, që nuk kanë nevojë të bërtasin për t’u dëgjuar; mjafton prania, fjala e qetë, gjesti i thjeshtë. Prandaj shumëkush e quan Meçan Hoxhën “njeriun e dritës”, sepse di të ndriçojë pa verbuar. Në jetën e tij, libri nuk ka qenë kurrë dekor, por bashkëudhëtar. Meçan Hoxha i është përkushtuar kërkimit, dokumentit dhe kujtesës. Ka shkruar për të mos harruar, por edhe për të mësuar të kuptojmë më mirë vetveten.

Veprat metodike, si monografitë historike, janë udhëtimi përmes koridorëve të kohës, ku autori është udhëkryq. Ndalon në çdo kuti të dokumentit, ndalet te çdo foto, ndalet tek çdo rrëfim i përmendur në çdo copë fletësh që duken të parëndësishme dhe pastaj bëhet dritë për t’u lexuar.

Në këtë vozitje të gjatë që keni bërë, keni qenë jo vetëm studiues, por edhe gardian i kujtesës, njeri që ndërton ura midis së kaluarës dhe së ardhmes, krijues që nuk heq dorë nga vendi dhe rrënjët e veta. Në rrjedhën e viteve, Meçan Hoxha është shfaqur si figurë universale: qytetar model, studiues serioz, publiëist me peshë, poet i ndjeshëm, sociolog i mprehtë, kritik letrar dhe mbi të gjitha, njeri i përmasave morale.

Krijimtarinë e nis me librin “Grabova, e bukura me arumunë”, studim që përçon vlera qytetërimi, bashkëjetese dhe kulture, duke e kthyer Grabovën në simbol të harmonisë mes komuniteteve. Në “Dritë diturie në Gramsh”, dokumenton me përpikëri fillesat e arsimit në trevën e tij, duke ndërtuar monument për mësuesit e brezave.

Me librin “Pasardhësit e Kodrionit”, ringjall lashtësinë e Sulovës dhe qytetërimin e harruar që ndodhet në themelet e saj. Monografia “Asllan Shahini i pushkës dhe i penës” sjell heroin si rilindës të barutit e dijes, duke i dhënë figurës dritë e përmasë kombëtare. Në “Zenel Braçi i Tomorricës”, autori spastron pluhurin ideologjik të viteve dhe jep portretin e pastër të një trimi e humanisti.

Ndërsa në “Gramshi në vitet e Luftës së Dytë Botërore”, ulet dhe gjykon me objektivitet dritëhijet e një periudhe të ndërlikuar, duke ruajtur vërtetësinë e dëshmive. Kulmi përqendrohet me “Riza Kishta, emër që nuk harrohet”, monografi që tregon staturën e një senatori konkurues të letrave shqipe. Është libri i fateve njerëzore, i dashurisë për vendin dhe urrejtjes ndaj padrejtësisë.

Në “Gramshi në jetën time”, Hoxha reagon me zemrën në dorë, me fisnikërinë dhe ndjeshmërinë e njeriut shumë të thjeshtë, që di, ka parë dhe mësuar shumë, pa humbur orjentimin dhe optimizmin kah dritës dhe shkëlqimit. Mirnjohës ndaj Gramshit ku u lind dhe gramshiotëve që ndau me ta çdo gjë jetësore.

Në çdo faqe të veprave të tij, ndihet fryma e njeriut që kërkon dritë. Nuk e përdor fjalën për të ndarë, por për të bashkuar. Nuk e përdor historinë për të akuzuar, por për të kuptuar. Në fund të ditës, Meçan Hoxha është më shumë se historian, më shumë se shkrimtar: është shenjë kohe, dëshmi e integritetit njerëzor, model i rrallë qytetarie.

Në pasditen e bukur të jetës, Meçan Hoxha mbetet udhëtar i pashoq i mendimit. Nuk rrëzohet nga zhgënjimet, nuk helmohet nga mosmirënjohja, nuk ndalet nga lodhja. Përkundrazi punon, shkruan, këshillon, ndihmon.

Në botën ku shumëkush gërmon në baltë, ai kërkon dritë. Në një shoqëri që shpesh harron, ai kujton. Në një kohë që vrapon pas shpejtësisë, ndalet për të dëgjuar.

E di se njeriu nuk matet me pasuri, por me gjurmët që lë pas. Dhe gjurmët e Meçan Hoxhës janë të thella, të qarta, të ndritshme.
Tani që kthen kokën pas, në këtë tetor jubilar, Meçan Hoxha mund të ndiejë pa krenari të zhurmshme, por me qetësinë e njeriut, që di se ka bërë diçka të mirë për vendin e tij. Pas ka lënë trashëgimi të vyer libra, mendime, shembuj dhe mbi të gjitha respektin e njerëzve.

Meçan Hoxha është shembulli përcaktues, se shkrimtari nuk matet me moshë, por me dritën që lë pas në jetën e të tjerëve.
Në 80-vjetorin e lindjes, shikojmë pas me respekt dhe përpara me mirënjohje. Meçan Hoxha nuk është thjesht emër që mbart kujtime, por është institucion i kulturës, zë i maturisë, shembull i njeriut që ka ditur të jetojë me dinjitet, të udhëheqë me mendje të kthjellët dhe të krijojë me shpirt të lirë.

Në kohën ku fjala shpesh humbet peshën, e ka mbajtur penën si pishtar. Në një botë që rend drejt shpejtësisë, ka zgjedhur të ecë me mendim, me kujtesë, me dashuri. Kush ka hyrë ndonjëherë në shtëpinë e Meçanit, e kupton menjëherë se është në një vend të veçantë. Në shtëpinë e tij, librat nuk janë zbukurim, por bashkëbisedues të përditshëm, janë në frymëmarrjen e dhomës, në mënyrën si flet, si kujton, si të vjen në bisedë.

Çdo raft është një udhëtim, çdo dorëshkrim një dëshmi dashurie për vendin dhe njerëzit. E ka kthyer kujtesën në mision dhe shkrimin në dritë.

Në librat dhe në jetën e tij, Meçan Hoxha nuk flet për heronj të ftohtë. Sjell njerëz të gjallë, me gëzime e dhimbje, me punë e pasion, me plagë e ëndrra. I shikon ato si pjesë të mozaikut të madh njerëzor që formon shpirtin e vendit. Lexuesit e tij ndihen të afërt me autorin sepse pena e tij është e butë, e qartë dhe e drejtë, duke shndërruar kujtimet në vlera të përhershme.

Nuk është rastësi që në faqet e krijimtarisë së tij ndesh Riza Kishtën, Asllan Shahinin, Zenel Bracin, Kamber Dermyshin, e dhjetëra të tjerë që ndriçojnë si yje të historisë lokale, por që ai i ka ngritur në përmasë kombëtare. Ka moral në to, guxim, njerëzi dhe mbi të gjitha, dashuri për Shqipërinë.
Jam besimplotë të parashikoj shëndet të mirë tuajin, forcë dhe frymë po aq krijuese sa deri tani. Bindjen e kam të përforcuar, që dora juaj të vazhdojë të shkruajë libra të cilat ndriçojnë territore të harruara. Shpresën e kam të patundur që poezia juaj të çajë heshtjen e ditës dhe brigjet e dijes që ju keni ndërtuar, të jenë vatër frymëzimi për ata që të ndjekin rrugën.

Lexuesit janë me shans të zhyten në veprat tuaja dhe të mrekullohen me pasurinë e gjuhës dhe mendimit, që studiuesit të vazhdojnë t’ju shikojnë si model për integritet dhe përkushtim. Kundrejt kësaj pune përshendetëse, breznitë e ardhshme janë në favor ta mbajnë gjallë emrin tuaj, që shkëlqen si dritë në vende ku harresa ka vepruar me lehtësi.

Në përvjetorin e 80-të të ditës së bekur të lindjes, të ndezim së bashku flakën e shpresës për ecurinë e hapave tuaja letrare, duke qenë fort të bindur, që dora juaj të mos lodhet së shkruari dhe mendimi juaj të mos ndalet së frymëzuari. Meçan Hoxha mbetet udhëtari i pashoq i mendimit.

Punon, shkruan, këshillon, qesh, kujton me të njëjtën qetësi e përulësi që e ka shoqëruar gjithë jetën. Në një botë që shpesh harron, ai kujton. Në një kohë që vrapon pas shpejtësisë, ai ndalet për të dëgjuar. Në një shoqëri që shpesh kërkon errësirë, ai mbjell dritë. Ndodh kështu, sepse e di se njeriu nuk matet me pasuri, por me gjurmët që lë pas.

Dhe gjurmët e tij janë të thella, të qarta, të ndritshme.
Kur mbyllen tetë dekada të një jete të pasur e të ndershme, Meçan Hoxha mbetet shembull frymëzimi për brezat që vijnë, për mësuesit që ndezin dritën e dijes, për qytetarët që besojnë te fjala dhe te njeriu, për shkrimtarët që e duan të vërtetën dhe bukurinë e thjeshtë.

Ke bërë shumë në këtë jetë. Je vendosur në shumë pozicione, duke nisur nga mësues i thjeshtë, drejtues, e më tej në muzetë e qytetit, titullar i qytetit në kohën e djeshme dhe pishtar drejtësie, ndershmërie dhe burrërie në kohën e sotme. Meritove shumë nga “Qytetar Nderi i Gramshit, e deri në “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit”. U ule edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Drejtove edhe shkrimtarët dhe artistët e Durrësit.

E në çdo kohë, e në çdo rast, e deri në këtë 80-të vjetor të lindjes as më shumë dhe as më pak mbete 100 përqind Meçan Hoxha.

Drita e dijes nuk njeh perëndim. Dhe ju jeni një i tillë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME