Mbërrijnë në Cërrik materialet zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit 2025

Kanë mbërritur mesditën e sotme në qytetin e Cërrikut materialet zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 9 nëntor 2025. Materialet u transportuan drejt KZAZ-së nr. 47 të qarkut Elbasan, e cila mbulon të gjithë territorin e Bashkisë Cërrik.

Procesi i transportimit u krye nën masa të rrepta sigurie. Mjetet e ushtrisë u përdorën për dërgimin e materialeve, ndërsa gjatë gjithë rrugës ato u shoqëruan nga efektivë të Policisë së Shtetit, për të garantuar ruajtjen dhe sigurinë e tyre deri në mbërritjen në destinacion.

Pas mbërritjes në KZAZ nr. 47 e Bashkisë Cërrik, materialet do të ruhen në ambientet përkatëse deri në momentin e shpërndarjes drejt 57 qendrave të votimit në qytet dhe në njësitë administrative përreth. Shpërndarja pritet të nisë në orët e para të mëngjesit të së shtunës, në mënyrë që të gjitha qendrat e votimit të jenë gati dhe funksionale në mëngjesin e 9 nëntorit, kur do të nisë procesi i votimit.

Autoritetet vendore dhe përfaqësuesit e KZAZ-së kanë deklaruar se të gjitha përgatitjet po ecin sipas planit dhe se synimi është garantimi i një procesi zgjedhor të qetë, transparent dhe në përputhje me të gjitha standardet ligjore.

Këto zgjedhje të pjesshme zhvillohen në Bashkinë Cërrik, ku në garë janë tre kandidatë për postin e kryetarit të bashkisë: Florenc Doka (PS), Amarildo Hoxha (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Eligert Hima (“Shqipëria Bëhet”).

Mbërritja e materialeve zgjedhore shënon një hap të rëndësishëm në përgatitjet për zhvillimin e procesit të votimit, i cili pritet të vijojë normalisht nën mbikëqyrjen e strukturave përkatëse të KQZ-së, KZAZ-së nr. 47 dhe organeve të rendit publik.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME