Në përmbyllje të aktiviteteve të zhvilluara gjatë “Tetorit Rozë”, muajit të ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit, Bashkia Elbasan organizon aktivitetin simbolik “Marshim për Jetën”.
Ky marshim do të mbahet më 31 tetor 2025, duke nisur në ora 12:00 nga Teatri “Skampa” dhe me destinacion sheshin “Gensher”, në qendër të qytetit.
Nisma ka si qëllim të përcjellë një mesazh të fortë ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, kujdesit shëndetësor për gratë dhe solidarizimin me të gjitha ato gra e vajza që po përballen me sfidën e kancerit të gjirit. Përmes këtij aktiviteti synohet të përçohen mesazhe të shpresës, forcës dhe kurajos, duke kujtuar se beteja për jetën fitohet me mbështetje, dashuri dhe ndërgjegjësim.
Me moton “Gratë për Gratë”, Bashkia Elbasan fton të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë marshim, për të treguar mbështetje dhe bashkim në luftën kundër kësaj sëmundjeje.

Aktiviteti zhvillohet nga Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Elbasan, Zyrën Arsimore Elbasan, Operatorin e Kujdesit Shëndetësor, Zyrën e Punës Elbasan, Shërbimin Social, si dhe me mbështetjen e World Vision, AKPA, OSH KSH, Forumit të Gruas Elbasan, Yjeve të Ardhmërisë dhe aktorëve të tjerë lokalë që kontribuojnë në nisma të tilla me impakt të drejtpërdrejtë shoqëror.
Ky marshim, i kthyer tashmë në një traditë sensibilizuese për qytetin e Elbasanit, mbart një mesazh të qartë: jeta ka vlerë dhe çdo ditë e saj është një arsye për të luftuar, për të buzëqeshur dhe për të shpresuar.

