Një hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve është hedhur me nënshkrimin e marrëveshjes së re të transportit ajror mes Kanada dhe Shqipëri, e cila parashikon edhe vendosjen e linjës së parë direkte ajrore mes dy shteteve. Fluturimi i parë direkt nga Toronto drejt Tiranë pritet të realizohet në qershor të vitit 2026, duke shënuar një moment historik në lidhjet mes dy vendeve.
Lajmi është përshëndetur edhe nga deputeti i Parlamentit kanadez dhe mik i njohur i komunitetit shqiptar, Yvan Baker. Në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada–Shqipëri, ai shprehu kënaqësinë që iu bashkua Ambasadores së Shqipërisë në Kanada, Artemis Malo, si dhe të ftuarve të tjerë për të festuar këtë arritje të rëndësishme, e cila hap një kapitull të ri në bashkëpunimin mes dy vendeve.
Baker theksoi se është krenar që ka mbështetur këtë marrëveshje dhe po aq krenar që po sheh realizimin e saj. Sipas tij, Kanada dhe Shqipëri gëzojnë një marrëdhënie të veçantë, pasi janë aleate në NATO, ndërsa bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik mes tyre po njeh rritje të vazhdueshme. Ai nënvizoi gjithashtu se lidhjet e forta njerëzore, veçanërisht përmes komunitetit shqiptar në Kanada, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në afrimin e dy vendeve.
Sipas tij, marrëveshja e re ajrore pritet të sjellë përfitime të shumta, duke lehtësuar udhëtimet, duke rritur shkëmbimet ekonomike dhe turistike, si dhe duke afruar edhe më shumë komunitetet shqiptare në Kanada me vendlindjen e tyre.
Vendosja e fluturimit direkt Toronto–Tiranë pritet të jetë një zhvillim i shumëpritur, sidomos për mijëra shqiptarë që jetojnë në Kanada, por edhe për bizneset dhe turistët që kërkojnë lidhje më të shpejta dhe më efikase mes dy vendeve.

