Magjia u rikthye në “Elbasan Arena”: gratë dhe vajzat pushtojnë tribunat në supersfidën AF Elbasani – Egnatia Rrogozhinë

Nga Fatmir Popja

Elbasani përjetoi një nga ato mbrëmje që mbeten gjatë në kujtesën e një qyteti. Në supersfidën mes AF Elbasani dhe Egnatias së Rrogozhinës, nuk ishte vetëm loja ajo që rrëmbeu vëmendjen, por mbi të gjitha atmosfera elektrizuese në shkallët e “Elbasan Arena”, ku një rikthim masiv i femrave i dha stadiumit shpirtin e munguar prej vitesh.

Që në orët e para të mbrëmjes, tribunat nisën të mbusheshin me një energji ndryshe. Grupe vajzash, familje, nëna me fëmijë, shoqe e motra, të gjitha të bashkuara nga një pasion i përbashkët: mbështetja për verdheblutë. Ishte një pamje që rikthente në memorie kohët e arta të futbollit elbasanas, kur prania e femrave në stadium ishte jo vetëm e zakonshme, por edhe një nga elementët më të bukur të kulturës sportive të qytetit.

Kjo që ndodhi të premten në mbrëmje nuk ishte rastësi. Ajo erdhi si rezultat i një fryme të re që po ndërtohet rreth klubit vetdh e blu dhe një thirrjeje të fortë publike nga deputetja Sara Mila  e cila mobilizoi gratë dhe vajzat e Elbasanit për të qenë pjesë e kësaj sfide. Mesazhi i saj  i thjeshtë, por i fuqishëm  u kthye në një valë entuziazmi që pushtoi qytetin: “Të gjitha në stadium për ekipin e zemrës”.Dhe ato iu përgjigjën. Masivisht.Vendimi i klubit për të ofruar bileta falas për femrat rezultoi një sukses i jashtëzakonshëm. Tribunat morën një tjetër ritëm, një tjetër ngjyrë, një tjetër zë. Brohoritjet nuk ishin vetëm të forta, por edhe të ngrohta, festive, plot jetë. Ishte një atmosferë që nuk ndërtohet vetëm me tifozë, por me ndjenjë.

Në fushë, AF Elbasani vazhdon të ëndërrojë madhështinë , titullin kampion, Kupën dhe Superkupën ,por në tribuna, skuadra tashmë ka fituar diçka po aq të rëndësishme: rikthimin edhe të një pjese tjetër të mrekullueshme të qytetit. Një Elbasan që frymon futboll dhe që di të bashkohet në momentet kyçe.

Kjo mbrëmje tregoi qartë se futbolli në Elbasan nuk është  vetëm  një lojë sportive. Është identitet. Është histori. Është emocion kolektiv. Dhe kur në këtë histori rikthehen gratë dhe vajzat, gjithçka bëhet më e bukur, më e gjallë, më e vërtetë.

Në kujtesën e tifozëve më të vjetër, rikthehen imazhet e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta ”, ku dikur qindra e mijëra femra krijonin një atmosferë unike në Shqipëri. Sot, ajo traditë duket se po rilind, duke i dhënë “Elbasan Arena”-s një dimension të ri, por njëkohësisht edhe nostalgjik.

Ndërkohë, optimizmi në klub mbetet në kulm. Presidenti Kujtim Llupa dhe i gjithë ekipi drejtues i AF Elbasani ka paralajmëruar mbështetje masive në ndeshjet vendimtare, me synimin për të pasur mbi 10 mijë tifozë në stadium. Dhe nëse kjo mbrëmje e të premtes ishte një tregues, atëherë AF Elbasani është gati për net edhe më të mëdha.

Sepse kur një ekip ëndërron trofe dhe një qytet zgjohet për ta mbështetur, lind diçka më e madhe se sporti   lind një histori. Dhe në këtë histori të re të AF Elbasani, gratë dhe vajzat nuk janë thjesht spektatore ,ato janë zemra që rreh fort në çdo brohoritje.

Mbrëmja e së premtes nuk ishte vetëm një ndeshje futbolli . Ishte një festë verdheblu. Ishte rikthimi i një tradite. Ishte dëshmia se Elbasani di të bëhet një.

Optimizmi për mbylljen me sukses të këtij sezoni është më i fortë se kurrë. Me një skuadër që po shkëlqen në fushë dhe me një mbështetje që po rritet çdo javë në tribuna, AF Elbasani duket se ka krijuar të gjitha kushtet për të realizuar ëndrrën e madhe të trofeve. Atmosfera e krijuar në “Elbasan Arena” është një tregues i qartë se qyteti beson dhe është gati të ecë krah skuadrës deri në fund.

Në këtë rrugëtim, një rol gjithnjë e më të rëndësishëm pritet të luajë pikërisht prania e grave dhe vajzave, e cila jo vetëm që do të vijë duke u shtuar, por po shndërrohet gradualisht në një nga elementët më të bukur dhe identitarë të tifozërisë elbasanase. Energjia, pozitiviteti dhe eleganca që ato sjellin në tribuna po i japin stadiumit një dimension unik, duke e kthyer çdo ndeshje në një spektakël të vërtetë.

Nëse kjo frymë vazhdon, Elbasani nuk do të ketë vetëm një ekip fitues në fushë, por edhe një tribunë model, ku prania masive e femrave do të kthehet në një traditë për t’u pasur zili në gjithë futbollin shqiptar. Dhe pikërisht kjo bashkëjetesë e bukur mes suksesit sportiv dhe kulturës së tifozërisë mund të jetë çelësi i një epoke të re të artë për AF Elbasani.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME