Lufta në Lindjen e Mesme, goditet ambasada e SHBA-së në Riad, Izraeli nis operacione tokësore në Liban dhe bombardon Teheranin. Trump sulmon Starmer: S’ishte i dobishëm

Situata në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar ndjeshëm në ditën e katërt pas sulmeve të njëkohshme ajrore të ndërmarra nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në Teheran dhe Bejrut.

Sipas deklaratës zyrtare të IDF-së, objektivat kanë qenë pozicione ushtarake, ndërsa në Liban janë goditur qendra komande dhe depo armësh që i përkasin Hezbollahu. Para sulmeve, ushtria izraelite lëshoi një paralajmërim urgjent për evakuimin e banorëve në periferitë jugore të Bejrutit dhe në disa zona përreth.
Ndërkohë, tensionet janë reflektuar edhe në rritjen e masave të sigurisë në rajon. Ambasada e SHBA-së në Kuvajt ka njoftuar mbylljen “deri në njoftim të mëtejshëm”, duke anuluar të gjitha shërbimet konsullore për shkak të situatës së paqëndrueshme.

Rajoni mbetet në alarm, ndërsa frika për një përshkallëzim më të gjerë ushtarak është shtuar ndjeshëm.
17:36 Sulmi me dronë Shahed në Qipro, gazetari i TCH nga Tel Aviv-i: U ndërmor nga Hezbollahu, nuk u kap as nga radarët
Korrespondenti i Top Channel Artur Bibe, që prej ditësh ndodhet në Tel Aviv-v raporton se sulmi me dronë Shahed në Qipro u ndërmor nga Hezbollah me bazë në Liban. Gazetari raporton se dronët u dërguan drejtë shtetit ishullor që është anëtar i Bashkimit Europian por jo anëtar i NATO-s, nga një bazë e organizatës në luginën Beka në Liban dhe ishin programuar të ecnin në lartësi të ulët se 50 metra për të mos u pikasur prej sistemeve të radarëve izraelitë dhe amerikanë.
17:22 Starmer dërgon shkatërruesin HMS Dragon dhe helikopterë në Qipro, Britania forcon operacionet mbrojtëse dhe interesat strategjike
Keir Starmer njoftoi vendosjen e shkatërruesit HMS Dragon dhe helikopterëve me aftësi anti-dronë në Qipro. Starmer tha se vendosja ishte pjesë e përpjekjeve të Mbretërisë së Bashkuar për të forcuar operacionet e saj mbrojtëse, ndërsa theksoi se vendi do të veprojë gjithmonë në interesat e veta dhe ato të aleatëve të saj. “Ne gjithmonë do të veprojmë në interes të Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë”, shtoi ai.
17:09 “Aftësia ushtarake e Teheranit po dobësohet”, Trump komenton situatën në Lindjen e Mesme: Iranit po i mbarojnë raketat sepse…
Presidenti i SHBA Donald Trump deklaroi se Irani po përballet me mungesë raketash dhe pajisjesh lëshuese, ndërsa sipas tij kapacitetet e tyre ushtarake po dobësohen gradualisht. Sipas Trump, aftësia ushtarake e Teheranit po degradon vazhdimisht, megjithëse forcat iraniane pritet të vazhdojnë të lëshojnë raketa edhe për një periudhë të caktuar.
16:30 Inteligjenca Artificiale depërton deri në luftëra? Reagime për përdorimin e AI në operacione ushtarake, OpenAI rishikon marrëveshjen me Pentagonin
OpenAI ka njoftuar se do të ndryshojë marrëveshjen e saj me United States Department of Defense pas reagimeve të forta publike dhe shqetësimeve për përdorimin e teknologjisë së saj në operacione ushtarake të klasifikuara. Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, deklaroi se kompania do të shtojë klauzola të reja në kontratë, përfshirë ndalimin e qartë të përdorimit të sistemeve të saj për mbikëqyrje të brendshme ndaj qytetarëve amerikanë. Ai pranoi se publikimi i marrëveshjes ishte bërë me nxitim dhe e cilësoi qasjen fillestare si “oportuniste dhe të pakujdesshme”.
16:24 Ahmad Vahidi emërohet kreu i Gardës Revolucionare iraniane, zyrtari i lartë i sanksionuar dhe i kërkuar nga Interpoli merr drejtimin pas vdekjes së Pakpour
Zyrtari i lartë ushtarak iranian Ahmad Vahidi është emëruar në krye të Islamic Revolutionary Guard Corps (Garda Revolucionare), pas vdekjes së komandantit të mëparshëm, Mohammad Pakpour, i cili humbi jetën të shtunën (28 shkurt) gjatë sulmeve izraelite dhe amerikane.
16:16 Zelensky: Rusia humbi dimrin, por lufta në Iran është problem për Ukrainën
“Mendoj se goditja e objektivave ushtarake iraniane ka qenë një vendim i mirë”. Iranianët prodhojnë shumë armë për Rusinë, sidomos dronë dhe raketa. Edhe pse tani besoj se nuk do të mund ta bëjnë më këtë dhe ndoshta do të jenë rusët ata që do t’i armatosin”, pohon Volodymyr Zelensky në një intervistë gati 50-minutëshe dhënë Corriere della serës në zyrën e tij.
15:35 Izraeli kthen vëmendjen nga Libani, kërkon të asgjësojë mbetjet e Hezbollahut, terroristët godasin me raketë fshatin Jouval dhe plagos 4 persona
Ditën e sotme ushtria izraelite e ka kthyer vëmendjen nga Irani drejt Libani ku po sulmon vazhdimisht pozicionet e organizatës terroriste Hezbollah, që financohet nga Teherani. Korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe i cili ndodhet pranë frontit ku po ndodh përplasja mes dy palëve raporton se në fshatin Jouval një shtëpi është goditur nga një raketë e Hezbollahut, duke plagosur 4 persona duke shkatërruar plotësisht banesën.
15:15 Ambasada amerikane në Arabinë Saudite paralajmëron për “sulm të afërt”
Ambasada amerikane në Arabinë Saudite paralajmëron për “sulm të afërt” me raketa dhe dronë mbi Dhahran, ku ndodhet edhe një konsullatë e SHBA-së.
15:11 Vrasja e Khameneit, Financial Times: Izraeli kishte hakuar kamerat prej vitesh, i bllokoi telefonat
Kur truprojat dhe shoferët super të trajnuar dhe besnikë të zyrtarëve të lartë iranianë paraqiteshin në punë pranë Rrugës Pasteur në Teheran- vendi ku Ajatollah Ali Khamenei u vra nga një sulm ajror izraelit të shtunën- ata nuk kishin as idenë më të vogël se në fakt, izraelitët po vëzhgonin çdo lëvizje të tyre.
14:53 Vrasja e liderit suprem të Iranit, Politico: Ja pse eliminimi i Khameneit nga SHBA e godet Putin “aty ku i dhemb më shumë”
Veprimet e fundit ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit ka të ngjarë të kenë intensifikuar frikën dhe paranojën e Vladimir Putinit, si dhe vendosmërinë e tij për të arritur fitoren në luftën në Ukrainë, pavarësisht kostos, raportoi sot Politico.
14:28 Pas lajmeve për sulm në “Ashraf 3” në Manzë, reagon zëdhënësi i kampit: Irani s’ka kapacitet teknik për të goditur Shqipërinë, është propagandë për luftë psikologjike
Pas publikimit të disa lajmeve në media se Irani mund të ketë në objektivat e tij të goditjes me raketa edhe kampin Ashraf 3 në Manzë, ka reaguar zëdhënësi i këtij të fundit Shahriar Kia.
13:26 Lufta në Lindjen e Mesme/ SHBA mbyll ambasadat në Arabinë Saudite dhe Kuvajt, zvogëlon praninë konsullore në disa vende të tjera të rajonit
SHBA-të kanë mbyllur dy ambasada në Lindjen e Mesme dhe kanë zvogëluar praninë e tyre konsullore në disa vende të tjera, ndërsa sulmet vazhdojnë në rajon.
Siç raporton CNN, Ambasada Amerikane në Arabinë Saudite është mbyllur sot pasi objekti u godit nga dy dronë që dyshohet të jenë iranianë.
13:11 Shqipëria e kërcënuar nga Irani? Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla në “Shqipëria Live”: Muxhahedinët objektiv, nëse bëjnë sulm kibernetik
Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, në një intervistë për “Shqipëria Live”, foli për kërcënimin nga një sulm i mundshëm iranian ndaj Shqipërisë.
Ai tha se objektivi janë muxhahedinët dhe nëse ata përfshihen në një sulm kibernetik, automatikisht do të bëhen objektiv.
13:09 Rritet bilanci i të vdekurve në Iran, shkon në 787 numri i viktimave që nga nisja e luftimeve
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, duke cituar Gjysmëhënën e Kuqe Iraniane, njoftoi se numri i të vdekurve në Iran ka shkuar në 787.
12:50 Britania e Madhe dërgon ‘shkatërruesin’ në Qipro për mbrojtje të bazës ushtarake në Akrotiri
Mbretëria e Bashkuar po shqyrton dërgimin e destrojerit HMS Duncan në Qipro për të ndihmuar në mbrojtjen e bazës së Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) nga sulmet e mundshme iraniane me dronë dhe raketa.
Sipas raportimeve, po zhvillohen diskutime për të vendosur HMS Duncan, një destrojer i Tipit 45, i cili është e vetmja anije në arsenalin britanik të aftë për të kapur raketa balistike.
12:48 Lufta në Lindjen e Mesme, Lavrov: Veprimet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit mund të inkurajojnë zhvillimin e armëve bërthamore
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov denoncoi operacionet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit, duke e përshkruar situatën si një luftë në Lindjen e Mesme dhe duke paralajmëruar për implikimet serioze që ka për sigurinë rajonale.
12:45 Ushtria izraelite godet zyrën presidenciale të Iranit
Uushtria izraelite thotë se forcat e saj ajrore kanë goditur kompleksin udhëheqës të regjimit iranian.
Në një deklaratë në Telegram, IDF thotë se “municione të shumta” u hodhën mbi Zyrën Presidenciale dhe Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare.
Ai shton se u goditën gjithashtu një institucion trajnimi ushtarak dhe “infrastrukturë shtesë kyçe e regjimit”.
11:54 VIDEO/ Betejë ajrore dhe sirena alarmi, TCH siguron pamjet e momentit kur mbrojtja izraelite rrëzon raketat iraniane mbi Tel Aviv
Konflikti në Lindjen e Mesme vijon me tensione e sulme nga të dyja palët e përfshira në konflikt.
Në pamjet e siguruara nga korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe i cili ndodhet në terren, vërehet momenti kur raketat iraniane shkatërrohen mbi kryeqytetin e Tel Avivit nga mbrojtja anti-raketore e Izraelit “Iron Dome”.
11:05: Kina dënon sulmet mbi Iran: Shkelje flagrante e sovranitetit dhe parimeve të Kartës së OKB-së
Kina i dënoi ashpër sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit që i kushtuan jetën udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, duke e cilësuar atë si “shkelje flagrante të sovranitetit”.
10:44 Harta e konfliktit, ku sulmuan SHBA dhe Izraeli duke “paralizuar” Iranin
Sulmet në të gjithë Lindjen e Mesme kanë vazhduar, me goditjet që nuk kursyen as Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Arabinë Saudite, ndërsa një dron iranian sulmoi gjithashtu një bazë britanike të RAF-it në Qipro e dy të tjerë u interceptuan më vonë.
10:41 Konflikti në Lindjen e Mesme prek Ngushticën e Hormuzit/ Irani kërcënon të sulmojë anijet me mallra, rriten tensionet me Kinën
Konflikti në Lindjen e Mesme mund të çojë në ndërprerjen e korridorit më të rëndësishëm të transportit detar në botë.
Irani është zotuar se do të sulmojë çdo anije që përpiqet të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
10:28 Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme/ Greqia zhvendos raketat Patriot në ishullin pranë Rodosit, qeveria forcon mbrojtjen
Brenda ditës do të transferohet në ishullin Karpathos në Egjeun juglindor një bateri raketore Patriot, si masë parandaluese për shkak të përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme.
Vendimi që ka marrë qeveria greke orët e fundit konsiderohet një lëvizje mbrojtëse, me synim forcimin e mburojës ajrore në juglindje të vendit dhe rritjen e gatishmërisë përballë çdo kërcënimi të mundshëm.
09:07 Trump sulmon publikisht Starmer: Nuk ishte i dobishëm, marrëdhënia nuk është e njëjtë
Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar publikisht kryeministrin britanik Keir Starmer, duke e cilësuar si “jo të dobishëm” në lidhje me sulmet e SHBA-së ndaj Iranit.
Në një intervistë për The Sun, Trump u shpreh i zhgënjyer nga qëndrimi i Londrës.
08:55 Izraeli paralajmëron zgjerim të operacionit, IDF: Trupat tokësore do të pushtojnë zona të tjera strategjike në Liban
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka deklaruar se ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu kanë autorizuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) të “përparojnë dhe të pushtojnë zona të tjera strategjike në Liban”.
08:43 Frika për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit/ Izraeli vendos trupa në jug të Libanit dhe godet Hezbollahun
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) ka njoftuar se, paralelisht me veprimet ajrore në kuadër të Operacionit “Roaring Lion”, trupat izraelite po operojnë në jug të Libanit, duke u pozicionuar në disa pika pranë zonës kufitare për mbrojtje të përforcuar.
08:28 SHBA urdhëron largimin e personelit nga 5 vende, rriten kërcënimet me dronë dhe raketa nga Irani
Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar largimin e detyrueshëm të personelit jo-emergjent të qeverisë amerikane dhe familjarëve të tyre nga Jordania, Bahreini, Iraku, Katari dhe Kuvajti, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në rajon.
08:14 “Kjo nuk është një luftë e pafundme”, Netanyahu premton paqe, Trump flet për afat 4-javor
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë aludimet se konflikti në Lindjen e Mesme po shkon drejt një “lufte të pafundme”, duke deklaruar se operacionet ushtarake do të çojnë në “një epokë paqeje” dhe, sipas tij, në demokraci për Iranin.
07:59 Mbyllet Ambasada amerikane në Kuvajt, anulohen të gjitha shërbimet konsullore, shkak tensionet në rajon
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kuvajt ka njoftuar mbylljen e saj “deri në njoftim të mëtejshëm”, për shkak të “tensioneve të vazhdueshme rajonale”.
Lajmi u bë publik përmes një postimi në rrjetin social X, ku theksohet se janë anuluar të gjitha takimet konsullore, si ato të rregullta ashtu edhe ato emergjente.
07:38 “Gati për të fituar”, Trump: SHBA ka armë për një luftë të përhershme
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-të disponojnë rezerva të mjaftueshme armësh për të zhvilluar luftëra “përgjithmonë”, duke theksuar se pritet vetëm fitore.
07:24 Përshkallëzohet konflikti, Izraeli sulmon Teheranin dhe Bejrutin, paralajmërim për evakuim në Liban
Forcat Mbrojtëse të Izraelit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), kanë konfirmuar nisjen e sulmeve ajrore në kryeqytetin iranian, Teheran, dhe në kryeqytetin libanez, Bejrut.
Në një deklaratë zyrtare, IDF bëri të ditur se po kryen “sulme të synuara kundër objektivave ushtarake” në të dyja qytetet, duke shënuar një përshkallëzim të fortë të situatës në rajon.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME