Lojtari i Kombëtares së Senegalit, Boje: Elbasani një sfidë e re, një motivim i madh

Insa Boje është afrimi më i ri i Elbasanit. Mesfushori i përfaqësueses së Senegalit vjen si një element i rëndësishëm për repartin e mesfushës, aty ku verdheblutë synojnë të rrisin ndjeshëm nivelin e lojës, intensitetin dhe rivalitetin për një vend titullari. Klubi elbasanas pret që afrimi i tij të sjellë më shumë balancë, forcë fizike dhe eksperiencë, ndërsa vetë lojtari shihet si një investim me perspektivë. 23-vjeçari ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” rreth aventurës së tij të re në futbollin shqiptar, përshtypjeve të para me ekipin dhe objektivave personale e kolektive. Boje vlerëson ambientin që ka gjetur në Elbasan, ndërsa pranon se përpara këtij transferimi kishte njohuri të kufizuara për kampionatin shqiptar, por tashmë po mundohet ta njohë sa më mirë. “E pres mirë aventurën në Elbasan dhe Shqipëri. Kam ardhur këtu për të mësuar, për të vazhduar dhe ndihmuar skuadrën. Më parë nuk e njihja shumë, por pasi mësova për interesimin dhe firmosa, hulumtova dhe po kërkoja për Shqipërinë dhe ekipin e Elbasanit. Njoha sigurisht Tsague, Diallo dhe Loukili. Më kanë pritur shumë mirë gjithë shokët e skuadrës dhe stafi, ku shpresoj të bëj sa më mirë këtu”, u shpreh fillimisht Boje.

PARTIZANI – Në vijim, mesfushori senegalez ndalet edhe te ndeshja e radhës ndaj Partizanit, një përballje e rëndësishme për Elbasanin, si nga ana e renditjes, ashtu edhe për moralin e skuadrës. Për Bojen, kjo sfidë përfaqëson edhe një mundësi për të treguar vlerat e tij në një ndeshje me nivel të lartë rivaliteti. Lojtari thekson se është në formë të mirë dhe i gatshëm për të dhënë kontributin e tij nëse do t’i besohet fanella. “Sigurisht, jam gati për Partizanin. Dëshira ime është të luaj dhe të ndihmoj skuadrën për të fituar ndeshjen. Nëse do të më jepet mundësia do të jap maksimumin tim për të ndihmuar ekipin”, theksoi më tej senegalezi.

KOMBËTARJA – Në fund, Boje ndalet edhe te Përfaqësuesja e Senegalit, një objektiv që mbetet i rëndësishëm për karrierën e tij. Mesfushori ka qenë pjesë e Kombëtares që në moshat e reja dhe që prej vitit 2019, ndërsa rikthimi mbetet një ambicie personale, e lidhur drejtpërdrejt me paraqitjet që ai synon të zhvillojë me fanellën e Elbasanit. “Tek Kombëtarja kam qenë që në vitin 2019 dhe normalisht kam ambiciet e mia për t’u rikthyer. Shpresoj që të bëj sa më mirë me ekipin e Elbasanit për t’ia arritur kësaj gjëje. Gjithsesi, kryesorja për momentin është që të bëj sa më mirë këtu në Elbasan”, mbylli prononcimin e tij Insa Boje. Mesfushori senegalez, i cili në Elbasan ka gjetur edhe bashkëkombasin e tij Ibrahima Diallo, pritet të ketë një rol të rëndësishëm në mesin e fushës. Klubi shpreson që integrimi i tij të jetë sa më i shpejtë dhe kontributi të vijë që në ndeshjet e para të kampionatit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...