Kujtime, mall, lot shpirti për kohën që ishte ndër më të mirët
Nga BUJAR QESJA Mjeshtër i Madh
Nuk e di se si mund të më ketë shpëtuar, që nuk jam ulur si tani për të ngacmuar fantazinë time për Lluka Priftin. Një burrë vital, me lartësi që të kujton, se në rininë e tij ishte dikushi në sporte. Shumë energjik, me pamje të pandryshuar, duke mbetur po i mëparshmi, i qeshur dhe hokatar.
Si një forcë zakoni, por edhe si për të kujtuar rininë time, më pëlqen që çdo mëngjes të rrugëtoj në pjesën ku është vendosur parku sportive “Nako Spiru”. E kam të fiksuar pozicionin e këtij njeriu. E shikoj gjithnjë të ulur në karriken pranë derës së shtëpisë. Konsumon kafenë e zakonshme, duke e shoqëruar me “vesin”e pandryshuar leximin.
Pranë i qendron në të shumtën e kohës, bukuria e jetës, bashkëshortja Drita. Dhe si me shaka të thotë: “ashtu siç e ka emrin, dritë na e ka bërë jetën mua dhe fëmijve tanë dhe për këtë i jam mirnjohës”.
Përshëndetemi çdo ditë tërë mall, a thua sikur nuk ishim takuar vetëm 24 orë të shkuara. Por emri, ajo që ky njeri ka dhënë në jetë, më bën t’i përulem me respekt dhe të ndjej krenari. Kur krijohet një vlerë në qytet, cilido që mund të jetë ky, krenaria është e përbashkët sepse ndërtohet simbolika, e veçanta që ajo të mbetet gjithnjë në mëndje.
Duke qenë gjithnjë në komunikim me të, mbase nuk isha menduar gjatë, që një ditë duhej deomos të ngjyeja penën për t’i dhënë ngacmim krijimtarisë time publiçistike. Kështu gjykova do të jem i detyruar, për t’i bërë nder së pari profesionit tim dhe së dyti, për atë që ky njeri është skalitur në historinë e qytetit tonë të përbashkët Durrësit.
Detyrimi edhe më i ndjerë dhe më i gjërë, lidhet edhe në respekt të lexuesit. Kur ia thashë idenë e një shkrimi për të, Lluka Priftit më surprizoi për mënyrën se si reagoi: “Të falenderoj me gjithë shpirt! Shiko se mos ka të tjerë, që e meritojnë t’u kushtosh vëmëndje. Ne takohemi për ditë dhe le të jetë ky portreti që më kushton mua”.

Pse shkrimi mori këtë titull
Pasi ia mbusha mëndjen Lluka Priftit, se duhej më në fund të shkruaja për të edhe si autokritikë për boshllëkun që kisha krijuar në punën time, filluam të rrëmojmë në librin e kujtesës. Faktet dhe fotot që po vështronim, na e sollën të freskët kohën kur ky mësues profesionist i matematikës, kishte kulminacionet në sportin e volejbollit.
Bashkëbiseduesi kur fliste për shokët, për vitet, për ngjarjet pikante sportive, fytyra i çelej dhe i sillte diell në shpirtin. Teksa tregonte në mënyrë tërhqesë dhe befasuese, vëmëndja e profesionit më kapi një detaj, vlerat e të cilit i mata me titullin e shkrimit. Nga ndeshjet e karrierës zhvilluar në Vlorë, kur kundërshtari nuk merrte frymë nga goditjet e pafundme të Lluka Priftit, dikush nga turma bërtet: Ky është Brumeli i volejbollit. Rusi Valeri Brumel, ishte kampioni i botës në vitet 60-të në kërcimin së larti. Detaj i gjetur, plot lëng e figuracion.
Bashkim Taga nuk u gabua
Kur bie rasti kur kujton, se Lluka është i ditëlindjes 18 tetor 1940, i thua me shaka:
”Paske lindur në ditët e udhëheqësve të vëndit”.
Qeshim së bashku. Por në një gjë nuk besoj se gaboj: Lluka Prifti mbeti deri në fund të karrierës, udhëheqësi sportiv i rrjetës. Gjimnazi “16 Shtatori” është me histori. Është vlerë kulturore dhe arsimore në Durrës. Por kur mëson, se Lluka Priftit iu ngacmua dëshira për volejbollin pikërisht në këtë shkollë, atëherë ska pse të mos e etiketosh “16 Shtatorin” edhe si udhërrëfyese sportive.
Prekem ndjeshëm, sa herë që dëgjoj emrin e Bashkim Tagës. Jo thjesht për vuajtjet dhe padrejtësitë që i kanë bërë, por për madhështinë e dinjitetit si njeri, për erudicionin dhe personalitetitn e padiskutueshëm, që kishte krijuar në sportet e lojrave.
Me cilësinë e mësuesit të fizkulturës, nuk kishte se si të gabonte ky gjigand i topit të lojrave në rastin e Lluka Priftit.
“Djalosh, i tha një ditë Bashkim Taga bashkëbiseduesit tonë të tanishëm, do të shkosh të fillosh volejbollin. Ti ke lindur për këtë sport dhe shikoj tek ty cilësi të rralla”.
Dhe kryemjeshtri nuk u gabua, siç nuk është gabuar në dhjetra e dhjetra raste analoge. Dhe koha kur Bashkim Taga “urdhëroi” Lluka Priftin të niste “shkollën” e volejbollit, ishte viti 1956.

Si u krijua kleçka në biografi
Në volejboll Lluka Prifti, do të kthehej në njeri publik, i kërkuar nga masat e gjëra të qytetarëve durrsakë. Por kjo do t’i hapte punë krejt papritur. Ashtu ishin kohët. Biografia ishte ushqimi më i mirë për atë sistem absurd, duke e kthyer në viktimë popullin e vet. Sa më shumë rrëmonte Lluka Prifti në të fshehtat e volejbollit, aq më shumë gërrmohej në biografinë e tij.
Në kulminacione të ecurisë sportive, kjo dreq “njolle” artificiale biografike do ta mundonte djaloshin, do ta dëshpëronte në shpirt duke mos u ndjerë i qetë tërë kohën e pranverës sportive që po kalonte.
-Tek të rinjtë, gjeta ambjent të mirë pune. Por mbi të gjitha isha me fat, se trajneri i ekipit ishte Ramazan Njala. Ai luante me të rriturit, por merrej edhe me të rinjtë. Brenda vitit, “gradohem” një shkallë më lart dhe arrij “moshën” e të rriturve. Madje bëhem edhe kapiten skuadre. Me të rriturit në atë kohë kur shkova, isha në vitin e tretë të gjimnazit. Gjeta Krenar Golashin, Lefter Muzinën, Myzafer Averikun, Rudolf Kokën, Naun Llazon, Besnik Kejën, Omir Vokopolën, Aleksandër Gorean, Napolon Llallën, Gaqo Dushnikun, Met Kthupin etj.
Kështu fillon të ngasë bisedën Lluka. Kujton që ishte në tre nxënësit më të mirë të gjimnazit dhe perspektiva i trokiste në degë të preferuara për kohën. Por ja që krejt papritur mëson, se i imponohet të studiojë në inxhinjerinë topografike. Dhe për herë të parë ndjen ti shfaqet”njolla” në biografi. A do të shkonte në shkollë siç veproj i talentuari Gani Gorana, apo do të ndiqte sportin? Por ja që dega notonte në ujrat biografike dhe për dreq punët filluan të ngatërroheshin.
Çfarë ishte kjo biografi? e pyes titullarin e “Lokomotivës” së atëhershme Lluka Priftin.
-Gjëra të kota, miku im. Sebep sipas tyre qe bërë xhaxhai Dhimo Prifti. Ne kemi ardhë në Durrës nga Përmeti, që në kohën e luftës. Dhe ai u burgos në 46-tën. Në fakt mbiemri i jonë është Avrami dhe në funksion të fesë u bë Papavrami.
Duke qenë të lirë në ndryshimin e mbiemrave, u adaptua në Prifti. Ky Dhimo Prifti ishte patriot i flaktë. La shoqërinë “Vatra” në Amerikë dhe erdhi në atdhe. Është plagosur edhe në luftën e Vlorës. Që në 44-trën ishte për pluralizmin.
Befasues është fakti, se në Odriçan, në ditët që qe mbledhur Kongresi i Përmetit konsulli amerikan kërkoi që Dhimo Prifti së bashku me të bijën Afërdita, të ktheheshin në Amerikë si nënshtetas amerikanë.
E dini se cila ishte përgjigja e Dhimos? Do të qendroj këtu sepse Atdheu ka nevojë për ne. Dhe njerëzve të ditur, komunizmi i nxirrte “ujët e zi”.
Dhe burgu i Dhimos u bë “burg” edhe për mua, për jetën time, duke m’u shfaqur hera herës në momente kyçe të karrierës sportive dhe të punës.

Përse Prifti e respektonte dhe e kujton Petrit Dumen?
Sporti do t’ia lidhte ngushtë jetën me gjeneralin e famshëm Petrit Dume. Lluka nuk e heq nga goja këtë njeri të ndjeshëm, ndaj halleve të ushtarëve sportistë. E trajton veten me fat, që pati mbështetjen e gjeneral Petritit. Muharrem Kokomani e mori papritur ushtar në garnizonin e Gjirokastrës. Fama e Lluka Priftit, po rritej dita ditës. Teksa ndërton ekipin e volejbollit të repartit dhe del fitues në spartakiadën e ushtrisë, për aftësitë dhe talentin e tij, urdhërohet nga Petrit Dume të bëhet pjesë e “Partizanit”.
Ishte Petrit Dume që del garant për Lluka Priftin të shkoj në Kinë dhe më pas të marrë pjësë në kampionatin botëror organizuar në Moskë në tetor të vitit 1962. Vjen në Durrës dhe i bashkohet njërit prej brezave më të artë të volejbollit. Lluka Prifti dallon për karakter gare edhe kur ndeshjen miqësore ndërmjet “Partizanit” dhe “Lokomotivës” e ndiqnin në shkollën “Skëndërbej” 10 gjeneralë të njohur të ministrisë së mbrojtjes. Loja ka vetëm një protagonist. Dhe ky është Mjeshtri i Sportit Lluka Prifti.
-Po ku të falnin gjeneralët. Urdhërojnë: rivisheni ushtar këtë djalë, se na mori shpirtin në lojë. I jam lutur me lot në sy Petrit Dumës, teksa i dola para zyrave të tij, të më ndihmonte dhe të më linte në Durrës pranë familjes, miqve dhe shokëve. Kam fluturuar kur në çast më tha: të kam liruar! Fluturova nga gëzimi dhe krejt pa dashur shqiptova më zë të lartë- rrofsh gjeneral Petriti!
Rasti i parë që Petrit Dume ishte përkrah meje, ndodhi kur Besim Fagu Shef klubit “Partizani” na tha se vitin e ri do ta bëjmë së bashku në klub. Mos mor thashë, ç’më gjeti! Një ditë nga fundi i vitit 1962, na thanë se ju kërkojnë në palestrën “Studenti”. Petrit Dume me shumë gjeneralë priste të luanin basketboll me ne. Por ai fitonte gjithnjë.
Mbaj mënd se së bashku me Petrit Murzakun dhe Met Kthupin, e mundim ekipin e tij. Përfituam nga rasti dhe i kërkuam leje, për të festuar vitin e ri në shtëpi. Dhe urdhëroi dy javë leje. Besim Fagu edhe ky një burrë i mirë dhe i respektuar, e kuptoi që e kishim marrë “kalanë nga brenda” dhe qeshëm së bashku.
Dhe rasti i tretë që Petrit Dume ma bëri “borxh” me zemërgjërësinë e tij, është kur zhvilluam ndeshje miqësore “Lokomotiva” me “Partizanin”. Sapo isha liruar nga ushtria. Më shumë në ndeshje kishte gjeneralë sesa spektatorë. Fituam 3-1 dhe kjo ishte surpriza më e madhe që i bëhej atyre. Sapo mbaroi ndeshja, me vjen një ushtarak me emrin Alush Abdihoxha. Dhe më thotë: jeni i mobilizuar në ushtri. U planifikovë në marinën luftarake 4 vjet. Ekipi kthehet në Durrës, unë shkoj në grupi “Partizani”.
Mezi kam pritur të zbardhë dita. U takova me Petrit Dumen dhe i thashë më kanë marrë përsëri ushtar. Të lutem më lejo të iki në shtëpi. Dhe me atë burrërinë e tij dhe zemërdhësinë që e kishte më tha: je i liruar!
Qendrova pranë “Partizanit” në kohën kur shkova të studioja për matematikë fizikë në Tiranë. Sa të kem jetë do ta kujtoj gjeneral Dumen, si njeri që ndihmoi zhvillimin dhe përparimin e sporteve dhe ndikoi në karrierën e pasur të dhjetra sportistëve në klubin Partizani”.

Kulmi arrihet në botërorin e Moskës
Djaloshi i dikurshëm i “16 Shtatorit”, produkt i vëmëndjes mjeshtërore të të paharruarit Bashkim Tag, kaloi karriere për t’ia patur zili. Përparimi në klubet e “Lokomotivës” dhe “Partizanit”, nuk ndahej edhe nga prezenca në ekipin përfaqësues. Krahas emrave të mëdhenj të volejbollit të kohës si Petrit Murzaku, Masar Aga, Pëllumb Pelivani, Fatmir Meka, i tillë bëhet edhe Prifti duke nisur me “Lokomotivën” dhe më pas emri i kaloj kufijtë e qytetit.
Lluka Prifti tregoi nivel të lartë organizimi, falë ambicjes, pasionit dhe karakterit të papërkulur të garës. I kishte vënë vetes detyrë, të bëhej lojtar cilësor dhe përgatitja fizike dhe teknike, argumentoheshin me treguesit e avancuar të kohës. Kulmin arriti kur ekipi i Lluka Priftit që përfaqësonte Gjirokastrën, u “përplas” me MKA-në (Mbrojtja kundërajrore). Tek MKA-ja luani tri vëllezërit Aga – Masari, Meti dhe Suti. Ndeshja u zhvillua në parkun “Studenti”. Ekipi i Priftit fitoi 3-1.
Pertrit Dume u bë tifoz personal me durrsakun Lluka Prifti dhe që aty i tha:
“Djalë nuk të lëmë të ikësh më, do të jesh i yni, me “Partizanin”.
Dhe këtu do të krijohej respekti i ndjeshëm i Llukës, me gjenaralin e “sporteve”Petrit Dumen. Nga garnizoni i Gjirokastrës në Tiranë me “Partizanin” dhe prej andej në Kinë dhe në kampionatin botëror të Moskës.
Këto kulme ka ndjekur talenti i Lluka Priftit, pa diskutim nga emrat më të mëdhenj të volejbollit durrsak dhe atij shqiptar. Çdo durrsak duhet ta ketë për mburrje, që i ka përfaqësuar interesat e tyre jo vetëm sportive, por edhe morale, qytetare, kulturore dhe vizionare një kalibër i përmasave si Lluka Prifti.
Të rrëmosh në biografinë sportive të Priftit, ndeshesh me klube të njohura europiane si “Traktori” i Bukureshtit, “Dukla” e Kolinit Pragë, “Lokomotiva” e Mishlostit Budapest, përfaqësuesja e Kinës, ekipi i Kantonit Kinë, duke kulmuar me 13 takime ndërkombëtare të botërorit moskovit të 62-shit. Shqipëria u rendit në vendin e 14-të, duke mundur mjaft përfaqësuese si Austrinë, Finlandën, Izraelin, Hollandën etj. Kjo është edhe meritë e padiskutueshme e volejbollistit nga Durrësi Lluka Prifti.
Ndodhi që në një ndeshje të “Partizanit” me ekipin përfaqësues të Kinës, kohëzgjatja të shkonte në limite të pabesueshme: 3orë e 35 minuta. Dy pikët përcaktuese të fitores, i shënoi Lluka Prifti. 80 ndeshje ndërkombëtarë dhe në kushtet e izolimit të plotë të Shqipërisë, janë argument më i mirë i klasit të lartë të volejbollit që zotëronte Lluka Prifti.

Dashuria e pakonkurueshme për Durrësin e tij
Mina Sava, komisar i klubit “Partizani” në ditët kur Lluka do të lirohej i thotë:
-Kemi urdhër nga Petrit Dume, që do të vishesh kapter për të qëndruar pranë nesh. Më bën përshtypje një dukuri e veçantë: për Panajot Panon më ka thënë vetëm njëherë që të vishet kapter dhe të qëndrojë në klubin “Partizani”, ndërsa për ty i drejtohet Llukës, më ka thënë 6 herë deri tani. Të don shumë jo vetëm si sportist, por edhe si njeri që nuk i ndjehet zëri. Prandaj shikoje njëherë.
Menjëherë vjen reagimi i djaloshit durrsak, i cili tregon dashuri të pakufishme për qytetin e lindjes, për familjen, për miqtë dhe shokët.
I thotë Mina Savës:
-Falenderoje shumë general Petritin për konsideratat. Por më duhet të jem në qytetin tim, aty ku edhe e nisa rrugën e volejbollit. Jam i gatshëm që të jap ndihmesën time, kur do ta kërkojnë nevojat e “Partizanit”. Dhe në fakt kur shkova të studjoja në Tiranë, u ktheva sërish tek “Partizani”, për klubin e të cilit ruaj kujtime të bukura, mbresa të pashlyeshme, pasi aty m’u krijuan mundësi për të thelluar mjeshtrinë sportive”.
Ishte dhjetori i vitit 1962. Së bashku me një grup volejbollistësh pasionantë të “Lokomotivës”, Lluka Prifti tronditi një qytet të tërë, më cilësinë e volejbollit që manifestonte, duke mbetur shuteri kryesor i ekipit dhe ku luante vazhdimisht në pozicionin 4. Fuqia e gjuajtjeve të Lluka Priftit kanë qenë të tmerrshme. Godiste mbi rrjetë duke patur kërcim prej 1.05 m, ndërsa në prekje lartësie kërcyeshmëria e tij fiksohej në 3.25 m.
“Lokomotiva” e Lluka Priftit në vitin 1963, bëri kërdinë mbi kundërshtarët. Gjunjëzoi ekipet më të mira të Shqipërisë si “Partizani”, “Dinamo”, “Tirana” dhe “Vllaznia” dhe i bënë të “hanin dhe” në truallin e parkut të magjishëm “Nako Spiro”. Edhe tribunat prej dërrase, janë thyer nga mbi kapaciteti imbingarkuar. Një popull i tërë e përkundi mbi supet këta magjistarë të topit të volej-it, që i dhanë nder e krenari qytetit të Durrësit, për të cilin Lluka Prifti nuk e ndërron me asnjë qytet tjetër.
Për hir të dashurisë për të, braktisi interesa dhe privilegje që iu ofruan nga klubet “Partizani”, “Dinamo”, por edhe “Studenti”. Në këmbim të kalimit tek këto ekipe i ofrohej Priftit vendi i pedagogut, por edhe banesë etj.etj.
Teksa flitnim për historinë e volejbollit të qytetit të lindjes, Lluka Prifti qante si fëmijë, veçanërisht kur më ofron dy fotografi: Njëra është e vitit 1957. Kur shkuan për të luajtur një ndeshje, janë ndalur rrugës. Është fiksuar një foto shumë e përmallshme, prekëse. Janë aty krahas Llukës, Ramazan Njala, Omir Vokopola, Naun Llazo, Napolon Llalla, Besnik Keja, Krenar Golashi dhe Aleksandër Gorea.
Me përjashtim të heroit të shkrimit tonë, shtatë të tjerët nuk jetojnë. O nëne, çfarë emocionesh, ku nostalgjia vinte e fuqishme dhe ta çante zemrën! Ndërsa në foton tjetër është përfshirë 6-shja e ekipit kampion të “Lokomotivës” –maj 1963. Përqendrohemi në portretet e Napolon Llallës, Met Kthupit, Daniel Priftit, Aleksandër Goresë, Krenar Golashit dhe Llukës tonë.
Eh, jeta kjo është! Tani janë futur në “lojë” kujtimet. “Lokomotiva” kampione, e detyroi opinionin sportiv shqiptar të votonte atë vit Lluka Priftin, ndër fituesit e anketës 10 sportistët më të mirë të vitit për Shqipërinë.

Familja
Familja është tjetër pjesë e artë e Lluka Priftit. Kur punon si mësues matematike në shkollën 8-vjeçare “29 Nëntori”, njihet më një vajzë simpatike nga Durrësi. Është nga fisi i njohur Turku. Të pjekur në jetë, Lluka dhe Drita njihen dhe vendosën të krijonin familje mbi bazë të dashurisë dhe respektit reciprok. Ishte viti 1974.
Drita Turku kishte mbaruar histori- gjeografi – fizkulturë. Çifti Prifti është gëzuar me lindjen e tre fëmijve. Vajza Luela Prifti, është intelektuale e njohur.
-Mbase ndonjëherë Bujar, ka një kërkesë në formë lutje Lluka Prifti, mund të shkruani për Loretën, jo thjesht se është vajza ime por punon për të evidentuar edhe aftësitë intelektuale të shoqërisë durrsake.
Djali Loritanështë aktiv në përditshmërin ë e punëve.. Është inxhinjer. Ka mbaruar edhe juridikun. Është me master ndërkombëtar, pasi qendroi për një vit pranë universitetit të njohur të Triestes për inxhinjer kartografik. Fëmija i tretë Iliri, prej vitesh përfundoi studimet në akademinë e kulturës fizike e sportive në Tiranë. Krahas ushtrimit të profesionit, zotëron edhe zanatin e fizioterapistit.
-Kjo është familja ime, shpjegon Lluka Prifti, me kërkesa për jetën dhe shoqërinë. Jam i lumtur që kami edukuar këta fëmijë dhe së bashku përbëjnë një familje të denjë dhe safi durrsake. Kjo vërtet është gjë e madhe.
“Parketi” duhet ti kthejë respektin
Mbase duke qenë shumë i ri, kur Lluka Prifti shkruante historinë më të denjë të volejbollit durrsak, për kuriozitet e pyeta: është bërë ndonjë ceremoni madhështore kur je larguar nga volejbolli?
Por nuk ishte ashtu. Sikur më ra tavani mbi krye, kur Lluka Prifti u ndal pak dhe bëri një ofshamë të thellë. Ai burrë që më kishte qarë si fëmijë gjatë bisedës tonë, kur kujtonte shokët të cilët nuk jetojnë, kohët e bukura të volejbollit të Durrësit me zë që ngjasonte më shumë si ngashërim më tregoi:
-Miku im, çtë them!. Edhe tani e kam peng, ja këtu (dhe i bie dy tri herë pjesës së gjoksit ku është zemra). Më thërret Krenar Golashi dhe më thotë Lluka jam unë trajneri i ekipit dhe do të bëjmë stërvitje bashkë. Mua s’më ishte komunikuar asnjë shkarkim. Një lojtar i përmasave të tilla, siç kisha qenë unë në jetën sportive, me një dashuri ta pakufi për qytetin tim duke flakur edhe privilegjet që më ofruan, të kisha një fund të tillë.
Në shenjë fyerje u detyrova të largohem nga volejbolli, sporti i rinisë dhe ëndrrave të mia. Asnjë reagim nga klubi. Madje më erdhi haberi të shkoja edhe në Draç të Ishmit. Çfarë po bëhej kështu? Biografia mendova po më ngacmon përsëri, apo xhelozi profesionale dhe konkurencë aftësish.
U desh ndërhyrja e Vasil Nakuçit, që të qendroja dy vjet në Maminas e të kthehesha sërish në Durrës. Më tej Lluka Prifti me interesimin e Mustafa Çelkupës, aso kohë kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të rrethit të Durrësit, ofrohet në klubin sportive me detyrën e inspektorit. Me interesimin e tij filloi të marrë hov puna shkencore në sport.
“Pa shkencë, nuk ka sport të përparuar”është deviza e Lluka Priftit dhe ai u përpoq ta manifestonte. Në çast ide e menjëhershme më mpiu mëndjen. Ashtu si shumë pasaktësi dhe absurditete që kanë ndodhur për shumë shkaqe në sistemin e kaluar edhe mungesa e ceremonisë së Lluka Priftit është shansi më i keq i ofruar, që duhet të bëjë të ulin kryet ato që e përgatitën këtë gabim. Atëhere si mund të lahet?
Kur të krijohet rasti në një ndeshje të rëndësishme, të bëhet ceremoni festive dhe ku Lluka Prifti, fanelën me numurin 5 t’ia dorëzojë një talenti të ri. Do të ishte shumë frymëzuese dhe do të vihesh në vend, nga mangësitë më të pashembullta në praktikën e klubit sportiv “Teuta”.

Përfundimi
Kaloj për çdo mëngjes nga rruga pranë parkut sportiv “Nako Spiro”. Përballë këtij parku qendron me shikimin drejt tij një njeri 85-së vjeçar. Është “Mjeshtër i merituar”, “Nderi i Sportit Kombëtar”, “Nderi i Qytetit të Durrësit”.
Është ai njeri që sa qe në krye të volejbollit durrsak, u interesua të vendoste të renë në këtë sport: si shutimi nga vija e dytë, lëvizjet mashtruese në vijën e parë pranë rrjetës, gjuajtjet në topat e shkurtër, shërbimi valvitës tip tajfun dhe që gjithë kohën punoi me moton: talenti të udhëheq, ndërsa vullneti të nxit të arrish rezultate.
Çfarë kërkon ky njeri i mirë? Asgjë veçse respekt dhe mirënjohje. Vlerësim më të ndjerë për atë që ka bërë. Një mendim, një ftesë, një mbresë, e një kujtim. Ky njeri vështron pikërisht nga ai park, që është historia e madhe e volejbollit durrsak, të atij volejbolli që ai u përkujdes për ta rritur si nëna fëmijën.
Faleminderit Lluka Prifti! Gëzuar 85 –së vjetorin e lindjes!