Letër e hapur për Altin Dumanin

Nga Meri Lika

I nderuar z. Dumani!

Nëse dje do të kisha qenë në atë sallën ku ju raportuat, e ku përballë kishit intelektualin, por në të njëjtën kohë dhe analfabetin, ku përballë kishit përfaqësues të popullit, por edhe përfaqëuses të krimit, ku përballë kishit edhe atë që iu do e iu adhuron, por edhe atë që iu urren dhe përçmon, pra nëse do të isha përballë jush dje do t’iu kisha drejtuar disa pyetje si qytetar i thjeshtë i kësaj Republike të vockël e shumë problematike.

Do të mundohesha, me sa të mundja, t’i qëndroja larg boshtit politik, dhe ti rrija besnik boshtit të një prindi që do më të mirën për të ardhmen e fëmijës së tij dhe boshtit të profesionistit që do më të mirën për profesionin e tij.

Nëse dje unë do të isha përballë jush z. Dumani nuk do të përdorja emra të përveçëm, por do t’i drejtohesha procedurës dhe ligjit.

Nëse dje do të isha përballë jush pyetjet e mia do të ishin pak a shumë këto:

¾ I nderuar z. Dumani, kam nevojë të di nga ju, se cilën procedurë prokurimi ka hetuar SPAK që prej zanafillës së saj dhe deri në përfundim? Me këtë nënkuptoj hetim të procedurës që në hedhjen e idesë, më pas aprovimin e saj, hartimin e kostove, krahasimin e kostove me çmimet e tregut, mënyrën e zhvillimit e tenderit, plotësimin e kritereve nga fituesi/t, kontrollin e plotësimit të kushteve nga kandidatët e eleminuar, realizimin e projektit, si është bërë supervizimi dhe në fund cilësinë e projektit.

¾ I nderurar z.Dumani, kam nevojë të di nga ju, se për cilin nga tenderat dhe konçensionet keni ndjekur paranë deri tek përfituesi fundor duke hetuar palët e lidhura apo kontraktorët më domethënës?

¾ I nderuar z.Dumani, kam nevojë të di nga ju, nëse ka kryer SPAK ndonjë hetim i cili të përfshijë kriter-plotësuesit e prokurimeve të cilët në fund nuk kryejnë asnjë proces të tenderit të fituar, por menjëherë pas dhënies së emrit për plotësimin e kritereve, marrin tendera dhe fonde publike, si subjekte të vetme, nga autoriteti kontraktor i tenderit ku dhanë emrin për plotësimin e kritereve?

I nderuar z.Dumani, kam nevojë të di nga ju, se sa herë SPAK ka kryer kontroll të kostove për shtrimin e rrugëve? A ka thirrur ndonjëherë SPAK personat përgjegjës për hartimin e tyre? A ka kryer SPAK krahasime të këtyre kostove me kostot e projekteve të ngjashme në rajon dhe në botë?

I nderuar z.Dumani, kam nevojë të di nga ju, a ka hetuar SPAK ndonjë procedurë ligjore (me të nënkuptoj, ligje, akte, vkm, urdhëra, rregullore) për prokurime tenderash dhe konçensionesh, për mënyrën se si janë hartuar dhe aprovuar ato?

I nderuar z.Dumani, kam nevojë të di nga ju, nëse është krim korrupsioni i shtetarëve dhe si klasifikohet ai?

I nderuar z. Dumani, kam nevojë të di nga ju, se sipas SPAK, cilat janë kriteret që duhet të plotësojë një proces i pastër korruptiv në mënyrë që të vlerësohet si grup i strukturuar kriminal?

I nderuar z.Dumani, kam nevojë të di nga ju, nëse SPAK ka marrë ndonjëherë në pyetje, auditues të cilët kanë kanë certifikuar pasqyrat financiare të subjeketeve për të cilat nga hetimet tuaja kanë rezultuar se kanë kryer korrupsion?

Dhe në fund dua t’iu bëj një pyetje për të cilën do të më duhet me patjetër të përdor emra të përveçëm, për një njeri shumë të dashur për mua, për një grua që nuk u dorëzua edhe kur jeta e dorëzoi, për një nënë që gjysmën e shpirit e ka lënë ende në këtë botë për të ndjekur fëmijën e saj që për faj të sistemit të korruptuar e detyroi të rritet pa nënë.

I nderuar z.Dumani, kam nevojë të di nga ju, a ka hetuar SPAK, mjeken Dhurata (më fal që nuk ia di mbiemrin) në pavionin e Onkologjikut e cila sipas dëshmisë në vetën e parë të Ina Kasimatit (ajo fatkeqësisht nuk bën dot denocim se ka ndërruar jetë) nuk i dha terapinë sipas protokollit, por e kuroi për 8 muaj vetëm me njërin prej ilaçeve të protokollit sepse Zoladexin mungonte dhe nuk e informoi pacienten për këtë mungesë? A ka SPAK detyrën ligjore t’i kthej një përgjigje djalit 12 vjeçar të Ina Kasimatit për fajtorët se përse ai sot rritet pa nënë?

Ndoshta mund të kisha më shumë pyetje, i nderuar z.Dumani, por pas seancës së gjatë të ditës së djeshme mendoj se më mjaftojnë për të kuptuar dhe vlerësuar punën tuaj dhe të SPAK.

Ju nuk keni detyrim ligjor që t’i raportoni një qytetari të thjeshtë dhe në këto kushte unë e kuptoj nëse kjo letër nuk merr asnjë përgjigje nga ju.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kriza e fshehur nis tani

  Nga Klevis Elezi ,Politolog Rritja e çmimeve të naftës nuk...

Mediat: SHBA-ja dhe Irani diskutojnë për armëpushimin 45-ditor, shanse të vogla për marrëveshje brenda 48 orëve

Negociatat prapa skenave për një armëpushim të mundshëm 45-ditor...

Historia si art, një përvojë ndryshe në shkollën artistike “Onufri”

Historia mori jetë në klasat e 10-ta të shkollës...

Irani ngre alarmin për tregtinë botërore, në shënjestër korridoret detare

Irani ka lëshuar një paralajmërim të fortë për ndërprerje...