Skenaret për fazën “play-off” do të jenë dramë më vete për Shqipërinë dhe kombëtaret e tjera, që pretendojnë të marrin pjesë. E gjithë “lufta” në fjalë nuk qëndron vetëm për ta mbyllur si i dyti në grup, por edhe për të qenë pjesë e dy vazove të para si skuadër favorite. Ndarja në vazo varet nga renditja e FIFA-s pas ndeshjeve të nëntorit.
Më konkretisht bëhet fjalë për ndeshjen gjysmëfinale, që shorti të rezervojë një rival më të lehtë në letër. “Panorama Sport” iu sjell vetëm një rast se si Sllovakia bën tifo për Shqipërinë, ndërsa kuqezinjtë për rivalët e sllovakëve në Grupin A. Pikërisht Irlandën e Veriut.
Sllovakia nuk do të donte që Serbia ta mbyllte si e dyta në Grupin K. Kjo pasi do të kalonte vetë në vazon e tretë, ndërsa aktualisht është tek e dyta. Ndarja në tre vazot e para është falë renditjes së FIFA-s dhe Serbia do të mbante vendin e parë në vazon e dytë.
Shqipëria ndërkohë, është e para në vazon e tretë, ndërsa do t’i bënte punë që në Grupin A ku është Sllovakia ta mbyllë Irlanda e Veriut si vend i dytë. Llogari këto që vlejnë, nëse situata në grupet e tjera nuk ndryshon.
Kështu nëse situata në grupet e tjera nuk do ndryshonte, dhe po ashtu Shqipëria dhe Irlanda e Veriut do e mbyllnin si vende të dyta, atëherë kuqezinjtë automatikisht do kalonin në vazon e dytë. Përfaqësueset që aktualisht do të pozicionoheshin në vazon e dytë, janë shumë më mirë se Shqipëria në renditje e FIFA-s. Bëhet fjalë për Hungarinë, Skoçinë, Çekinë dhe Sllovakinë si rastin në fjalë.
SITUATA E PLAY-OFF PAS NDESHJEVE TË RAUNDIT TË 8
VAZO 1: Itali, Turqi, Ukrainë, Poloni
VAZO 2: Hungari, Skoci, Çeki, Sllovaki
VAZO 3: Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë
VAZO 4: Uells, Rumani, Suedi, Irlandë e Veriut