Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i proceduar dhe akuzuar nga SPAK për dosjet e inceneratorëve, ka depozituar një kërkesë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për lirimin e menjëhershëm dhe shuarjen e masës së sigurimit. Koka argumenton se ka kaluar afati trevjeçar i paraburgimit për inceneratorin e Fierit.
Bazuar në nenin 263, pika 6/Ç të Kodit të Procedurës Penale, GJKKO ka vendosur të shtyjë vendimmarrjen për këtë kërkesë më 24 tetor.
Në korrik të këtij viti, ish-ministri kishte fituar të drejtën e lirimit me kusht nga Gjykata e Durrësit për inceneratorin e Elbasanit, ku u dënua me 6 vite e 8 muaj burg në gjykim të shkurtuar. Sipas vendimit të gjyqtarit Xhevdet Lika, për pjesën e mbetur të dënimit, Koka duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepra të tjera penale.
Megjithatë, Koka është i dënuar edhe për dy dosje të tjera të inceneratorëve: Fierin (i kthyer për rigjykim në Apelin e GJKKO nga Gjykata e Lartë) dhe Tiranën (i cili nuk ka marrë ende formë të prerë).
Për Fierin, në shkallën e parë të GJKKO, Lefter Koka është dënuar me 6.8 vite burg, ndërsa për Tiranën me 2 vite burg në gjykim të shkurtuar. Për këtë të fundit, Koka pretendon se ka ezauruar dënimin duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, referuar nenit 261, pika 1/Ç të Kodit të Procedurës Penale, që parashikon shuarjen e masës së sigurisë.