Profesoresha dhe filozofja e njohur shqiptare, Lea Ypi, pedagoge në London School of Economics, është nderuar me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ceremonia solemne u zhvillua në mjediset e universitetit, në prani të anëtarëve të Senatit Akademik, pedagogëve, studentëve, familjarëve të saj, si dhe përfaqësuesve të jetës publike dhe politike.
Gjatë ceremonisë u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i Lea Ypit në fushën e filozofisë politike, mendimit kritik dhe debatit akademik ndërkombëtar, si dhe roli i saj në promovimin e vlerave demokratike, lirisë dhe drejtësisë shoqërore. Universiteti theksoi se ky titull përfaqëson një nderim për një figurë që ka arritur sukses të lartë në arenën akademike globale, duke ruajtur njëkohësisht lidhje të forta intelektuale dhe morale me Shqipërinë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Lea Ypi falënderoi Universitetin “Aleksandër Moisiu” për vlerësimin, duke e cilësuar atë si një moment të veçantë personal dhe profesional. Ajo nënvizoi rëndësinë e arsimit dhe mendimit kritik, si dhe rolin e universiteteve si hapësira lirie, reflektimi dhe formimi qytetar në shoqëritë moderne.
“Është titulli më kuptimplotë dhe më i vështiri për t’u mbajtur. Më kuptimplotë sepse të kthehesh aty ku ke rrënjët do të thotë të afrohesh shumë pranë burimit të vetes, sa ndonjëherë bëhet edhe e frikshme,” u shpreh ajo.
Kush është Lea Ypi
Lea Ypi është një nga filozofet dhe akademiket shqiptare më të njohura në arenën ndërkombëtare. Ajo mban postin e profesoreshës së Teorisë Politike në London School of Economics dhe ka përfunduar studime në filozofi dhe shkenca politike. Kontributi i saj akademik shtrihet në fusha si drejtësia sociale, demokracia, nacionalizmi dhe liberalizmi.
Ypi është autore e disa veprave të rëndësishme shkencore, si dhe e librit autobiografik “Free: Coming of Age at the End of History”, i cili është vlerësuar gjerësisht nga kritika ndërkombëtare dhe është përkthyer në shumë gjuhë. Përmes punës së saj akademike dhe angazhimit publik, ajo është renditur ndër zërat më të respektuar të mendimit kritik bashkëkohor në Evropë.

