LAJMI I FUNDIT :Shuhet në moshën 91 vjeç, Ismet Bellova ,zëri legjendar i komentatorit sportiv të transmetimit të ndeshjeve të futbollit në Radio Tirana

 

 

Gazetaria sportive shqiptare humbi një nga figurat e saj më madhore. Afër mesnatës së 20 dhjetorit u shua në moshën 91 vjeç Ismet Bellova, legjenda e mikrofonit, gazetari, komentatori dhe publicisti i rrallë, zëri i të cilit u bë pjesë e pandashme e historisë së sportit dhe medias shqiptare.

Kushdo që e ka dëgjuar ndonjëherë, vështirë të mos jetë drithëruar nga vibrimet melodioze të zërit bellovian ,vështirë të mos jetë emocionuar deri në përlotje dhe vështirë të mos i jetë rritur adrenalina e krenarisë dhe atdhedashurisë. Zëri i tij kumbues dhe timbri i veçantë tashmë do të dëgjohen vetëm në fonotekën e Radio Tiranës dhe në arkivat sportive të RTSH, por jehona e tij do të jetojë përgjithmonë në kujtesën e miliona shqiptarëve.

Me largimin e Ismet Bellovës, gazetaria sportive shqiptare humbi jo vetëm një profesionist të jashtëzakonshëm, por një pasuri kombëtare, një vlerë të rrallë radiofonike dhe një shkollë të vërtetë të gazetarisë sportive, nga e cila u formuan e u frymëzuan breza të tërë.

Personaliteti i tij madhor dëshmohet edhe nga vlerësimet e shumta që mori gjatë jetës: “Mësues i Popullit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, Urdhri i Punës i Klasit të Parë, si dhe disa çmime e tituj nderi, deri te “Mirënjohja e Tiranës”. Por rruga drejt këtyre majave nuk ishte aspak e lehtë.

Karriera e tij nisi si mësues në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Ende shumë i ri në moshë, u caktua kryetar i Komitetit të Fizkulturës dhe Sporteve në Qarkun e Dibrës, ku me aftësitë, seriozitetin dhe vizionin e tij u bë prekursor i mobilizimit për kapërcimin e mungesave dhe vështirësive të mëdha të kohës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Më pas, shërbeu për një dekadë si mësues në shkollën e mesme të lavdishme “Skënderbej”, për të vijuar më tej në “Politeknikumin 7 Nëntori”, një tjetër institucion me tradita të forta edhe në sport, ku punoi për dymbëdhjetë vjet të tjera.

Kjo periudhë konsiderohet apogjeu i tij pedagogjik, koha më shkëlqimtare e karrierës, aty ku puna fisnike u shndërrua në kënaqësi të madhe, ashtu siç do ta përkufizonte filozofi Artur Shopenhauer. I pajisur tashmë me eksperiencën e vyer të Dibrës, Korçës ku kreu shërbimin ushtarak dhe Elbasanit, Ismet Bellova organizoi me përkushtim paraqitjen e ekipeve në spartakiadat kombëtare dhe drejtoi me sukses ekipin e atletikës së sport-klubit “Partizani”. Ai u emërua kryetrainer i ekipeve të atletikës, një rol që u kurorëzua me rekorde të shumta dhe fitime titujsh kampionë.

Në fillim të viteve ’60, profesor Ismeti kishte fituar autoritetin e një njeriu jashtëzakonisht të dashur, të aftë dhe punëtori të palodhur. Fjala e tij dëgjohej me të njëjtin respekt si nga nxënësit, ashtu edhe nga kolegët dhe eprorët. Por ky autoritet nuk krijonte distancë ,përkundrazi, ai dinte të fitonte zemrat e nxënësve, të hynte në botën e tyre të brendshme dhe në ëndrrat e tyre. Me mençuri dhe kulturë të gjerë, ai përcillte jo vetëm dije sportive, por edhe filozofi jete, duke e parë mësuesin si figurën qendrore të shoqërisë.

Pikërisht për këtë arsye, ai ishte një “gjeneral pa spaleta” në profesionin e tij fisnik. Sugjerimet dhe kërkesat e Bellovës merreshin gjithmonë seriozisht dhe mbështeteshin pa rezerva, duke bërë të mundur krijimin e bazës materiale dhe terreneve sportive, ku stërviteshin ekipet elitare të “Partizanit” në futboll, basketboll, volejboll, atletikë, gjimnastikë, boks e sporte të tjera, me një rol të rëndësishëm edhe të sportistëve të dalë nga shkolla “Skënderbej”.

Ora e mësimit me Ismet Bellovën pritej me gëzim të veçantë, sepse më shumë se një mësim, ajo shndërrohej në spektakël, ku gara, aktivizimi maksimal dhe përfitimi shkonin krah për krah. Paralelisht, ai ishte edhe komentatori zyrtar radiofonik dhe gazetari i pandarë i gazetës së dashur për sportdashësit, “Sporti Popullor”, duke sjellë për publikun shqiptar informacion, emocion dhe pasion të pastër sportiv.

Zemra e tij e madhe pushoi së rrahuri, por trashëgimia që la pas është e pavdekshme. Ismet Bellova do të mbetet përjetësisht zëri që edukoi, frymëzoi dhe bashkoi breza të tërë shqiptarësh.

Qofsh i parajsës, profesor Bellova. Emri yt është gdhendur përjetë në historinë e sportit dhe medias shqiptare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...