Kuvendi i Shqipërisë nisi sot në orën 10:00 seancën plenare, e cila vijoi deri në mesnatë me shqyrtimin e projektligjeve dhe projektvendimeve të renditura sipas agjendës dhe më pas votimin e tyre.
Në hapje të seancës, deputetët shqyrtuan Raportin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2024, ku u paraqitën të dhëna mbi performancën institucionale, proceset zgjedhore dhe rekomandimet për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve në vend.
Më tej, Kuvendi kaloi në shqyrtimin e disa projektligjeve, mes të cilave tri nisma që lidhen me financimin e projekteve hekurudhore, me synim rritjen e investimeve në infrastrukturën e transportit dhe modernizimin e rrjetit hekurudhor në Shqipëri.
Deputetët diskutuan gjithashtu edhe projektligje që prekin sektorin energjetik, përfshirë nisma që synojnë përmirësimin e sigurisë energjetike, rritjen e eficiencës dhe harmonizimin me direktivat europiane.
Në seancë u shqyrtua edhe projektligji që fuqizon rolin mbikëqyrës të Kuvendit në procesin e integrimit europian, si dhe projektligji që parashikon përmirësime në funksionimin dhe kompetencat e institucionit të Avokatit të Popullit.
Në rendin e ditës ishin edhe tre projektvendime, ndër të cilat zgjedhja e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka kualifikuar Lefterije Lleshin si kandidaten e vetme që plotëson kriteret dhe kushtet ligjore për këtë pozicion.
Në total, Kuvendi shqyrtoi sot 20 pika të rendit të ditës, prej të cilave 16 projektligje.
Teksa për pikën e Avokatit të Popullit, palët patën dakortësinë, ndryshe ndodhi për projektligjin për disa ndryshime në ligjin “për Rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit në BE”, ku PD paralajmëroi bojkotimin e punimeve të Këshillit Kombëtar të Integrimit.
Adela Xhemaili u zgjodh anëtare e bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe do të jetë Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv.
Lefterije Lleshi Luzi u zgjodh Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil me mandat 5-vjeçar.
Votimi:
1. Projektligji “Për denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me fondacionin Hanns-Seidel”. Pro: 79 Kundër: 0 abstenim: 21
2. Projektligji “Për aderimin në Traktatin e Marrakeshit për akses në veprat e botuara për personat e verbër”. Pro: 100 Kundër: 0 abstenim: 0
3. Projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale”. Pro: 102 Kundër: 0 abstenim: 0
4. Projektligji “Për aderimin në Memorandumin e kontrollit shtetëror portual në Mesdhe”. Pro: 102 Kundër: 0 abstenim: 0
5.Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit BEI për projektin hekurudhor të Korridorit VIII (faza I–Shqipëri)”. Pro: 79 Kundër: 21 abstenim: 0
6.Projektligji “Për ratifikimin e kontratës financiare me BEI për Korridorin VIII”. Pro: 79 Kundër: 21 abstenim: 0
7.Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas me BERZH për seksionin Durrës–Rrogozhinë të Korridorit VIII”. Pro: 79 Kundër: 21 abstenim: 0
8.Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë me BERZH për projektin fotovoltaik solar të KESH”. Pro: 73 Kundër: 22 abstenim: 0
9.Projektligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”. Pro: 79 Kundër: 0 abstenim: 23
10.Projektligji për ndryshime në ligjin “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”. Pro: 78 Kundër: 23 abstenim: 0
11.Projektligji për ndryshime në ligjin “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”. Pro: 79 Kundër: 24 abstenim: 0
12.Projektligji për ndryshime në ligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit në BE”. Pro: 79 Kundër: 23 abstenim: 0
13.Projektligji për ndryshime në ligjin “Për Avokatin e Popullit”. Pro: 101 Kundër: 0 abstenim: 0
14.Projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të AMF, që do të jetë Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv”. Pro: 78 Kundër: 22 abstenim: 2
15.Projektvendimi “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil”. Pro: 79 Kundër: 4 abstenim: 1
16.Projektvendimi “Për ngritjen e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik në Komisionin e Ekonomisë”. Pro: 100 Kundër: 0 abstenim: 0



