Kurthi “Narta” është instrumenti i ri shkencor që do të përdoret për qëllime shkencore në fushën e ornitologjisë, studimit dhe ruajtjes së shpendëve të egër të rendit të “Baltakëve”.
Ky instrument shkencor është krijuar nga Mirjan Topi, i cili po vijon studimet në doktoraturë në degën Biologji në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe pedagogu në këtë fakultet, Ferdinand Bego.
Krijimi i tyre është publikuar edhe në Revistën Shkencore Ndërkombëtare të Studimit të Shpendëve të Rendit të Baltakëve, duke vendosur një pikë referimi për ornitologjinë shqiptare.
Topi ka një përvojë gati 15-vjeçare në fushën e ornitologjisë, si dhe është autor i udhërrëfyesit të parë të plotë të shpendëve të Shqipërisë, i disa librave të tjerë për shpendët, si dhe i shumë artikujve shkencorë në fushën e studimit dhe ruajtjes së shpendëve të egër.
Në një prononcim për ATSH-në, Mirjan Topi, tha se ky nuk është kurthi i parë, i ndërtuar për këtë qëllim pasi autorë të tjerë ndërkombëtarë, kanë krijuar në të kaluarën kurthe të ngjashëm.
Mirëpo, shpjegoi ai, kurth krijon avantazhe të mëdha për sa i përket eficiencës së punës për njësi kohe, mirëqenies së shpendëve gjatë procesit të kapjes dhe studimit, si dhe është i palosshëm dhe i konfigurueshëm në formën e terrenit (pra zë volum të vogël dhe mund të konfigurohet në forma të ndryshme dhe për madhësi të ndryshme shpendësh)”.
“Nëpërmjet këtij instrumenti të ri, çdo kërkues mund të realizojë të njëjtën punë sikundër ka bërë me kurthe të ngjashëm, që ekzistojnë sot në tregun ndërkombëtar të pajisjeve të kërkimit (dhe mund të blihen), por tashmë me resurse shumë më të vogla, financiare, njerëzore dhe kohore, ulet në minimum shqetësimi kundrejt shpendëve dhe shmanget çdo aksident që mund të dëmtojë shpendin gjatë procesit të kapjes dhe përpunimit (si psh vendosja e unazave, gjurmuesve satelitore, marrja e kampioneve të gjakut etj)”, tha Topi.
Topi u shpreh se “kurthit i vendosëm emrin “Narta”, një prej lagunave më të mira të Shqipërisë dhe gjithë Pellgut të Mesdheut, një mjedis natyror i mrekullueshëm”.
“Për shkak të avantazheve që kurthi “Narta” sjell, kam besim se do të jetë gjerësisht i përdorur në mjedisin ndërkombëtar të kërkimit ornitologjik dhe ndoshta mund të bëhet instrumenti më i përdorur për qëllimin e krijuar”, theksoi Topi.
Topi bëri të ditur se “ky kurth është tepër i sigurt, nuk krijon asnjë shans në bazë të testimeve që të dëmtohet veza apo shpendi ndryshe nga kurthet e tjerë që shpendi mund të futet e të dalë, tek ky kurth nuk mund të dalë pa ndihmën tonë, pra pa u përpunuar, pa u unazuar dhe pa i vendosur një GPS ose pa i marrë një kampion gjaku”.
Pedagogu i FNSH-së, Ferdinand Bego tha për ATSH-në se “instrumente të tillë janë të zakonshëm në punën shkencore, pasi të bësh punë me një grup shpendësh të vështirë siç është ai i baltakëve duhet të përdorësh mjetin e duhur që është më miqësor dhe që e shqetëson më pak”.
“Studime të tilla kanë një interes të jashtëzakonshëm se rendi i baltakëve është i lidhur ngushtë me ligatinat ose vendet e largëta që janë ekosisteme të rëndësishme për mbarë planetin përfshirë edhe vendin tonë”, tha Bego.