Kur “Tradita” bëhet maskaradë, një thirrje për ndërgjegje dhe dinjitet…

Nga Anila Ahmataj 

Po e them me dhimbje, jo me zemërim. Sepse dhimbja është më e thellë se zemërimi kur sheh bastardimin e një trashëgimie që s’është thjesht folklor por është identitet, rrënjë, kujtesë kolektive. Çdo ditë po shohim si veshja jonë kombëtare shndërrohet në kostum shfaqjeje pa kuptim. Si kënga labe, e lindur në shpirt e në gjak, bëhet dekor zhurmues në gojë që s’e ka ndjerë kurrë gurin e Labërisë, as dhimbjen që mbart ajo këngë.

Nuk është faji i kostumit që vishet vend e pa vend por i atyre që nuk kuptojnë se çdo trevë në këtë vend ka zakonet, ngjyrat, qëndisjen dhe shpirtin e vet. E sot po i ngatërrojmë të gjitha me padije por edhe me arrogancë. Po zhduket vlera nën peshën e spektaklit. Artistë të vërtetë, studiues, mjeshtër të kësaj fushe ndihen të shtyrë në harresë ndërsa skena i hapet atyre që e përdorin artin si trampolinë për favore, klikime dhe miqësi të dobishme.

Kam pasur fatin dhe përgjegjësinë të punoj me njerëz profesionistë të kësaj fushe që më kanë dëgjuar dhe me të cilët kam ndarë këtë revoltë që më vlon prej kohësh. Nuk po flas si një autoritet i vetëshpallur i kulturës por si një njeri që për shkak të profesionit dhe punës së përditshme ka pasur mundësinë të kuptojë thelbin e disa gjërave që nuk janë sipërfaqe por që lidhen me esencën e trashëgimisë dhe shpirtit tonë kulturor.

Nuk mund të rrimë më të heshtur. Janë me dhjetëra artistë të këngës labe me mbi 30 vite përvojë që kanë drejtuar grupe me përkushtim pa bujë pa zhurmë duke ruajtur me fanatizëm atë që sot po përdhoset për një klikim më shumë. Ata nuk ndihen të përfshirë as të vlerësuar e aq më pak të respektuar në organizime që shpesh mbajnë emrin festival folklorik por që në përmbajtje i largohen gjithnjë e më shumë traditës së vërtetë.

Nuk jam kundër organizimit të aktiviteteve kulturore. Përkundrazi i kam mbështetur dhe do i mbështes gjithnjë kur ato i shërbejnë ruajtjes së trashëgimisë. Por mënyra sesi ato organizohen me qasje sipërfaqësore dhe përjashtuese ka bërë që shumë grupe me peshë me histori e me dinjitet të shmangen dhe të mos marrin më pjesë. Dhe kjo nuk është thjesht mungesë përfaqësimi por një humbje kolektive për ne si shoqëri.

Ndihem e keqardhur. Sepse shumë nga këta artistë që kanë mbajtur gjallë shpirtin e një tradite nëpër dekada nuk kanë marrë as një vlerësim simbolik. As një faleminderit nga institucionet. As një ftesë për të qenë shembull e frymëzim për brezat e rinj. Kjo heshtje është padrejtësi dhe është gjithashtu mohim i kujtesës.

Dhe ajo që dhemb më shumë është se shpesh jo vetëm grupet margjinalizohen por edhe vetë prezantimi i këtyre organizimeve mënyra si flitet për këngën labe apo për artistët e saj i është lënë në dorë njerëzve që e kanë traditën si element dekori në fjalë. Që më shumë mbajnë mikrofonin si trofe sesa si urë mes brezave. Që shfaqin me siguri formën por humbasin thelbin. Dhe në mungesë të dijes përpiqen të mbulojnë boshllëkun me fjalë të zbukuruara por të zbrazëta.

Jetojmë në një vend ku mjeku bëhet avokat dhe avokati gazetar. Ku bojaxhiu bëhet berber dhe psikologu historian. Dhe në këtë kaos role të gabuara u besohen misione të mëdha. Prandaj nuk është çudi që edhe tradita po jep shpirt në duar që nuk e ndiejnë dot peshën e saj.

Ky nuk është një status për të ofenduar por një thirrje për të reflektuar. Nuk është një sulm por një revoltë e ndershme që lind nga dashuria për atë që jemi jo nga frika se çfarë po bëhemi. Kultura nuk është kostum për spektakël por shtyllë e identitetit tonë. Dhe nëse nuk i ruajmë këto shtylla ne nuk po ndërtojmë por po shembim.

Koha për heshtje ka kaluar.
Tani është koha për përgjegjësi…

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Ish deputetja e PD ,Zheni Gjergji emërohet Drejtoreshë e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” Elbasan

Me një vendim të autoriteteve përgjegjëse në sektorin shëndetësor,...

Praga i jep fund skuterëve elektrikë, qyteti synon rrugë më të sigurta për këmbësorët

Praga ka vendosur të ndalojë marrjen me qira të...

Një portier për historinë; Neuer, ‘gardiani’ me 363 fitore në Bundesligë, askush si ai

Bayerni i Mynihut të shtunën mori një fitore shumë...