Në mbledhjen e fund Nëntorit të Këshillit Bashkiak të Cërrikut u zhvillua momenti solemn i marrjes së detyrës nga Kryetari i ri i Bashkisë,Florenc Doka i cili bëri betimin sipas Kushtetutës, duke zyrtarizuar fillimin e mandatit të tij pasi ishte fitues në zgjedhjet lokale të parakohshme të 9 Nëntorit 2025. Ceremonia, e qetë dhe e ngarkuar me emocion, simbolizoi nisjen e një kapitulli të ri në drejtimin e pushtetit vendor.
Kryetari i sapobetuar Florenc Doka u shpreh se ky ishte një ndër momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke nënvizuar përgjegjësinë e madhe që mban tashmë mbi supe për çdo banor të bashkisë.
“Jam thellësisht mirënjohës për besimin që më keni dhënë. Ju siguroj se do të punoj me përkushtim, transparencë dhe ndershmëri, çdo ditë, në shërbim të komunitetit tonë,” u shpreh ai gjatë fjalës së tij.
Kryetari Doka deklaroi se objektivat kryesore të mandatit të ri do të fokusohen në ngritjen e një bashkie më të zhvilluar, më funksionale dhe më pranë njerëzve, duke u angazhuar që projektet dhe shërbimet të jenë në funksion të qytetarëve dhe të çdo lagjeje të bashkisë.
Ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe urimet e shumta që ka marrë ditët e fundit, duke i konsideruar ato një motivim të fortë për të vijuar me punë konkrete dhe rezultate të prekshme.
Me betimin e Kryetarit Florenc Doka , bashkia hyn zyrtarisht në mandatin e ri të drejtimit, ndërsa pritshmëritë e komunitetit janë të larta për ndryshime pozitive dhe ritëm më të shpejtë zhvillimi.



