Kryebashkiaku Ilir Xhakolli i Pogradecit: Rruga Qukës–Qafë Plloçë, arteria e re që rilind Mokrën dhe gjithë juglindjen e Shqipërisë

Nga Fatmir Popja

Sot u shënua një ditë historike për krahinën e Mokrës dhe mbarë juglindjen e vendit me përurimin zyrtar të rrugës strategjike Qukës–Qafë Plloçë, një investim madhor që jo vetëm lidh më ngushtë këtë zonë me Tiranën, por hap rrugën edhe për një kapitull të ri zhvillimi ekonomik,turistik dhe social.

Në një ceremoni të mbajtur në terren,me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kjo vepër infrastrukturore u inaugurua zyrtarisht këtë të premte duke përmbushur një pritje të gjatë për banorët e zonës dhe për gjithë ata që e njohin potencialin e pazhvilluar të kësaj krahine me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.

Duke marrë fjalën në këtë ngjarje të rëndësishme, Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, z. Ilir Xhakolli, theksoi rëndësinë jetike që kjo rrugë ka për të gjithë rajonin: “Sot u bë një hap i madh për zhvillimin e krahinës së Mokrës dhe gjithë juglindjes. Inaugurimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja Belinda Balluku është një vepër strategjike që sjell më afër Tiranën me juglindjen, duke shkurtuar ndjeshëm distancën dhe kohën e udhëtimit”.

Kryetari Xhakolli shtoi se ky investim i shumëpritur për dekada të tëra nuk është thjesht një rrugë, por një arterie e re jetike që do të nxjerrë nga izolimi një zonë me histori të lashtë dhe pasuri të mëdha natyrore. “Ky është një investim që hap një mundësi të re për zhvillimin ekonomik, për turizmin malor dhe kulturor, për lëvizjen më të shpejtë dhe më të sigurt të banorëve të Mokrës e më gjerë. Është një rrugë që lidh njerëzit,rrit shpresën dhe sjell më shumë gjallëri në zonën tonë”.

Rruga Qukës–Qafë Plloçë,pjesë e Korridorit Juglindor të vendit,përfaqëson më shumë sesa një ndërhyrje infrastrukturore.

Ajo është një nyje lidhëse midis qyteteve të mëdha si Tirana, Elbasani, Librazhdi, Pogradeci, Korça dhe Kolonja, duke reduktuar kohën e udhëtimit me mbi një orë dhe krijuar kushte më të favorshme për qarkullimin e mallrave dhe njerëzve.

Kjo rrugë është veçanërisht e rëndësishme për krahinën e Mokrës,një zonë me vlera të jashtëzakonshme natyrore, por që për vite me radhë ka vuajtur izolimin për shkak të infrastrukturës së munguar.

Tashmë, kjo krahinë ka një mundësi reale për të zhvilluar turizmin malor, agroturizmin, bujqësinë dhe artizanatin, duke sjellë investime të reja dhe duke frenuar largimin e të rinjve.

Fjalët përmbyllëse të Kryetarit të Bashkisë, Ilir Xhakolli, ishin një mesazh shprese dhe vizioni për të ardhmen.“Mokra tashmë ka një arterie të re që e lidh me të ardhmen! Ta gëzojmë rrugën e re”.

Ky përurim nuk është thjesht një ngjarje ceremoniale, është një sinjal i qartë për orientimin zhvillimor të zonës. Banorët e Mokrës nuk do të jenë më në periferi të vëmendjes, por në qendër të planeve për zhvillim dhe modernizim.

Përfundimi i rrugës Qukës–Qafë Plloçë është rezultat i një pune të gjatë dhe të koordinuar ndërinstitucionale, e financuar me mbështetje nga buxheti i shtetit dhe donatorë ndërkombëtarë.

Me standarde të larta ndërtimi dhe siguri, kjo rrugë është dëshmi e vullnetit për të investuar në infrastrukturën e brendshme si një motor i rritjes ekonomike dhe kohezionit social.

Rruga Qukës–Qafë Plloçë nuk është vetëm asfalt,është një urë drejt së ardhmes për Mokrën dhe për gjithë juglindjen shqiptare.

Ajo është një thirrje për kthimin e investimeve, për rritjen e besimit dhe për rikthimin e jetës në një zonë me potencial të jashtëzakonshëm. Zhvillimi fillon nga rruga dhe sot, rruga drejt zhvillimit kalon nga Mokra.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME