Kryebashkiaku Bukurosh Maçi qetëson opinionin sportiv në Peqin: “Shkumbini nuk shpërbëhet, përkundrazi, po ndërtojmë për një sezon dinjitoz!”

Nga Lulzim Resuli

Në një kohë kur në opinionin sportiv qarkullonin zëra për një krizë të mundshme në ekipin e Shkumbinit, që do të mund të çonte deri në shpërbërje, një takim i zhvilluar këtë fundjavë në Bashkinë e Peqinit ka hedhur dritë dhe qetësuar situatën. Kryetari i Bashkisë dhe njëherësh Presidenti i Klubit Shkumbini, z. Bukurosh Maçi, ka konfirmuar publikisht mbështetjen e plotë institucionale për ekipin, duke garantuar vazhdimësinë e tij në kampionatin e ardhshëm.

Takimi, i zhvilluar në ambientet e Bashkisë me drejtues të sporteve, faktorë të njohur të komunitetit sportiv, si dhe dashamirës të futbollit peqinas, kishte si synim analizimin e gjendjes aktuale të ekipit dhe diskutimin për strategjitë që do të ndiqen për ta rikthyer Shkumbinin në një pozicion dinjitoz në arenën sportive.

Gjatë deklaratës së tij për mediat, kryetari Maçi u shpreh: “Së pari, dua të theksoj se vij nga fusha e sportit jo vetëm si mësues i shumë brezave sportistësh, por edhe si një ish-lojtar që kam pasur nderin të vesh fanellën e Shkumbinit. Nuk mund të qëndroj indiferent ndaj fatit të ekipit tonë. Përkundrazi, në çdo hap timin si drejtues, dëshiroj të ndërtojmë, të organizojmë, të krijojmë mundësi dhe jo të shkatërrojmë.” 

Z. Maçi theksoi se qëllimi i takimit ishte krijimi i një fryme bashkëpunimi dhe uniteti për të garantuar që ekipi të marrë pjesë në sezonin e ri me një projekt të qartë dhe me ambicie të reja, pavarësisht vështirësive. “E vërteta është që jemi pak të vonuar në përgatitjet për sezonin e ri, por kur ekziston vullneti i mirë dhe dëshira për të punuar, gjërat mund të ecin përpara. Kemi diskutuar me drejtuesit e klubit për hapat konkretë që do të ndërmerren në ditët në vijim. Së shpejti do të zyrtarizojmë trajnerin e ri të ekipit, i cili tashmë është zgjedhur, dhe më pas do të fillojë puna për përforcimet në skuadër me lojtarë cilësorë që do të mbajnë peshën e sezonit të ardhshëm.”

Ky zhvillim është pritur me entuziazëm në radhët e tifozëve të Shkumbinit, të cilët kohët e fundit kishin shprehur shqetësimin për një të ardhme të pasigurt të skuadrës së tyre të zemrës. Deklaratat e Maçit konfirmojnë angazhimin institucional për të mos lënë në harresë një emër historik të futbollit shqiptar si Shkumbini.

Ekipi i Shkumbinit të Peqinit është një ndër klubet më me traditë në futbollin shqiptar, me një histori që daton prej vitit 1951. I njohur për pasionin e tifozëve dhe atmosferën e zjarrtë në stadiumin “Shkumbini”, ky ekip ka qenë një simbol i identitetit sportiv të qytetit dhe ka lënë gjurmë në elitat e futbollit shqiptar, veçanërisht në fillim të viteve 2000 kur arriti të garojë denjësisht në Kategorinë Superiore.

Në radhët e tij kanë luajtur dhe janë formuar shumë emra të njohur të futbollit shqiptar. Për këtë arsye, ekzistenca dhe ringritja e Shkumbinit nuk është vetëm një çështje sportive, por një domosdoshmëri kulturore dhe shoqërore për Peqinin.

Në përfundim të fjalës së tij, kreu i bashkisë Peqin shprehu bindjen e plotë se ky sezon do të jetë një hap i rëndësishëm drejt ringritjes: “Kam besim të plotë se me punë të përbashkët, me një staf të përkushtuar dhe me mbështetjen e komunitetit sportiv, Shkumbini do të rikthehet në lartësinë që meriton. Uroj suksese ekipit dhe jam i sigurt se do të kemi vitalitetin dhe shpirtin e duhur për ta përballuar me sukses sezonin që na pret.”

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Derbi i Kryeqytetit, trajneri i Tiranës, Nuhiu: Të fitojmë për tifozët, nuk ndikon në të ardhmen time

Pasditen e së dielës është rezervuar Derbi i zjarrtë...

Zoti është i mirë!

Nga Xhensil Shkëmbi Para pak ditëve në martenitetin e Korçës...

Ekzekutimi i biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan, del sot para gjykatës Nevzat Spaho

  Zhvillimet gjyqësore për vrasjen e biznesmenit Edmond (Mondi) Mëhalla...