Kristaq Prifti 75 vite dinjitet, qytetari dhe miqësi të pastra

Nga BUJAR QESJA, Mjeshtër i Madh

Në jetën e një qyteti ka njerëz, që nuk bien në sy për zhurmë apo për bujë, por për gjurmën e thellë njerëzore që lënë pas. Një nga këta është pa dyshim Kristaq Prifti, biri i Durrësit, i cili festoi 75-vjetorin e lindjes në një mënyrë të thjeshtë, por jashtëzakonisht domethënëse. Ftoi miqtë, shokët e jetës, me njerëzit që e kanë njohur nga afër dhe që e vlerësojnë për atë që ka qenë dhe mbetet, para së gjithash, njeri.

Në atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe shpirtërisht të pasur, Kristaq Prifti ftoi 21 miq e shokë në lokalin “Dilo”, pranë bregdetit të Currilave. Ishte një drekë festive, por mbi të gjitha ishte një takim zemrash, kujtimesh dhe respekti të ndërsjellë. Deti përballë, drita e diellit, fjala e lirë dhe emocionet e sinqerta, krijuan një tablo qytetare, që sot rrallë e gjen në përmasa të tilla.

Atmosfera u bë edhe më e veçantë nga fakti, se pothuajse të gjithë të pranishmit morën fjalën, duke ndarë kujtime, vlerësime dhe përshëndetje për mikun e tyre. Fjala e parë u mbajt nga Besim Shahini, i cili theksoi qytetarinë dhe korrektësinë e Kristaq Priftit në çdo marrëdhënie njerëzore.

Më pas folën Tomor Çaushi, Hajdar Domi, Besnik Rexha, Natasha Paço, Bedin Bedini, Vasil Mema, Enver Isufi, Xhemali Dume, Mustafa Beu, Nezir Koni, Selam Hodo, Halil Ahmeti, Bastri Hoxha, Mimoza Zaka, Bahri Bakiu dhe Isuf Shehu.

Secila fjalë kishte peshën e vet, sepse vinte nga njerëz me përvojë jetësore, nga personalitete që kanë mbajtur detyra të rëndësishme shtetërore, shoqërore e ushtarake. Shumë prej tyre janë sot mbi 80 vjeç, emra me vlerë shoqërore dhe autoritet moral, të cilët koha jo vetëm nuk i ka zbehur, por ua ka shtuar respektin dhe mirënjohjen.
Në të gjitha fjalët u përsërit një mendim i përbashkët:

Kristaq Prifti, pavarësisht funksioneve dhe detyrave që ka ushtruar, nuk e humbi kurrë miqësinë, thjeshtësinë dhe sinqeritetin. Ai nuk u nda nga shoqëria, nuk u ngrit mbi njerëzit, por qëndroi mes tyre, me sjellje qytetare dhe me një etikë që sot konsiderohet shembullore.

Një moment i veçantë dhe mjaft emocionues ishte dedikimi në formë pllakati që i bëri Natasha Paço, vetë një figurë e spikatur e qytetarisë durrsake, e cila ka kryer me sukses shumë detyra shtetërore. Ky gjest simbolik ishte shenjë mirënjohjeje për Kristaq Priftin, për rrugëtimin e tij njerëzor dhe profesional, por edhe për ndihmesën e tij në jetën shoqërore të qytetit.

Kristaq Prifti është inxhinier mekanik nga formimi profesional. Gjatë jetës së tij ka mbajtur detyra të ndryshme në sistemin e djeshëm, duke treguar korrektësi, përgjegjshmëri dhe ndershmëri. Ka dëshmuar gjithmonë se detyrat kalojnë, por njeriu mbetet.

Pas viteve ’90-të, si shumë bashkëqytetarë të tij, u përshtat me realitetin e ri. Punoi në Hekurudhë, në Flotën Tregtare, emigroi për një periudhë në Greqi dhe më pas u rikthye në Durrës, ku ngriti një veprimtari private, duke u bërë pjesë aktive e jetës ekonomike të qytetit.

Një aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së tij është edhe angazhimi në Organizatën Antifashiste të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Kristaq Prifti dallohet për përpjekjet serioze dhe të vazhdueshme për shtimin e radhëve të saj, për afrimin e brezave të rinj dhe për ruajtjen e traditave patriotike, që janë themel i kujtesës historike të popullit shqiptar. Ky angazhim tregon qartë, se ai nuk e ka parë historinë si relike, por si vlerë që duhet trashëguar dhe jetuar.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Kristaq Prifti falënderoi me përulësi dhe emocion të gjithë miqtë, shokët dhe shoqet për praninë dhe fjalët e mira, duke u uruar jetë të gjatë, shëndet dhe lumturi në familjet e tyre. Ishte një falënderim i thjeshtë, por plot ndjenjë, ashtu si vetë personaliteti i tij.

Ky 75-së vjetor nuk ishte thjesht një datëlindje. Ishte një manifestim qytetarie, një dëshmi se Durrësi ka ende njerëz, që dinë të nderojnë miqësinë, të ruajnë vlerat dhe të jetojnë me dinjitet. Kristaq Prifti mbetet një shembull i qartë se madhështia e njeriut nuk matet me postet që ka mbajtur, por me respektin që fiton në zemrat e të tjerëve.

Në fund, kjo drekë festive pranë detit, ishte një homazh i heshtur për një jetë të jetuar ndershëm, për një qytetar që ka ditur të mbetet vetvetja në çdo kohë. Dhe ky është ndoshta vlerësimi më i madh, që mund t’i bëhet një njeriu në moshën 75-së vjeçare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME