Në prag të festave të fundvitit, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi ka përcjellë një urim të veçantë për profesionistët veteranë të medias shqiptare, duke organizuar një pritje në nder të figurave që kanë lënë gjurmë ndër vite në radio dhe ekran.
Takimi mblodhi regjisorë, gazetarë, folës, operatorë, teknikë dhe profesionistë të tjerë, pionierë të Radio-Televizionit Shqiptar, të cilët me përkushtimin dhe përvojën e tyre kanë ndërtuar themelet e medias publike.
Atmosfera u shoqërua me emocione, kujtime dhe nostalgji për vitet e punës së përbashkët.
Duke u drejtuar të pranishmëve, Krasniqi theksoi se ky ishte një privilegj personal dhe profesional.
“Ju keni qenë shkollë për ne. Jam rritur me shembullin tuaj dhe e kam nisur karrierën time në RTSH, ndaj sot, përveç mirënjohjes, ndjej edhe shumë nostalgji”, u shpreh ajo, duke i uruar veteranët për shëndet dhe festa të gëzuara.
Në këtë pritje ishin të pranishëm edhe emra të njohur të pionierëve të RTSH-së, si Kozeta Mamaqi, Bashkim Zeneli, Pali Kuke, Dhimitër Gjoka, dhe shumë të tjerë, të cilët i kanë kushtuar jetën e tyre medias publike shqiptare.

