Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) riktheu në detyrë prokurorin e Vlorës, Xhemal Saliaj, i cili ishte shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) më 7 tetor 2024.
Vendimi u shpall sot nga trupi gjykues i KPA i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe konfirmimin në detyrë të prokurorit Xhemal Saliaj.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Saliaj u shkarkua pasi, sipas KPK-së, u konkludua se nuk arriti nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe se në vlerësimin tërësor kishte cenuar besimin e publikut te drejtësia.

