Filip Shehu, 41 vjeç, i dyshuari për vrasjen me thikë të kolegut të tij Indrit Ismaillari, 34 vjeç, u paraqit para Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjatë seancës, Shehu deklaroi se prej kohësh ishte ofenduar dhe ngacmuar nga viktima.
“Nuk ishte shefi im që të më jepte urdhra”, u shpreh ai para trupit gjykues, duke shtuar se i ndjeri mbante gjithmonë thikë dhe i kishte thënë disa herë se “nuk e çante kokën për të”. Shehu pohoi se mendonte se vetëm e kishte plagosur dhe se lajmin për vdekjen e Ismaillarit e kishte mësuar një ditë më vonë. Ai gjithashtu shprehu ngushëllime për familjarët e viktimës.
Avokati i tij, Ilir Murati, argumentoi se ngjarja ka ndodhur nën gjendje tronditjeje psikike dhe kërkoi shtrimin e detyrueshëm të klientit në spital psikiatrik, deri në përfundimin e akt-ekspertimit psiko–ligjor. Mbrojtja dorëzoi dokumente që pretendojnë se Shehu është trajtuar për 13 vite me probleme të shëndetit mendor.

