Largimi i drejtorit të përgjithshëm dhe drejtoreshës ekzekutive të BBC News në të njëjtën kohë është i paprecedent.
Është një moment i jashtëzakonshëm në historinë e BBC-së.
Në pamje të parë, dorëheqja e Tim Davie ka kuptim.
”Mendoj se polemikat e fundit ishin të tepërta pas një sërë krizash (dy dokumentarë për Gazën, ndër të cilat çështja e Bob Vylan për Glastonbury) dhe ai nuk kishte mjaftueshëm energji për një tjetër betejë”, thotë gazetarja e BBC, Katie Razzall.
“Ai është një drejtues shumë i aftë që ka nxitur ndryshime të vërteta, por në një moment kjo bëhet shkatërruese”, thekson ajo.
Deklarata e Deborah Turness e bën të qartë se ajo ka dhënë dorëheqjen për arsye parimore.
Me polemikat e vazhdueshme rreth fjalimit të presidentit Trump në programin ”Panorama”, që po i shkaktojnë dëme BBC-së, ajo tha se “fajin e kam unë dhe mora vendimin t’ia ofroj dorëheqjen time drejtorit të përgjithshëm”.
Duket se ka pasur një përçarje midis Bordit dhe redaksisë së lajmeve, disa argumentojnë se BBC nuk ka arritur të adresojë anshmërinë institucionale brenda BBC-së dhe të tjerë vënë në pikëpyetje nëse ajo që ka ndodhur ka qenë një fushatë e orkestruar dhe e politizuar kundër korporatës, e cila ka marrë dy humbje të mëdha.
Për pjesën më të madhe të javës, që kur ”Telegraph” publikoi për herë të parë historinë e saj, nuk kam qenë në gjendje të kuptoj pse BBC nuk u vu në lëvizje përballë një rrëmuje titujsh dëmtues rreth pretendimeve për anshmëri sistemike, thekson Razzall.
BBC duhej t’i ndante akuzat në dy histori të dallueshme.
E para, në lidhje me redaktimin e fjalimit të Trump në programin ”Panorama”, e cila duhej të adresohej menjëherë. Ose me një kërkim falje ose me një argument të paraqitur pse BBC besonte se nuk i kishte keq përshkruar fjalët e presidentit.
Kjo do t’i kishte lejuar BBC-së të luftonte në emër të gazetarisë. Mos harroni, po akuzohej për mungesë paanshmërie. Akuza që preknin thelbin e operacionit të saj të lajmeve.
Me një kërkim falje për gabimin rreth ”Panorama”-s ose një mbrojtje të fortë, mund të kishte vazhduar duke u përpjekur të hidhte poshtë pretendimet e tjera në lidhje me anshmërinë institucionale.
Mund të kishte thënë se BBC kishte ndërmarrë tashmë veprime për të siguruar paanshmërinë editoriale.
Perkundrazi, BBC lejoi që historia të përkeqësohej dhe ne përfunduam në një situatë ku Shtëpia e Bardhë e Trump po e quante BBC-në “fake news”.
E kuptoj që Deborah Turness u zemërua dhe u frustrua gjithnjë e më shumë ndërsa java kalonte sepse bordi e pengoi të bënte një kërkim falje.
Por, bordi i BBC vendosi se zgjidhja e duhur ishte t’i drejtonin një letër Komitetit të Kulturës, Medias dhe Sportit.
Shumë, si brenda ashtu edhe jashtë BBC-së, e cilësuan mungesën e përgjigjes si një gabim të rëndë.
Akuzat e ”Telegraph” ishin të dëmshme dhe BBC nuk po i përballonte ato drejtpërdrejt.
Por, një burim tjetër e karakterizoi atë si kulmin e një kritike të pamëshirshme të gazetarisë së BBC-së nga anëtarët e bordit dhe këshilltarët.
Ata i referohen Sir Robbie Gibb, një ish-redaktor i BBC-së i cili u largua për t’u bërë drejtor i komunikimit në ”Downing St” për Theresa May dhe i cili tani është anëtar i bordit.
Ish-redaktori i ”Sun”, tani prezantues i BBC-së, David Yelland, e ka quajtur atë “asgjë më pak se një grusht shteti”.
Ai pretendon se bordi i BBC-së është minuar dhe elementë të afërt me të kanë punuar me redaktorë gazetash kundërshtare, një ish-kryeministër dhe armiq të transmetimit publik.
Një tjetër ish-redaktor i ”Sun”, Kelvin MacKenzie, duke folur në BBC News Channel, tha se dorëheqjet ishin “gjëja e duhur për t’u bërë , ndryshe kjo çështje nuk do të zhdukej kurrë”.
Dhe vetë presidenti amerikan është përfshirë në debat për herë të parë.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, ai u gëzua për dorëheqjet dhe akuzoi BBC-në për manipulimin e fjalimit të tij dhe përpjekjen për të ndikuar në peshoren e zgjedhjeve presidenciale.

