Një javë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka miratuar një plan masash për përforcimin e sigurisë në të gjitha gjykatat e vendit.
Në mbledhjen e datës 10 tetor, KLGJ njoftoi se do të analizojë informacionin e mbledhur nga gjykatat gjatë periudhës 2023–2025, lidhur me menaxhimin dhe administrimin e sigurisë. Një prioritet i veçantë është vlerësimi i gjendjes së pajisjeve të sigurisë, përfshirë skanerë, detektorë metalesh, kamera dhe mjete të tjera, si dhe trajnimi i personelit për situata të rrezikshme.
Pas analizës, do të ngrihet një grup pune ndërinstitucional për të shqyrtuar ndryshimet ligjore dhe nënligjore që sigurojnë mbrojtjen fizike të gjyqtarëve, stafit mbështetës dhe qytetarëve që frekuentojnë gjykatat.
Mes masave të tjera janë:
- Sigurimi i pranisë së efektivëve të specializuar ose të Policisë së Shtetit në gjykata.
- Miratimi i protokolleve të reja të sigurisë për çdo njësi gjyqësore.
- Hartimi i një qasje të përbashkët mbi sigurinë në sistemin gjyqësor me pjesëmarrjen e institucioneve të rendit dhe të drejtësisë.
Në fokus është edhe përmirësimi i infrastrukturës gjyqësore. KLGJ kërkon bashkëpunimin e pushtetit vendor për ndërtimin e tetë godinave të reja të shkallës së parë, si dhe për Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. Godinat ekzistuese dhe ato të reja do të kalojnë në pronësi të KLGJ-së për të garantuar pavarësinë institucionale.
Në fushën ligjore, KLGJ synon të hartojë propozime për ndryshime në:
- Ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”
- Ligjin “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”
Një tjetër prioritet është mbrojtja e figurës së gjyqtarëve në hapësirat publike dhe mediat online. KLGJ do të bashkëpunojë me AKEP dhe AMA për të ndaluar gjuhën e papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale dhe mediat online, si dhe për të marrë masa konkrete brenda kompetencave ligjore.
Në nder të gjyqtarit të vrarë në detyrë, Astrit Kalaja, Këshilli njoftoi nisjen e procedurave për të emërtuar sallën e amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” me emrin e tij. Gjithashtu, është dërguar një propozim pranë institucioneve përkatëse për dhënien e titullit “Dëshmor i Atdheut”.