Bashkia e Cërrikut vijon me riorganizimin dhe forcimin e strukturave të saj vendore, duke emëruar Kleanth Baku si administrator të ri të Njësisë Administrative Gostimë. Lajmi është bërë i ditur nga kryebashkiaku Florenc Doka përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson rëndësinë e këtij emërimi për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Sipas kryetarit të bashkisë së Cerrikut , Baku vjen në këtë detyrë me një përvojë të konsoliduar në administratë dhe me një qasje serioze ndaj përgjegjësive publike, çka pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e eficiencës dhe cilësisë së shërbimeve në këtë njësi.
“Punët e mëdha nisin së shpejti në Njësinë Administrative Gostimë”, shprehet kryebashkiaku Doka , duke lënë të kuptohet se investimet dhe ndërhyrjet konkrete në këtë zonë do të jenë prova më e mirë e angazhimeve të marra ndaj komunitetit.

Emërimi i administratorit të ri vjen në një kohë kur Bashkia Cërrik ka shpallur si prioritet afrimin e administratës me qytetarët, rritjen e transparencës dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore. Në këtë kuadër, drejtimi i Njësisë Gostimë konsiderohet një hallkë e rëndësishme për realizimin e këtyre objektivave në terren.
Në fund të mesazhit të tij, Doka i uron suksese Kleanth Bakut në këtë detyrë të re, duke shprehur besimin se ai do të përmbushë me përgjegjësi pritshmëritë dhe do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të zonës.

Ky emërim shihet si një tjetër hap drejt konsolidimit të administratës vendore në Cërrik, me fokus të qartë te qytetari dhe nevojat e tij.

