NGA DORIS MADHI, KËSHILLARE E PD
Habia më e madhe në këtë vend, qëkur jam kthyer nga studimet e mia në Romë, është që nuk më habit më asgjë!
Nuk paskën të sosur çudirat e vulosura në mënyrë trashanike e qesharake nga liderë pengmbajtës, që firmat e vulat i lëshojnë si lopa bajgën, pa menduar për pasojat.
Një lajm i hedhur si shashkë në një portal lokal lajmesh, se ish-kryetari i grupit të koalicionit Bashkë Fitojmë në Këshillin Bashkiak Elbasan qenka zëvendësuar nga një këshilltare e grupit të Partisë Demokratike, znj. Bjanka Çopja (asokohe e Lulzim Bashës) në drejtim të opozitës, të bind se tashmë në PD e vetmja gjë që mungon është demokracia dhe ligjshmëria.

Ky vendim është marrë në mënyrë arbitrare nga Flamur Noka, me një urdhër të keqshkruar, ku citohen neni 33 i Ligjit 139/2015 për Vetëqeverisjen Vendore (që flet për administrimin e shërbimeve publike të qarkut dhe jo për këshillat bashkiakë) dhe neni 48 i statutit të PDSH-së për kompetencat e kryesisë së PDSH-së, që kufizohen në miratimin e listave të këshillave bashkiakë para zgjedhjeve dhe jo pasi janë mandatuar.
Kuptohet që shkeljet e statutit të PDSH-së janë bërë praktikë e këtij individi e lëpirësve të tij, aq herë sa bien ndesh me interesat e tyre personale, por statuti i një partie kurrsesi nuk mund të dominojë forcën e autonomisë vendosëse të ligjeve dhe rregulloreve të institucioneve vendimmarrëse e qeverisëse vendore, siç janë bashkitë dhe këshillat bashkiakë.

Neni 22, pika 6 e Rregullores së KB, e më pas nenet 23 dhe 24, të mbështetura në Ligjin 139/2015 dhe Kushtetutë, përcaktojnë qartë se një këshilltar i një grupi tjetër partiak duhet të japë dorëheqjen me shkrim dhe të presë miratimin për të hyrë në një grup tjetër, jo pa kaluar një periudhë 6-mujore dhe pa miratimin me votë nga ana e këshilltarëve të grupit ku aspiron të aderojë.
Këshilltarët e grupit të Lulzim Bashës ende sot vijojnë zyrtarisht të rrinë në grupin e tyre. Bashkimi me koalicionin Bashkë Fitojmë e me PD-në e Berishës sot bëhet në tavolina kafeneje për të maksimizuar pazaret me partinë në pushtet, por asnjë shenjë zyrtare në bashkim real me dokumentacion nuk i është drejtuar Kryetarit të Këshillit Bashkiak.
Është e turpshme sesi nga ky proces përjashtohen nga vendimmarrja edhe këshilltarët e Partisë së Lirisë, falë së cilës ne hymë në zgjedhje me kandidatë në 2023, pasi ishim pa vulë e logo.
Në fakt, Flamur Noka harron që në këtë sens humb edhe legjitimitetin për të marrë vendime.

Zoti Noka, nëse vërtet ajo vulë të bën të ndihesh i fuqishëm, sot që kemi vulë e logo (për marrjen e të cilave kam ndenjur 1 vit poshtë shtëpisë së liderit Berisha e katër vite protestave, ndërkohë që kjo zonja nuk e pranonte Berishën si kryetar e votonte Gledian Ollten), ta kishe përdorur për të dalë me përfaqësues të PD-së në 5 bashkitë që falët para një jave. Këtu qëndronte tagri yt dhe pinte ujë vula jote!
Ky është një precedent i rrezikshëm që minon demokracinë funksionale dhe autonominë e institucioneve vendore, ku individë kapriçiozë e pazarxhinj tentojnë të prekin edhe ato qeliza ku bëhet lufta ballore me pushtetin, siç janë këshillat bashkiakë.
Shpejt do kuptosh, o Penelopa e demokratëve që thur ditën e shthur natën shpresat e tyre, që ligji nuk shkelet dhe akoma ka njerëz që kauzave të ligjshmërisë u shkojnë deri në fund! Kjo jo se kanë pushtet absolut, por se kanë moral, integritet, profesionalizëm dhe të drejtën udhërrëfyes.

Një këshillë miqësore: në vazhdimësi, kur firmos shkresa, kujdesu të jenë formuluar nga juristë të mirëfilltë, jo bufonë inatçorë që hedhin gurin e fshehin dorën!

