Kantina e Verës Librazhd, nga teknologjia sovjetike, te vera shqiptare në tryezat europiane

Në zemër të Librazhdit, mes kodrave të mbuluara me vreshta dhe aromës së rrushit të pjekur, ndodhet një kantinë që nuk është thjesht pjesë e industrisë shqiptare të verës, por një gur themeli i saj. Kantina e Verës Librazhd, e themeluar në vitin 1960 me teknologji sovjetike, mbetet një nga dëshmitë më të gjalla të rrugëtimit të verës shqiptare,nga planifikimi shtetëror i kohës së komunizmit, te sfidat e tranzicionit dhe ambiciet moderne për tregjet europiane.

Sot, në krye të saj qëndron një nga njerëzit që gjithë jetën si profesionist bashkë me familjen e tij ja ka kushtuar prodhimit të pijeve alkoolike dhe në veçanti verërave. Ai nuk ka përjetuar vetëm sukseset por edhe vështirësitë e punës aty. Ai nuk ka parë vetëm shishet e mbushura me pije nga më cilësoret, por ka ndier në shpirt e zemër çdo pikë vere që prodhonte kantina si pjesë të një rrugëtimi e përjetimi të paharrueshëm.

Rrahman Gjeta, administrator dhe bashkëpronar që prej privatizimit të kantinës në vitin 1993 nuk flet si një biznesmen i zakonshëm, por si një njeri që ka qenë aty kur teknologjia funksiononte me valvola sovjetike, kur eksporti në Britaninë e Madhe ishte një krenari kombëtare dhe kur çdo sfidë pas viteve ’90 kërkonte më shumë durim e sakrifica sesa para.

Në këtë intervistë për “Albania Express News”, z. Rrahman Gjeta na fton në një udhëtim të rrallë, nga koha kur vera derdhej në fuçi druri për Hotelet Turistike të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, te shishet me verë që edhe sot kërkohen në tregjet e Gjermanisë dhe SHBA-së. Rrahman Gjeta flet me modesti dhe krenari për historinë, për ringritjen, për vreshtat e rrushin e tokës shqiptare dhe për të ardhmen e verërave cilësore që po fermentohet në qetësinë e bodrumeve të Kantinës së Verës së Librazhdit, një prej më të famshmeve të shekullit të kaluar në vendin tonë që sot është simbol jo vetëm i krenarisë së librazhdasve por dhe i krenarisë kombëtare.

Z. Gjeta, na rrëfeni si nisi gjithçka

Kantina e Verës Librazhd u themelua në vitin 1960 si pjesë e një strategjie të shtetit për të zhvilluar industrinë ushqimore. Kishte mbështetje teknike nga Bashkimi Sovjetik dhe për kohën ishte një strukturë moderne, me kapacitet përpunimi prej rreth 1,000 tonë rrush në sezon. Ishte një kantinë model që u shfrytëzua për të mbuluar tregun vendas dhe për të nisur eksportet jashtë vendit.

Cili ishte momenti i parë i suksesshëm për kantinën?

Pa dyshim, eksporti i parë. Në vitet 1962–1964, vera jonë Kabernet u eksportua për herë të parë në Britaninë e Madhe. Ishte diçka e jashtëzakonshme për kohën. Ishte hera e parë që një produkt i tillë shqiptar dilte në një treg perëndimor me një standard të tillë. Ishte një arritje për gjithë vendin. Kaberneti i Kantinës shqiptare në atë kohë shijohej edhe nga mbreti, mbretëresha, princër e princesha, aristokrate e aristokratë. Dhe ky sukses është i pa imagjinueshëm dhe i pa besueshëm. Por ky është një realitet që na bën të ndjehemi krenarë brez pas brezi dhe urojmë që historia të përsëritet.

Çfarë e bënte kantinën e Librazhdit të veçantë në atë kohë?

Ne punonim me varietete shqiptare Bio si Shesh i Bardhë dhe Shesh i Zi, por gjithashtu kultivonim dhe përpunonim rrush ndërkombëtar si Tokai, Riesling dhe Kabernet Sauvignon. Kishim një larmi të madhe që na lejonte të krijonim profile të ndryshme verërash. Teknologjia ishte e kohës dhe kishte një organizim shembullor.

Pas viteve ’90, çfarë ndodhi?

Ishte një kohë shumë e vështirë. Sistemi ndryshoi, ndërsa vreshtat u shkatërruan, pajisjet u degraduan dhe stafi u shpërnda. Kantina për pak u la në harresë. Por në vitin 1992, tre prej nesh, ish-punonjës profesionistë të kantinës e privatizuam dhe vendosëm ta ringremë nga themelet.

Si ishte procesi i ringritjes pas privatizimit?

U desh shumë përpjekje. Fillimisht na mungonte lënda e parë. Ndërkohë, ishte e vështirë të gjenim edhe ambalazh, tapa, shishe… Por falë eksperiencës që kishim, ia dolëm. Kthyem në punë shumë nga pajisjet që ende funksiononin dhe nisëm gradualisht prodhimin. Fillimisht, sigurimi i rrushit vinte nga Maqedonia, më pas nisim të rikrijojmë bashkëpunimet me fermerët shqiptarë.

Si është sot kantina, nga brenda?

Kemi një kantinë me dy fytyra,pjesa e vjetër, që vizitohet nga turistët dhe është një dëshmi e historisë sonë, dhe pjesa moderne, ku prodhimi kryhet me teknologji bashkëkohore. Disa pajisje të viteve ‘60 janë ende funksionale dhe të tjera i kemi ruajtur si muze të gjallë të verës shqiptare. Sot punojmë me rrush 100% vendi, nga zona si Karkavec, Hotolisht, Belesh, Elbasan, Lushnje etj.

Cilat janë produktet më të kërkuara sot në treg?

Sigurisht Kaberneti mbetet më i njohuri. Por gjithashtu kemi Sheshin e Zi, Sheshin e Bardhë, Tokai-n, si dhe një raki rrushi tradicionale, që ruan gjithë karakterin shqiptar. Së fundmi, kemi sjellë në treg edhe një raki Moskat me shafran, që ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm.

Po për eksportet, ku jeni fokusuar?

Jemi në negociata të avancuara për të filluar eksportin drejt Gjermanisë, Letonisë dhe SHBA-së. Produktet tona, veçanërisht ato me varietete autoktone shqiptare, kanë ngjallur interes të madh. Kemi marrë pjesë në panaire ndërkombëtare si Wine Vision në Beograd, por edhe në Itali e Gjermani. Kemi pasur mbështetje dhe nga Ministria e Bujqësisë, veçanërisht në modernizimin e teknologjisë.

Si i ndërthurni traditën dhe inovacionin?

Tradita është gjaku i kantinës. Ne jemi fanatikë në ruajtjen e saj. Por në të njëjtën kohë, pa inovacion nuk ecën dot përpara. Po punojmë për të çuar përpara prodhimin bio, për të futur standardizim të certifikuar dhe për të ndërtuar një markë të qëndrueshme ndërkombëtare. Jemi duke investuar në laboratorë, trajnim të stafit dhe teknologji të reja pa e humbur shpirtin e vjetër.

Mesazhi juaj për të rinjtë dhe për vreshtarët shqiptarë?

Vera nuk është thjesht një pije është kulturë, histori, traditë. U them të rinjve të mos e nënvlerësojnë tokën. Ka shumë vlerë te rrushi, te vreshtaria, te prodhimi cilësor. Kantina e Librazhdit është prova që me punë, përkushtim dhe dashuri për traditën, çdo gjë është e mundur.
Një gotë me histori, pasion dhe krenari shqiptare. Kantina e Verës Librazhd nuk është thjesht një pikë prodhimi. Ajo është një institucion që ruan kujtesën e një kohe tjetër, por që ecën përpara me frymën e së resë. Është një pasqyrë e mundësive që ka Shqipëria për të qenë konkurruese në tregjet europiane, për sa kohë i qëndron besnike vetvetes.

Z. Gjeta, cilat kanë qenë sfidat më të mëdha me të cilat është përballur kantina në këto dekada?

Përveç vështirësive klasike si mungesa e lëndës së parë pas viteve ’90, një nga goditjet më të rënda ka qenë kontrabanda e pijeve alkoolike dhe konkurenca e pandershme në treg. Për shumë vite, prodhues si ne që investojmë në teknologji, në cilësi, në standarde të kontrolluara, jemi përballur me produkte të paautorizuara, shpesh të falsifikuara, që shiten lirë dhe e dëmtojnë drejtpërdrejt imazhin e verës shqiptare. Kjo situatë nuk prek vetëm biznesin tonë, por dëmton gjithë prodhimin vendas, sepse konsumatori humbet besimin te produkti shqiptar. Është një sfidë që kërkon ndihmë institucionale, më shumë kontrolle dhe mbështetje për kantinat serioze që kontribuojnë realisht në ekonomi, në bujqësi dhe në punësim.

Një mesazh për institucionet dhe konsumatorët…

Sot është më e rëndësishme se kurrë të mbrohet prodhimi i ndershëm shqiptar. I bëj thirrje institucioneve që të luftojnë me forcë produktet e falsifikuara dhe kontrabandën. Dhe konsumatorëve, u them: mos e zgjidhni produktin vetëm për çmimin, por për cilësinë, për origjinën, për traditën që ai përfaqëson. Kantina e Verës Librazhd është këtu që prej vitit 1960 dhe kjo do të thotë shumë.Konsumoni produkte shqiptare. Konsumoni me krenari.

Intervistoi: Fatmir Popja 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME