Nga Fatmir Popja
Dy monumente natyrore dhe historike të rralla në lindje të Shqipërisë, “Kanioni i Menikut” në Njësinë Administrative Qukës dhe “Shpella e Plakës” në Çerçan, pranë fshatit Xhyrë në Njësinë Administrative Hotolisht të Librazhdit, janë gjithnjë e më shumë në vëmendje të ekspertëve dhe publikut, falë bukurisë unike dhe trashëgimisë së pasur që ato mbartin.
Ato janë cilësuar si asete të trashëgimisë natyrore dhe gjykohet se duhen vënë nën mbrojtje me qëllim të ruajtjen e vlerave të tyre origjinale natyrore.
Këto dy monumente natyre janë bërë pjesë e botës shpirtërore të banorëve të kësaj treve.
Specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan së fundi zyrtarisht kanë propozuar që “Kanioni i Menikut” dhe “Shpella e Plakës” të shpallen “Monument Natyre”, për shkak të vlerave të jashtëzakonshme natyrore, historike dhe kulturore që përfaqësojnë.
Kërkesa zyrtare i është drejtuar Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Kjo kërkesë pas shqyrtimit të tyre më pas do ti kalojë Këshillit të Ministrave për të marrë vendim për ti përfshirë në listën e Monumenteve dhe Gjeomonumenteve të Natyrës Shqiptare.
“Kanioni i Menikut”, një perlë gjeologjike dhe historike
I vendosur përgjatë lumit Bushtrica, vetëm 3 km mbi urën monumentale të Bushtricës, “Kanioni i Menikut” është një formacion gjeologjik mahnitës që të lë pa frymë me strukturën dhe pamjen e tij.
Me një gjatësi prej 180 metrash, thellësi që arrin deri në 50 metra dhe gjerësi që ngushtohet deri në 3 metra në disa segmente, ky kanion është një destinacion gjithnjë e më i preferuar për turistët e aventurës dhe dashamirësit e natyrës.
Në hyrje të kanionit ndodhet Ura e Prenit, një vepër inxhinierike me rëndësi historike, që mendohet të jetë ndërtuar në fundin e shekullit XVI. Me një hark të vetëm dhe ndërtuar me gurë të lehtë shtufi (bigorr), ura ka shërbyer për shekuj si lidhje mes lagjeve të fshatit Skroskë dhe rajoneve përreth.
Gjatë shfrytëzimit të minierës së Xixëllasit, mbi urë janë vendosur panele betoni për kalimin e automjeteve të rëndë, dëshmi kjo e shtresëzimeve historike që mbart ky monument.
Lumi Bushtrica, që përshkon kanionin është një nga lumenjtë më të vjetër në Europë dhe buron nga liqenet akullnajorë të Rrajcës në lartësitë mbi 2,000 metra mbi nivelin e detit.
Ai përshkon zonën e mbrojtur të UNESCO-s, pyjet e vjetra të Ahut në Rrajcë,një tjetër arsye e fortë pse ky destinacion duhet të marrë statusin e “Monumentit të Natyrës”.
“Shpella e Plakës” në Çerçan pranë Xhyrës, legjendë dhe mister mbi Gurrën e Zezë
Në një terren të thepisur mbi rrugët e vjetra tregtare që lidhnin Lindjen me Perëndimin, shunë pranë rrugës antike “Egnatia” ngrihet “Shpella e Plakës”, një vend me histori, legjendë dhe pamje mahnitëse.
Ajo që dikur ishte një “pusi” për grabitje tregtarësh, sot është një destinacion i rrallë për eksploratorët dhe pasionantët e historisë. Sipas rrëfimeve popullore,në këtë shpellë jetonte një plakë me dy djemtë e saj, të cilët zinin në pritë tregtarët që kalonin nga rruga Egnatia aty ky rrjedh sot Gurra e Zezë, një nga arteriet kryesore të qarkullimit mes Stambollit dhe Romës.
Legjenda thotë se djemtë mbanin veshje të blinduara që nuk depërtoheshin as nga shpata, e vetmja pikë e pambrojtur ishin sytë.
Shpella ndodhet në koordinatat N 410718.69; E 202248.28 dhe për t’u arritur kërkon hapjen e një rruge prej rreth 120 metrash. Hyrja madhështore e saj, me përmasa 20 m e lartë dhe 18 m e gjerë, të çon në thellësi të errëta dhe pasazhe natyrore unike.
Brenda saj ndodhet një dritare natyrore që sheh drejt Dardhës, si dhe një “ballkon” prej 10×2.5 metra që ofron pamje spektakolare në një kënd mjaft të gjerë.
Thirrje për mbrojtje dhe promovim
Duke u bazuar në vlerësimet e fundit të specialistëve të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura Elbasan dhe rëndësinë e këtyre objekteve, bëhet thirrje për njohjen dhe mbrojtjen ligjore të “Kanionit të Menikut” si Monument Natyre, dhe për nisjen e një procesi të ngjashëm për “Shpellën e Plakës”.
Të dyja këto pasuri natyrore përfaqësojnë një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit natyror,historik dhe kulturor në Shqipëri.
Në një kohë kur gjithnjë e më shumë turistë kërkojnë eksperienca autentike, thesare të tilla duhet jo vetëm të mbrohen, por edhe të promovohen si pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe ofertës turistike të vendit.Koha për veprim është tani “Kanioni i Menikut” dhe “Shpella e Plakës” janë pasuri që nuk duhet të mbeten në hije!