“Kafja e Skroskës”, të gjithë së bashku për të festuar si kurrë më parë

Nga Fatmir Popja

Më 15 gusht 2025, në fshatin piktoresk të Skroskës, një prej perlave të Bashkisë Prrenjas, do të organizohet edicioni i radhës i një prej festave më të dashura dhe më të veçanta të kësaj zone gjatë viteve të fundit, “Kafja e Skroskës”. Nuk është thjesht një festë. Është një ritual i gjallë, një akt dashurie kolektive, një takim i përvitshëm me kujtesën, rrënjët, dhe shpirtin e një komuniteti që nuk harron kurrë nga vjen.

Një histori që nis me një filxhan kafeje

“Kafja e Skroskës” ka lindur si një ide e thjeshtë, por me përmasa të mëdha emocionale. Që prej vitit 2017, çdo 15 gusht, ky fshat malor shndërrohet në qendër të festës, kulturës, mikpritjes dhe identitetit. Fillimisht ishte vetëm një takim i vogël miqsh e të afërmish, që ndanin një kafe në hijen e shtëpive të vjetra dhe kujtimet e fëmijërisë. Sot, është ngjarja më e madhe kulturore në këtë zonë, ku Skroska nuk është më thjesht një fshat, por një ndjenjë që pulson me gjithë fuqinë e saj.Në këtë ditë, Skroska zgjohet ndryshe. Zgjohet me tingujt e hapave që kthehen nga larg, me aromën e kafesë që përhapet në ajrin e pastër të fshatit.

“Kafja e Skroskës”, një festë që lidh të shkuarën me të ardhmen

“Kafja e Skroskës” është një prej ngjarjeve më të dashura kulturore e këtyre viteve. Ajo është një festë që nuk është thjesht një aktivitet artistik apo një panair lokal, është kthimi tek rrënjët, është përqafimi i kujtesës, është një rit dashurie ndaj vendlindjes, një përjetim i shpirtit kolektiv që nuk shuhet kurrë.

Nga një ide e thjeshtë, në një festë të madhe lokale plot emocione

E zhvilluar për herë të parë në vitin 2017, “Kafja e Skroskës” lindi si një dëshirë për të mbledhur së bashku banorët, të larguarit, emigrantët,miqtë dhe dashamirësit e këtij fshati të lashtë malor, për të ndarë një moment të përbashkët, një kujtim, një gotë ujë, një filxhan kafe, një këngë, një përqafim.
Çdo vit, më 15 gusht, Skroska zgjohet ndryshe. Zgjohet nga tingujt e muzikës, nga hapat e atyre që kthehen nga qytetet, nga mërgimi, nga çdo cep i botës ku ata jetojnë e punojnë prej 2-3 dekadash. Zgjohet me zërat e fëmijëve që lozin aty ku kanë lozur dikur prindërit e tyre. Zgjohet me aromën e kafesë që përhapet në natyrë, me tingujt e muzikës që shkund qetësinë e maleve dhe e shndërron në gëzim. “Kafja e Skroskës” nuk është një filxhan kafeje. Është një kujtesë. Është një shenjë që tregojmë se ende kujtojmë, ende duam, ende kthehemi.

Një ditë, një kujtim nga Skroska që nuk harrohet kurrë

Për një ditë të vetme, Skroska shndërrohet në një qendër të kulturës, trashëgimisë, dhe mikpritjes shqiptare. Një vend i vogël, por me zemër të madhe. Një fshat që ruan me fanatizëm vlerat më të mira të traditës shqiptare dhe që, përmes kësaj feste, i jep zë asaj që shumë zona të Shqipërisë përpiqen ta rikthejnë: bashkimin shpirtëror dhe kthimin në origjinë. Në këtë ditë, në këtë vend, çdo këngë, çdo fjalë, çdo shikim dhe çdo buzëqeshje mbartin domethënie të thellë. Është një kujtesë kolektive që nuk tretet, një festë që mbjell emocione për të korrur kujtime që zgjasin një jetë.

Çfarë do të ndodhë më 15 gusht 2025 në Skroskë?

Festimet do të nisin që herët në mëngjes dhe do të zgjasin deri në orët e pasdites rreth orës 19.00 bëjnë me dije organizatorët. Koncertet dhe muzika live nuk do të rreshtë në një skenë të hapur natyrore, ku do të performojnë emra të njohur të muzikës shqiptare, por edhe artistë vendas, të cilët do të sjellin shpirtin e kësaj treve me këngët, vallet dhe emocionet e tyre autentike.Panairi me gatime tradicionale, i përgatitur nga gratë dhe nënat e fshatit me receta që janë trashëguar brez pas brezi, me shije të pastër, të papërsëritshme dhe me dashurinë që vetëm kuzhina e nënës mund të dhurojë do të jetë një risi e kësaj feste. Gjithashtu nuk do mungojë ekspozita artizanale dhe aktivitetet kulturore, ku do të mund të njiheni me veshjet popullore, punimet me dorë, historinë lokale dhe trashëgiminë etnografike të kësaj zone.Kujtime të rralla dhe emocione të forta do të ketë mes banorëve që takohen pas shumë vitesh larg njëri-tjetrit.Gjithçka e bukur do të ndodhë në një atmosferë që nuk mund të rikrijohet askund tjetër përveçse në vendlindjen e tyre në Skroskë.

Thirrja që vjen nga zemra, ejani në Skroskë në 15 Gusht 2025

Thirrja e banorëve të Skroskës tashmë ka nisur të dëgjohet në të gjitha anët e Shqipërisë dhe përtej kufijve të saj. Nga Tirana në Durrës, nga Athina në Milano, nga Londra në Nju Jork. Zemrat e bijve të këtij fshati rrahin ndryshe në gusht.“Ejani! Silleni zemrën, silleni mallin, silleni fëmijërinë tuaj! Skroska ju mikpret si gjithmonë, me natyrën e saj, me njerëzit e saj të dashur, me sofrën e saj të ngrohtë plot e përplot, me kafen aromatikr e të shijshme që nuk është thjesht pije, por simbol dashurie.”

Një festë që nuk harrohet, një përvojë që mbetet në shpirt

“Kafja e Skroskës” është më shumë se një festë. Është një manifestim kulturor dhe shpirtëror që flet për jetën në male, për mikpritjen shqiptare, për vlerat që nuk treten me kohën. Është një ftesë për të gjithë ata që duan të përjetojnë nga afër trashëgiminë dhe shpirtin e thellë të këtij vendi të lashtë ilir. Në një botë ku gjithçka ecën me nxitim, Skroska ofron një çast ndalese, reflektimi dhe bashkimi. Më 15 Gusht 2025, mblidhuni në Skroskë! Një ditë në këtë fshat të vogël, do ta mbani gjithë jetën në zemër.
Një kafe në Skroskë nuk është fundi i një udhëtimi ,është fillimi i një rikthimi thonë vendasit. Kjo festë organizohet me mbështetjen e disa prej bijve të komunitetit të Skroskës, në bashkëpunim me artistë, artizanë, dhe vullnetarë që prej vitesh i japin jetë kësaj feste.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

San Siro i ri, detaje të reja: 52 metra i lartë dhe çati që ul zhurmën…

E ardhmja e futbollit të Milanit varet nga një...

Iu vendosi ultimatum, Fatmir Mediu nxjerr “zbuluar” Sali Berishën: Më tha shko në protestën e UÇK

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka folur në...

Rekordi i çmendur i gjyqtarit Turpin: 101 penallti të akorduara në Ligue 1!

Clément Turpin, gjyqtari i ndeshjes midis PSG dhe Strasbourg,...