Juventusi ka zyrtarizuar firmën me sulmuesin anësor Edon Zhegrova deri në vitin 2030. Me këtë transferim, 25-vjeçari nga Prishtina bëhet shqiptari i dytë nga Kosova që vesh fanellën bardhezi, pas Riza Lushtës legjendar.
Për të gjetur emrin e parë shqiptar te Juventusi duhet të kthehemi në vitin 1940. Riza Lushta (1916-1997), sulmuesi nga Mitrovica, la gjurmë të mëdha në futbollin italian. Pas shkëlqimit me SK Tiranën dhe kalimit te Bari në vitin 1939, ai u bashkua me Juventusin më 1940, ku luajti për pesë vite duke shënuar 50 gola në 90 ndeshje. Momenti kulmor ishte më 28 qershor 1942, kur realizoi tre gola në fitoren 4-1 ndaj Milanit në Torino.
Pas aventurës bardhezi, Lushta vijoi karrierën te Napoli, Alessandria, Cannes, Siena, Forfi e Rapallo Rivarol, duke e mbyllur futbollin aktiv në vitin 1954. Ai jetoi pjesën tjetër të jetës në Itali dhe u nda nga jeta më 6 shkurt 1997.
Lushta, përveçse një nga sulmuesit më të mirë shqiptarë të kohës, ishte edhe pjesë e themeluesve të kombëtares shqiptare në vitin 1936 me trajnerin Samo Singer.
Përkujtojmë gjithashtu se deri para pak vitesh (2022), pjesë e Juventusit ka qenë edhe Giacomo Vrioni, i cili grumbulloi vetëm 12 minuta me ekipin e parë.