Jakup Hasanllari, zotnia 24 karatësh i Voskopojës

Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Voskopojë! Fshati që rri si një perlë mbi malet e Korçës, një qytezë e vogël e larë me dritën e diellit të mëngjesit dhe mjegullën e bardhë që shtrihet si shall mbi supet e kodrave. Gurët e rrugicave të saj ruajnë historinë e shekujve, kishat me afreske mbajnë gjallë shpirtin e të parëve, ndërsa natyra përreth ia fal banorëve të vet ajrin e pastër dhe bimët shëruese.

Mes këtij mozaiku natyror e kulturor, jeton Jakup Hasanllari, apo siç e thërret gjithë fshati, Kupja. Një burrë që duket sikur ka dalë prej rrënjëve të vetë Voskopojës: i qetë si kroi i malit, i mençur si pisha e vjetër në majë të kodrës, i fortë si guri që nuk e lëviz as era, as bora.

Kupja është 64 vjeç dhe rrëfen me jetën e tij, se urtësia nuk matet me shkolla e diploma, por me mënyrën se si jeton e punon, me besimin që të tjerët vendosin mbi supet e tua. Në Voskopojë ka lindur një shprehje: “Nëse ke mbaruar shkollën e Kupes, je gati për jetën.”

Kjo nuk është shaka, është respekti që i bëhet një njeriu të ditur e të matur, që flet pak, por që çdo fjalë e tij ka peshë.

Origjina e tij lidhet me një familje të madhe, me dymbëdhjetë fëmijë. Një familje e ngjashme me pemën që shtrihet me degë në të katër anët e botës. Nga ai trung gjigant njerëzor, Kupja mbeti në Voskopojë. Ai e deshi vendin, e zgjodhi si shtëpi të përhershme dhe e bëri qendër të punëve të tij.

Me të shoqen, Ana Fidanin nga Krusheva, ngritën një familje me katër fëmijë. Dy djem dhe dy vajza që sot janë përhapur nëpër botë. Djali i madh, Manoli, jeton në Angli, ku ka ndërtuar familjen e tij. Njëra vajzë është e martuar me italian dhe jeton jashtë, ndërsa tjetra, e martuar në Elbasan, ka sjellë jetën në Tiranë. Në Voskopojë ka mbetur djali i vogël, Loris, një djalë 14-15 vjeçar, që tashmë ndihmon prindërit në minimarketin familjar.

Ana është një emër i njohur në fshat. Ajo bën djathë e gjalpë që s’kanë shoq. E zonja e shtëpisë, e durueshme, e qeshur dhe e ngrohtë, është krahu i djathtë i Kupes. Çdo mëngjes, aroma e djathit të freskët e bën shtëpinë e tyre të ndihet si një vatër mikpritjeje, ku nuk mungon as buka, as fjala e mirë.

Kupja është njeri i lidhur ngushtë me natyrën. E ka kthyer pasionin për bimët medicinale në biznes të qëndrueshëm. Në dyqanin e tij gjen gjithçka: çajra shërues, barishte të malit, raki kumbulle, fruta, perime e artikuj ushqimorë. Por mbi të gjitha, aty gjen komunikimin njerëzor, qetësinë dhe këshillën e tij të çmuar.

Ai nuk u shërben njerëzve vetëm me mall, por edhe me fjalë. Çdo barishte që shet ka një histori, çdo pije ka një kujtim, çdo gjë që kalon në duart e tij merr edhe një copëz urtësie.

Shtëpinë e ka zgjeruar, dhe tashmë ka 20 dhoma të kthyer në hoteleri për turistë vendas e të huaj. Në to gjen një mikpritje të rrallë: shtratin e pastër, gatimet e Anës, rakitë e Kupes dhe shoqërinë e fshatit.

Voskopojë nuk është vetëm natyrë, është edhe shpirt, dhe ky shpirt është i pranishëm në çdo dhomë që ka hapur Kupja për miqtë.

E pashë një mëngjes. Pas xhiros së zakonshme nëpër sheshin me kalldrëm, u çfaq Kupja dhe më ftoi për një kafe në klubin e qytezës. E shoqëruam edhe me një raki të fortë kumbulle. U ula. Në lokal kafja erëmonte si gjethja e lagur nga vesa. Rakia e kumbullës më ngrohu gjakun, pas një marshimi të gjatë prej disa kilometrash dhe në temperatura të ulta për stinën.

Biseduam pak, për punët e ditës dhe për planet. Ai nuk humb asnjë minutë kot. Edhe pushimin e ka të maturuar. Pas pak minutash u ngritëm, u përshëndetëm dhe secili mori udhën e vet.

Në ato pak çaste kuptova se Jakup Hasanllari është më shumë se një tregtar, më shumë se një mikpritës, më shumë se një baba i përkushtuar. Ai është një “dash me këmborë” këmborë që i prin fisit, një udhërrëfyes i heshtur që tregon me shembull e jo me fjalë.

Voskopoja ka fatin të ketë njerëz të tillë. Banorë që nuk e shohin jetën si një garë, por si një punë të përditshme që bëhet me nder, me respekt dhe me dashuri.

Kupja është një shkollë më vete. Është shkollë e urtësisë, e punës dhe e mikpritjes. Dhe derisa të ketë njerëz të tillë, Voskopoja do të mbetet gjithmonë e gjallë, me dritën e saj të qetë, me gurët që flasin, me barishtet që shërojnë dhe me njerëzit që dinë të të thonë: “Hajde, ulu për një kafe.”

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

“Pauza i bëri mirë ekipit” – Kacollja beson te kthesa e Elbasanit

Pas dy javëve me rezultate jo pozitive, Elbasani kërkon...

Ermal Elezi:Krenari të përfaqësoj Gramshin , një vend me rrënjë të thella dhe traditë të çmuar

  Me ndjenjë të veçantë përgjegjësie dhe krenarie, deputeti i...

Formacionet zyrtare/ Ndryshime në masë në radhët e kuqezinjve, si rreshtohen skuadrat në miqësoren Shqipëri-Jordani

Shqipëria pret Jordaninë në “Arenën Kombëtare”, në një duel...