Premier League është përfshirë në një skandal të ri pas deklaratave të ish-shefit të policisë suedeze, Fredrik Gardare, i cili ka thënë se disa futbollistë të kampionatit anglez kanë qenë të përfshirë në trukime ndeshjesh dhe baste të paligjshme.
Gardare, që ka udhëhequr hetime të nivelit të lartë mbi krimin e organizuar dhe manipulimin në sport, tha se gjatë një bastisjeje në një kazino të paligjshme në vitin 2021, policia konfiskoi telefona që përmbanin prova të qarta se lojtarë të Premier League kishin marrë pjesë në manipulime rezultatesh, përfshirë baste mbi kartonë të verdhë, goditje këndi dhe elementë të tjerë të lojës.
Ai ka qenë gjithashtu në qendër të një hetimi 18-mujor që ekspozoi ish-mesfushorin e Manchester City, Dickson Etuhu, i cili u dënua për përpjekje për të trukuar ndeshje në Suedi dhe u përjashtua për pesë vite nga futbolli.
Gardare theksoi se provat e reja konsiderohen “të qarta dhe të pakontestueshme”, por policia suedeze vendosi të mos e çonte më tej çështjen. Telefona me të dhëna të rëndësishme mbeten ende të sekuestruar në Stokholm. “Kam punuar me qindra raste të trukimit të ndeshjeve, por ky ishte më i qarti nga të gjithë. Është e pamundur të injorohet kur e sheh të dokumentuar në një celular të konfiskuar,” tha ai për Daily Mail.
Federata Suedeze e Futbollit konfirmoi se mori informacion “të përgjithshëm” nga policia, pa detaje specifike për shkak të sekretit hetimor. Ndërsa Premier League deklaroi se “nuk është në dijeni të kësaj çështjeje” dhe se kompetencat për hetime të tilla i takojnë Federatës Angleze të Futbollit (FA).
Sipas një raportimi të The Telegraph vitin e kaluar, të paktën pesë lojtarë të Premier League ishin kontaktuar nga rrjete ndërkombëtare të basteve të paligjshme për të ndikuar në ndeshje.



