Gjatë këtij viti, në Rajonin Nr. 4 janë realizuar disa investime të rëndësishme, duke zgjidhur edhe disa problematika të banorëve. Të gjitha këto investime janë diskutuar dhe përfshirë në procesin e buxhetimit me pjesëmarrje, ku kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputeti Adi Qose, zhvilluan një takim masiv me banorët e rajonit.
Llatja e vuri theksin tek Përroi i Zaranikës, një çështje që dikur ishte problem për lagjen. “Mbaj mend zaranikën, me problemin, se do të përmbyste lagjen, por Zaranika u zgjidh”.
Duke u ndalur tek investimet në infrastrukturën arsimore, Llatja shtoi se “U kemi dhënë një prioritet të madh investimeve në infrastrukturën arsimore gjatë këtyre viteve. Do të vazhdojmë vitin tjetër të investojmë në shkollat tona. E filluam me një shkollë në vit, kaluam në dy shkolla në vit dhe tani kemi kaluar në rikonstruksionin e tre shkollave në vit, si edhe po kryejmë sistemime të pjesshme për mbi 20 infrastruktura arsimore. Kjo është pozitive sepse po i bëjmë me buxhetet tona dhe me ndihmën e qeverisë shqiptare.”
Në Rajonin 4 kanë përfunduar investime në çerdhe dhe shkolla, përfshirë çerdhen nr. 2 dhe rikonstruksionin e shkollës “Bardhyl Popa”, ndërsa çerdhja nr. 5 ndodhet në ndërtim. Po ashtu, janë mbyllur punimet në lagjen “Aqif Pasha” dhe së shpejti do të mbyllet edhe lagjja “Visarion Xhuvani” dhe disa rrugë të vogla, duke përfunduar të gjithë Rajonin 4 dhe duke u fokusuar më pas tek zonat informale të qytetit.
Përveç zgjidhjeve infrastrukturore, Llatja foli edhe për projektin e rivitalizimit të Lagjes Kala. “Në Kala, ka dy javë që kanë ardhur arkitektët dhe po shohin banesat nga brenda, sepse kemi nisur projektin për rikonstruksionin e lagjes Kala, një projekt fantastik. Fillojmë nga rruga kryesore nga Porta e Kalasë deri tek “Via Egnatia”, ku do të restaurohen të gjitha banesat anash këtyre rrugëve dhe njëkohësisht po vazhdojmë edhe me projekte të tjera për zhvillimin e infrastrukturës brenda Kalasë.”
Deputeti Adi Qose theksoi rëndësinë e buxhetimit me pjesëmarrje. “Jam shumë i lumtur që ju shoh kaq shumë në një nga proceset më të rëndësishme, ku ju vendosni për investimet e vitit të ardhshëm. Kjo është mënyra më e drejtë që investimet të shkojnë aty ku nevojiten më shumë“, tha ai.
Në fund të takimit, banorët votuan për prioritetet e tyre, duke kontribuar drejtpërdrejt në vendosjen e investimeve që do të realizohen në vitin 2026.