Hotelet, si po rriten në Durrës e Shëngjin, dobët kryeqyteti: Vilat domonojnë jugun

Të dhënat e INSTAT treguan se pesha e aktivitetit të akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka shënuar rritje të shpejtë në raport me madhësinë e ekonomisë.

 

TIRANË – Rritja e turizmit po i jep hov dhe zhvillimit të hotelerisë, sidomos në zonat bregdetare. Të dhënat e INSTAT treguan se pesha e aktivitetit të akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka shënuar rritje të shpejtë në raport me madhësinë e ekonomisë. Në fund të vitit 2024, ky zë zuri 4.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Deri në vitin 2017, akomodimi dhe shërbimi ushqimor kontribuonte më pak se 2% të PBB-së. Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit e Mjedisit, deri në vitin 2023 janë kategorizuar zyrtarisht 1850 struktura, me një ritëm të shtuar të kategorizimeve në tre vitet e fundit.

Zbërthimi i ofertës së turizmit nxori në pah një rritje të dukshme të kapaciteteve të akomodimit, me një rritje të numrit të dhomave dhe shtretërve përkatësisht në 57 778 dhe 129 698 në vitin 2023. Megjithatë, mbizotërimi i strukturave akomoduese me qira afatshkurtër paraqet sfida për rritjen e qëndrueshme, sipas vlerësimit të Ministrisë së Turizmit. Në linjë me zhvillimin e turizmit, hotelet kanë rritur me shpejtësi të ardhurat vitet e fundit, por kjo tendencë ka qenë më e dukshme në bregdet, teksa kryeqyteti ka qëndruar në stanjacion, i ndikuar nga konkurrenca e njësive të vogla.I gjithë sektori është ndikuar negativisht nga rënia e Euros, që ka tkurrur të ardhurat, ndonëse hotelet raportojnë se kanë shitur më shumë dhoma. Pavarësisht rritjes, asnjë hotel nuk raporton më shumë se 2 miliardë lekë të ardhura, që do t’i siguronte një vend në listën e më të mëdhenjve të “Monitor 200”. Hotelet në bregdet, “dominon” Durrësi Zhvillimi i turizmit ka nxitur me shpejtësi investimet në strukturat hoteliere në bregdet.

Zona e Durrësit (përfshirë Gjirin e Lalëzit dhe Golemin), dhe e Kavajës (Qerretit), ishin të parat që sollën modelin e strukturave të mirëfillta hoteliere, me ushqim të përfshirë, pas kontratave që lidhën me agjencitë e mëdha turistike. Ky koncept u përqafua dhe në Shëngjin të Lezhës. Në Jug, zhvillimi u orientua më së shumti në fshatrat turistikë, ku më i madhi është “Green Coast” dhe së fundmi po investohet në struktura hoteliere me 5 yje, në bashkëpunim me marka ndërkombëtare. Në qershor 2025 filloi aktivitetin “Green Coast Hotel – MGallery Collection”

Grupi “Fafa” është më i madhi jo vetëm në bregdet, por edhe në vend, si për kapacitetet hoteliere, edhe për të ardhurat. Nga viti 2020, aktiviteti i “Fafa” sh.p.k. është i ndarë në dy shoqëri. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024, të ardhurat e “Grand Blue Fafa” dhe “Fafa Resort” arritën në 1.75 miliardë lekë, me rritje 20% me bazë vjetore, pas zgjerimit prej 31% vitin e mëparshëm. “Grand Blue Fafa” kishte të ardhura prej 942 milionë lekësh dhe “Fafa Restort” 805 milionë lekë në 2024-n. Grupi ka 7 hotele “Grand Blue Fafa”, “Fafa Aqua Palace”, “Fafa Aqua Blue”, “Fafa Beach”, “Fafa Sun Hotel”, “Fafa Mel Holiday”, “Fafa Premium”, në zonën e Golemit dhe Kavajës.

Së fundmi, shoqëria ka marrë dhe leje zhvillimi për një “Strukturë hoteliere dhe rezidenciale 3-4-5-7-8-10-11-14-19 kate mbi tokë, me 3 kate nën tokë”, me vendndodhje në Kryemëdhenj, Bashkia e Kavajës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Grand Blue Fafa Resort” sh.p.k. Të gjitha hotelet kanë një kapacitet prej 900 dhomash, me mbi 1,900 shtretër. Në struktura janë 480 të punësuar. “Fokusi i ‘Fafa Group’ ka qenë këto vite konsolidimi i markës ‘Fafa’ dhe janë disa struktura nën këtë grup të cilat kanë krijuar standardin dhe imazhin e tyre.

Në këtë fazë mendoj se ka ardhur koha që përveç turizmit masiv, ku ne kemi pasur pjesën tonë të suksesit, të angazhohemi në një standard të ri në hoteleri. Jemi në fazat e procedurave për një objekt të ri me 200 dhoma që do të jetë në zonën e Golemit që njihet si Kryemëdhenj. Do të jetë një strukturë që do të mbajë një markë ndërkombëtare me të cilën ne jemi në negociata. Kjo më bën shumë optimist, jo vetëm për zgjerimin, por edhe për mundësinë që rajonit të Durrësit t’i shtojmë një markë të një standardi të lartë që i jep tjetër vizibilitet destinacionit”, pohon Fatos Çerenishti, sipërmarrësi i “Fafa Group”.

“Management Hospitality Albania”, që ka në pronësi hotelin “Meliá” në Gjirin e Lalëzit, një investim i “Concord Investment”, ka vijuar rritjen e shpejtë. Në vitin e dytë të plotë të aktivitetit, të ardhurat arritën në gati 1.7 miliardë lekë, me një rritje prej 41.5% në krahasim me 2023, kur filloi funksionimin. Sipas Ministrisë së Turizmit, struktura ka 669 dhoma. Juan Tuñon, Menaxher i Përgjithshëm i “Meliá Durrës”, ka pohuar në një intervistë për “Monitor” se “që nga fillimi ynë, progresi ka qenë i jashtëzakonshëm.

Kemi parë një rritje të ndjeshme në njohjen e markës, kthimin e klientëve që na zgjedhin përsëri dhe në mundësitë e partneriteteve. Zhvillimet në infrastrukturë, rritja e besimit të investitorëve dhe mbështetja në rritje e qeverisë për turizmin kanë ndikuar pozitivisht. Prania e ‘Meliá’ është zgjeruar në përputhje me identitetin në zhvillim të turizmit shqiptar dhe jemi krenarë që po kontribuojmë në ngjitjen e Shqipërisë si një destinacion me potencial të lartë në Mesdhe”. Ai shton se “portofoli ynë prej 22 projektesh të markës ‘Meliá’ po ecën mirë, me disa prona që ndodhen në faza të avancuara të zhvillimit ose projektimit.

Partnerët tanë investues mbeten të përkushtuar duke parë vlerë afatgjatë në ekonominë turistike të Shqipërisë. Ne parashikojmë hapje të njëpasnjëshme gjatë viteve në vijim, gjë që jo vetëm do të diversifikojë praninë e ‘Meliá’-s, por edhe do të ngrejë më tej nivelin e sektorit të mikpritjes në vend. Shqipëria vazhdon të jetë një destinacion tërheqës për investime falë vijës së saj të paprekur bregdetare, mjedisit pro-biznes dhe vendndodhjes strategjike”.

“Rafaelo Resort” është një nga strukturat më të mëdha të hotelerisë e turizmit në vend, me aktivitet në zonën e Shëngjinit. Në vitin 2024, shoqëria raportoi të ardhura prej 1.2 miliardë lekësh, me rritje 7.5% me bazë vjetore. Resorti ka 657 dhoma dhe apartamente me kapacitet prej 2000 – 2100 shtretër duke qenë struktura më e madhe në vend nga numri i shtretërve. “Bonita”, me aktivitet në zonën e Golemit, raportoi të ardhura prej 512 milionë lekësh, me rritje 5.3%. Shoqëria ka dy komplekse hoteliere të mëdha, ka marrë në administrim hotelin “Dolce Vita”.

Kompania po vijon zgjerimin teksa së fundmi ka marrë një leje ndërtimi për objektin: “Godinë shërbimi hoteleri me 21 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë”, me vendndodhje në Golem, Bashkia e Kavajës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Bonita Konstruksion” sh.p.k. “Hotel Brilliant” në Durrës deklaroi 483 milionë lekë të ardhura, me rënie 7.4%. Kompania është e përfshirë dhe në projektet rezidenciale po në bregdet. “Grand Brilliant” që po zhvillon projekte ndërtimesh rezidenciale në zonën e Kavajës, sipas faqes zyrtare, deklaroi të ardhura prej 464 milionë lekësh në 2024-n, me mbi 6-fishim në raport me vitin e mëparshëm.

“Royal G” po në Golem kishte të ardhura prej gati 500 milionë lekësh në vitin 2024. Në Jug, struktura më e madhe hoteliere është “Marina Bay”, pjesë e “Maritim”, me të ardhura gati 500 milionë lekë në 2024, me rritje 12.5%. Në zgjerim të shpejtë është dhe “SOLEIL & SEA- SOLEIL”, në Jal, Himarë, me konceptin e vilave e apartamenteve luksoze që jepen me qira. Të ardhurat për vitin 2023 ishin 580 milionë lekë.

Kryeqyteti, me rritje më të dobët

Në kryeqytet, tregu i hoteleve është më i vakët se i bregdetit. Shtimi i konkurrencës, teksa shumë marka po hyjnë në Tiranë, rënia e Euros dhe konkurrenca nga njësitë informale akomoduese në Booking dhe Airbnb po ndikojnë në këtë ecuri. “The Plaza Tirana”, që menaxhon hotelin më të madh në kryeqytet, “Maritim Hotel Plaza Tirana”, deklaroi të ardhura prej 1.15 miliardë lekësh në vitin 2024, pothuajse në të njëjtin nivel të një viti më parë, pas tkurrjes me 13% në vitin 2023. Sipas burimeve nga kompania, ecuria negative lidhet kryesisht me zhvlerësimin e Euros, që ka ulur ndjeshëm të ardhurat, si dhe informalitetin e lartë në treg, që nuk mundëson vendosjen e çmimeve të larta sipas kategorizimit të yjeve.

“Ndonëse numri i dhomave të shitura për vitin 2024 ka qenë më i lartë se viti 2023, fitimi i vitit 2024 është më i ulët se ai i vitit 2023. Një ndikim të ndjeshëm këtu ka pasur ulja e theksuar e kursit të këmbimit. Ky është një nga faktorët kryesorë të uljes së të ardhurave nga shitja e dhomave. Gjatë këtij viti kemi pasur një rritje të numrit të turistëve edhe nga vende nga të cilat nuk kemi pasur më parë, si Izraeli, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara dhe Katari”, thuhet në raportin e aktivitetit. Hoteli ka nisur aktivitetin në vitin 2016 dhe prej vitit 2019 është pjesë e rrjetit gjerman “Maritim Hotels”.

“Tirana Marriott Hotel”, pjesë e grupit “Finman”, është struktura e dytë më e madhe hoteliere në kryeqytet, me të ardhura prej gati 1 miliard lekësh në 2024-n, viti i parë që ka raportuar aktivitetin si e ndarë nga “Alb-Star”, përmes shoqërisë “Finman Hospitality”. “Golden Eagle”, që menaxhon “Rogner Tirana”, raportoi 866 milionë lekë të ardhura, me rritje vjetore 8.4%. “Aktiviteti ekonomik gjatë vitit 2024 ka qenë në kuotat e një viti të mirë duke shënuar dhe një rritje në zënshmërinë e hotelit në masën 6,46%. Në mënyrë që të ruajë avantazhin konkurrues të saj dhe të zhvillojë e forcojë pozitën e saj në treg, shoqëria ka vijuar me planin për investime në rikonstruksionin e plotë të dhomave – faza e dytë duke rritur kështu më tej veprimtarinë ekonomike të saj”, thuhet në raportin e aktivitetit.

“Geci” që administron “Hotel Tirana International”, raportoi të ardhura vetëm nga Hoteli prej 741 milionë lekësh, me rritje prej 12%. Kompania ka investuar në hotelin e ri, me markën ndërkombëtare “InterContinental”, që pritet të vihet në funksion së shpejti. “Xheko Imperial” është struktura akomoduese me rritjen më të shpejtë në kryeqytet, prej 27%, duke gjeneruar të ardhura prej 609 milionë lekësh. “Kastrati Hotels & Towers”, që menaxhon “Mak Albania Hotel”, raportoi rënie të të ardhurave me 2.2%, në 533 milionë lekë, pas tkurrjes me 4% vitin e mëparshëm. Alpas 2E”, operatori pas administrimit të “Hilton Garden INN Tirana” kishte të ardhura prej 433 milionë lekësh, me rritje 25%.

Agroturizmet, modeli i “Mrizit të Zanave”

Nga agroturizmet veçohet “Mrizi i Zanave”, që shfrytëzoi në mënyrë të zgjuar avantazhet e zonës rurale dhe frymëzoi krijimin e shumë agroturizmeve të tjerë në Shqipëri. Të ardhurat e shoqërisë ishin 442 milionë lekë në 2024-n, me një rritje të lehtë prej 2%, nivele që janë të ngjashme me qarkullimin vjetor të hoteleve relativisht të mëdha në vend. “Mrizi i Zanave” është konceptuar nga Altin Prenga, si një model inovativ i agroturizmit që ndërthur traditën shqiptare me qasje moderne dhe të qëndrueshme. Ai e ka ndërtuar këtë impiant agroturistik në Fishtë të Lezhës duke rikthyer vlerën e produkteve bujqësore lokale dhe duke krijuar një rrjet bashkëpunimi me fermerët e zonës.

Shefi Altin Prenga ka pohuar më herët për “Monitor” se këtë model e pa fillimisht në Itali, ku numërohen mbi 50 mijë njësi agroturizmi. Në çdo pikë që ai ka vizituar atje, kuzhina dhe dialekti ndryshon sipas zonave. Sa herë vinin në Shqipëri, ndienin që në restorante mungonte lidhja e traditës dhe identitetit. Për këtë arsye vendosi që të hapte një restorant ku do të sillte gatime tradicionale. “Mrizi i Zanave” ka qenë një gjenerator punësimi për të gjithë zonën, në mënyrë direkte dhe indirekte. Thuajse i gjithë stafi i tij është marrë nga zona dhe janë kryesisht të rinj. Sipërmarrja synon ciklin e mbyllur në njësitë e tij të agroturizmit, duke siguruar të gjithë lëndën e parë nga restoranti me prodhime vendase.

Investimet e reja, në markat me 4 dhe 5 yje

Investimet në struktura hoteliere marka ndërkombëtare kanë arritur në 792 milionë euro, sipas dokumentit të strategjisë së turizmit 2024 – 2030. Pas paketës së vitit 2018, që synonte nxitjen e investimeve në struktura me katër dhe pesë yje marka ndërkombëtare, duke u dhënë atyre lehtësi fiskale, një sërë markash ndërkombëtare kanë hyrë në vend. Ministria e Turizmit thekson se në tregun e investimeve në turizëm në Shqipëri ka spikatur hyrja e markave ndërkombëtare të hoteleve: Investimet kryesohen nga hotelet e markës “Meliá”, me 669 dhoma të projektuara, ndërsa vendin e dytë e mbajnë hotelet e markës “Accor”, me 616 dhoma të planifikuara, pasuar nga “Hyatt”, me 447 dhoma;

Për sa u përket investimeve totale për dhomë, kryesojnë investimet në hotelet e markës “Marriott”, me një investim mesatar prej 322 581 eurosh për dhomë, pasuar nga hotelet “Hilton”, me 201 149 euro për dhomë, dhe “Meliá” me 122 571 euro investim për dhomë. Në lidhje me shifrat totale të investimeve, kryeson “Accor” me një vlerë totale investimi prej 122 milionë eurosh, pasuar nga “Marriott” me 100 milionë euro dhe “Meliá”, me 82 milionë euro; Nga një vlerë totale investimesh prej 792 milionë eurosh, 65% janë projekte të kategorisë me 5 yje, me një investim total prej 615 milionë eurosh, ndërsa projektet me 4 yje përfaqësojnë 35% të totalit, me 177 milionë euro investime.

Hyrjet e hoteleve marka janë bërë të mundura kryesisht nëpërmjet bashkëpunimeve mes partnerëve shqiptarë dhe markave ndërkombëtare duke marrë kundrejt pagesës emrin dhe duke zbatuar standardet që imponon ai. “Meliá” ka hyrë në Shqipëri nëpërmjet grupit të ndërtimit dhe hotelerisë, “Edil Al-it”. “Marriot” ka hyrë nëpërmjet kompanisë vendase “Alb Star”. “Hyatt Regency and Residences Tirana” vjen bazuar në një marrëveshje me grupin “Kastrati”, për menaxhimin e hotelit “MakAlbania”. “Meliá” është deri tani marka më e suksesshme nga linjat ndërkombëtare, duke shënuar rritje të shpejtë në 2023 – 2024 dhe po bëhet gradualisht operatori më i madh hotelier në vend.

Në një marrëveshje me “Accor”, grupi BALFIN zhvilloi një strukturë të segmentit luksoz që nisi operimin në fund të qershorit 2025. Kjo strukturë ndodhet në Palasë, ku i njëjti grup ka ndërtuar një projekt vilash turistike të shtrirë në dy faza. Hoteli në fjalë që ka marrë emrin e kompleksit, “Green Coast Hotel – MGallery Collection” ka 131 dhoma dhe suita, një Spa me pesë nivele, si dhe katër koncepte gastronomike. Së fundmi, Komiteti i Investimeve Strategjike i ka dhënë status strategjik “Grand Hotel Borsh” që synon të ndërtojë një strukturë me 5 yje, i cili do të përfshijë 240 dhoma dhe 4 vila private.

“Vlera e investimit të projektit të investimit ‘Radisson Individuals Premium Borsh’ i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë mbi 27.6 milionë euro”, sipas vendimit. “Grand Hotel Borsh” zotërohet nga dy sipërmarrje “A.TOTO” dhe “Fab Construction”, përkatësisht me 33% dhe 67% të aksioneve. Investimi në këto hotele të markave nuk vjen pa rreziqe. Turizmi elitar në Shqipëri përballet me disa pengesa themelore: mungesë standardesh të unifikuara dhe kontrolli cilësie në akomodim, nevojë për rregullim të qartë të tregut (klasifikim, qira afatshkurtra), mangësi në menaxhimin e destinacioneve, si dhe mungesë kapacitetesh dhe aftësish në fuqinë punëtore — sidomos për shërbime “high-end”.

Këto lidhen edhe me infrastrukturën publike (ujë/kanalizime, menaxhim mjedisor), që mbetet kusht kritik për destinacionet premium. Ministria e Turizmit pranon se kalimi drejt segmentit “high-spend” kërkon rritje të standardeve, zbatim të klasifikimit dhe forcim të menaxhimit të destinacioneve, krahas investimeve dhe rregullave më të qarta fiskale/rregullatore./Monitor.al

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

PD kërkon shkarkimin e Peleshit në Këshillin e Legjislacionit, Gjiknuri: Rrëzojmë pretendimet e opozitës

Nën  drejtimin e Aulona Bylykbashit, në cilësinë e kryesueses...

Analiza/ “Kartoni i verdhë për shqiponjën, Armando Duka duhet të vejë në vend dinjitetin e Shqipërisë

Nga Ergys Mërtiri Armando Duka duhet të nisë urgjentisht një...

PS kundër “gjinisë së tretë”/ Mazhoranca kundërshton draftin e Ministrisë së Shëndetësisë: Ka vetëm burrë dhe grua

Shoqëri tradicionale apo mbështetje për komunitetin LGBTI? Debati publik...

Muharrem Dosti: Humbja ndaj Vllaznisë nuk është fundi, por një mësim i çmuar për Elbasanin

Ish-trajneri dhe portieri i njohur i Elbasanit, Muharrem Dosti,...