Në hollin e Pallatit të Kongreseve u zhvilluan sot homazhe në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra me armë zjarri gjatë një seancë gjyqësore brenda gjykatës së Apelit.
Për t’i dhënë lamtumirën e fundit, në homazhe morën pjesë personalitete të larta të shtetit, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, kolegë, miq dhe familjarë.
I pranishëm për të kryer homazhe ishte edhe kreu i shtetit, presidenti Bajram Begaj, ministra, si dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, nga të gjitha grupet politike parlamentare.
Homazhet në nderim të Kalasë zgjatën për rreth dy orë dhe më pas trupi i pajetë i gjyqtarit u përcoll për në banesën e fundit në Shkodër, qytetin e tij të lindjes.
Gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda sallës së gjyqit më 6 tetor. Autori i ngjarjes, palë e dëmtuar në proces, u arrestua. Policia vuri në pranga edhe xhaxhain e tij si bashkëpunëtor, si dhe rojën e sigurisë në Gjykatën e Apelit për shpërdorim detyre.