Historia frymëzuese e piktores librazhdase Zana Rruplli :Nga vizatimet e fëmijërisë ,sot një emër i shquar i artit pamor shqiptar në Tiranë

NGA FATMIR POPJA

Në artin pamor shqiptar, emri i Zana Rrupllit vjen si një dëshmi e qartë se talenti, kur bashkohet me këmbënguljen dhe përkushtimin, shndërrohet në një histori suksesi. E lindur më 10 qershor 1988 në qytetin e Librazhdit, ajo është një artiste që ka ndërtuar hap pas hapi identitetin e saj krijues, duke u formuar në institucionet më të rëndësishme artistike në vend dhe duke u përballur me sfida reale që në fillimet e saj.

Rrugëtimi i saj nis që në fëmijëri, ku pasioni për vizatimin shfaqet herët dhe konkretizohet përmes pjesëmarrjes në konkurse, ku shpesh vlerësohej me çmime të para. Ky talent i natyrshëm do të merrte drejtim profesional në klasën e 6-të, kur ajo nisi të marrë mësimet e para pranë piktorit të njohur Sami Roçi. Më tej, një tjetër figurë kyçe në formimin e saj ishte piktori Edmond Rira, i cili jo vetëm që identifikoi potencialin e saj, por edhe e mbështeti konkretisht në rrugën artistike.

E përgatitur privatisht nga piktori  i mirënjohur Arif Lushi, Zana Rruplli arriti të fitojë të drejtën për të studiuar në Liceun Artistik “Onufri” në Elbasan, ku u rendit e 6-ta në konkurs pranimi. Katër vitet në këtë institucion përbëjnë themelet e saj profesionale, duke vijuar më pas me studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë (2008–2011), ku përfundoi Bachelor në Pikturë, dhe më tej Masterin në Arte të Bukura (2011–2013).

Gjatë kësaj periudhe, ajo ndërtoi edhe eksperiencën e saj profesionale, duke punuar si piktore në galerinë private “E. Rira” (2009–2012), eksperiencë që i dha jo vetëm zhvillim artistik, por edhe aftësi në komunikimin me publikun dhe tregun e artit.

Sot, Zana Rruplli jeton dhe ushtron aktivitetin e saj në Tiranë, ku prej vitit 2019 drejton studion e saj si artiste krijuese  e pavarur. Aktiviteti i saj përfshin projekte në pikturë, arte vizive dhe dizajn, organizimin e kurseve të artit për fëmijë dhe të rritur, si dhe realizimin e veprave të personalizuara.

Karriera e saj është e pasuruar me një gamë të gjerë eksperiencash profesionale , guida arti në Galerinë Kombëtare të Arteve, bashkëpunëtore në atelierin e Altin Micit, stiliste mode, kuratore mozaiku në Kishën Ortodokse, si dhe mësuese arti në Oslo të Norvegjisë. Gjithashtu, ka punuar në fushën e grafikës dhe publicitetit, duke dëshmuar një profil të gjithanshëm artistik.

Ekspozitat përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të krijimtarisë së saj. Ajo ka hapur disa ekspozita personale, duke nisur që në vitin 2005 në Librazhd, për të vijuar në 2010 dhe për të arritur kulmin me ekspozitën “Ndërthurja” në vitin 2012, një projekt që bashkon elementët e traditës shqiptare me artin bashkëkohor, duke vendosur në qendër figurën e femrës. Kjo ekspozitë u prezantua gjithashtu në Tiranë dhe në Kosovë (Viti dhe Rahovec), duke marrë vlerësime të gjera.

Paralelisht, ajo ka qenë pjesë e shumë ekspozitave kolektive në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe ka marrë pjesë në konkurse artistike ku është vlerësuar me çmime, përfshirë çmimin e parë në “Qytet Studenti” në vitin 2012 dhe çmimin e tretë në vitin 2008.

Në këtë intervistë ekskluzive, znj.Zana Rrupulli rrëfen rrugëtimin e saj, sfidat, sukseset dhe vizionin për artin.

………………………………………………………..

Znj. Rruplli, si ka nisur rrugëtimi juaj në art dhe cilat kanë qenë hapat e parë që ju orientuan drejt kësaj rruge?

Rrugëtimi im në art ka nisur që në fëmijëri, në një mënyrë shumë natyrale. Që në shkollë fillore vizatoja me shumë pasion, sidomos personazhet e librave që lexoja, duke u përpjekur t’i sillja në jetë përmes ngjyrave dhe formave. Merrja pjesë në konkurse të ndryshme dhe shpesh vlerësohesha me çmime të para, gjë që më motivonte edhe më shumë. Megjithatë, duhet ta pranoj që në fillim prindërit e mi nuk ishin plotësisht dakord që ta ndiqja artin si profesion, pasi e shihnin si një rrugë të vështirë. Por pasioni im ishte më i fortë dhe vendosmëria për të mos hequr dorë më çoi përpara.

Kush kanë qenë figurat që kanë ndikuar më shumë në formimin tuaj artistik?

Në klasën e 6-të fillova kursin tim të parë serioz me profesorin dhe piktorin e njohur Sami Roçi, i cili më mësoi bazat e vizatimit dhe përdorimit të ngjyrave. Më pas, një moment shumë i rëndësishëm ishte takimi me piktorin Edmond Rira, i cili pa tek unë një potencial dhe më inkurajoi fort të vazhdoj. Ai ka qenë një nga mbështetësit më të rëndësishëm në rrugëtimin tim. Gjithashtu, përgatitja me piktorin Arif Lushi për konkursin e pranimit në Liceun Artistik ishte një hap kyç që më ndihmoi të ndërtoj themele të forta profesionale.

Si e kujtoni periudhën në Liceun Artistik “Onufri” dhe sa ndikoi ajo në formimin tuaj?

Liceu Artistik “Onufri” ka qenë një nga periudhat më të rëndësishme të jetës sime. U rendita e 6-ta në konkursin e pranimit dhe kjo ishte një arritje shumë e madhe për mua në atë kohë. Katër vitet në këtë shkollë më ndihmuan të zhvilloja disiplinën, të kuptoja më thellë artin dhe të ndërtoja një bazë të fortë teknike që më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës sime.

Çfarë përfaqësojnë për ju studimet në Akademinë e Arteve të Bukura?

Studimet në Akademinë e Arteve kanë qenë realizimi i një ëndrre të madhe. Fillova në vitin 2008 dhe ishte një periudhë shumë intensive dhe e bukur njëkohësisht. Pas vitit të parë, duke kërkuar mundësi pune në Tiranë, u ritakova me Edmond Rirën, i cili më pranoi në galerinë e tij. Aty fitova një eksperiencë shumë të vlefshme, jo vetëm në aspektin artistik, por edhe në komunikimin me klientët dhe kuptimin e tregut të artit.

Ekspozita juaj e parë personale daton që në vitin 2005. Si e kujtoni atë eksperiencë?

Ekspozita ime e parë personale u hap më 24 qershor 2005 në Librazhd dhe ishte një moment shumë i rëndësishëm për mua, pasi isha ende në Liceun Artistik. Ajo përfshinte kryesisht natyra të qeta të realizuara në teknikën e akuarelit. Ishte hera e parë që përballesha drejtpërdrejt me publikun dhe ishte një emocion i jashtëzakonshëm të shihja reagimet e tyre ndaj punëve të mia.

Si ndryshoi qasja juaj artistike në ekspozitën e dytë personale në vitin 2010?

Në ekspozitën e dytë, e cila u zhvillua më 22 tetor 2010, ndjeva se kisha arritur një stad më të pjekur artistik. Prezantova peizazhe nga qyteti im dhe natyra të qeta, por këtë herë duke përdorur teknika më të avancuara si akriliku dhe vaji. Ishte një periudhë ku fillova të eksperimentoja më shumë dhe të kërkoja një identitet më të qartë artistik.

Ekspozita “Ndërthurja” konsiderohet si një pikë kthese në karrierën tuaj. Çfarë e bën atë kaq të veçantë?

“Ndërthurja” është ndoshta projekti më përfaqësues i krijimtarisë sime. U hap më 4 shtator 2012 në Shtëpinë e Kulturës në Librazhd, me ftesë nga mjeshtri i madh Sadi Halili, i cili ka qenë një mbështetje shumë e rëndësishme për mua. Kjo ekspozitë solli një qasje të re në artin tim, duke ndërthurur elementët e traditës shqiptare me artin bashkëkohor dhe duke vendosur në qendër figurën e femrës si simbol identiteti, force dhe trashëgimie kulturore.

Sa ndikim pati mbështetja e Sadi Halilit në këtë etapë të rëndësishme të karrierës suaj?

Mbështetja e tij ka qenë shumë e rëndësishme dhe vendimtare. Ai më ka inkurajuar të besoj tek vetja dhe të guxoj më shumë në krijimtarinë time. Jam shumë mirënjohëse për gjithçka që ka bërë për mua dhe për besimin që më ka dhënë në momentet kyçe të rrugëtimit tim artistik.

Si u prit “Ndërthurja” nga publiku brenda dhe jashtë vendit?

Ekspozita u mirëprit shumë mirë. Pas Librazhdit, ajo u rihap në Tiranë, në atelienë e stilistes Tatiana Isaj, dhe më pas në Kosovë, në Shtëpinë e Kulturës “Gursel Bajram Sylejmani” në Viti dhe në Rahovec. Reagimet e publikut kanë qenë shumë pozitive dhe kjo më ka dhënë shumë motivim për të vazhduar në këtë drejtim.

Keni marrë pjesë edhe në shumë ekspozita dhe konkurse kolektive. Sa kanë ndikuar këto eksperienca në zhvillimin tuaj?

Kanë qenë shumë të rëndësishme. Gjatë studimeve kam marrë pjesë në shumë konkurse në Qytet Studenti, ku jam vlerësuar edhe me çmime, si çmimi i tretë në vitin 2008 dhe çmimi i parë në vitin 2012. Gjithashtu, kam qenë pjesë e ekspozitave kolektive në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe në koloni artistësh. Këto eksperienca më kanë ndihmuar të rritem profesionalisht dhe të shkëmbej ide me artistë të tjerë.

Ju keni një eksperiencë të gjerë profesionale në fusha të ndryshme të artit. Si ka ndikuar kjo në stilin tuaj?

Eksperienca ime në fusha të ndryshme si grafika, moda, mozaiku dhe mësimdhënia ka ndikuar shumë në formimin tim artistik. Më ka ndihmuar të kem një qasje më të hapur dhe më eksperimentale ndaj artit dhe të ndërthur elementë të ndryshëm në krijimtarinë time.

Aktualisht drejtoni studion tuaj artistike. Çfarë përfshin puna juaj sot?

Që nga viti 2019 punoj si artiste e pavarur dhe drejtoj studion time në Tiranë. Puna ime përfshin projekte në pikturë, arte vizive dhe dizajn, organizimin e kurseve të artit për fëmijë dhe të rritur, si dhe realizimin e veprave të personalizuara. Është një punë që më jep shumë kënaqësi, sepse më lejon të jem krijuese dhe të ndaj pasionin tim me të tjerët.

Sa i rëndësishëm ka qenë roli i familjes në këtë rrugëtim?

Familja ka qenë një shtyllë shumë e fortë për mua. Edhe pse në fillim kishin rezerva, më pas u bënë mbështetësit e mi më të mëdhenj. Një rol shumë të rëndësishëm ka pasur edhe bashkëshorti im, i cili më ka mbështetur në çdo hap të rrugëtimit tim.

Çfarë ju motivon sot për të vazhduar krijimtarinë tuaj?

Dashuria për artin është motivimi im kryesor. Disiplina dhe përkushtimi kanë qenë gjithmonë çelësi i suksesit tim. Çdo vepër është një mënyrë për të shprehur emocione dhe për të komunikuar me publikun.

Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve që duan të ndjekin artin?

Do t’u thoja të besojnë tek vetja dhe të mos dorëzohen. Arti kërkon shumë punë, durim dhe përkushtim, por nëse e bëjnë me zemër, mund të arrijnë shumë larg.

Dhe së fundi një detajim i ekspozitave ku keni marrë pjesë deri tani ?

Ekspozita personale

2005 – ‘Shtëpia  e Kulturës’, Librazhd

2010 – ‘Shtëpia  e Kulturës’, Librazhd

2012 – ‘Shtëpia  e Kulturës’, Librazhd

2013 – Atelier Mode ‘Tatjana Isaj’, Tiranë

2013 – ‘Shtëpia e Kulturës’ Gursel Bajram Sylejmani, Viti, Kosovë

2013 – Mensure Zyberaj ‘Shpia e Kulturës’, Rahovec, Kosovë

-Ekspozita kolektive

2008 – Konkursi Qyteti Studenti, Tiranë – Çmimi i tretë

2009 – Konkursi Qyteti Studenti, Tiranë

2009 – Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Tiranë

2010 – Konkursi Qyteti Studenti, Tiranë

2011 – Konkursi Qyteti Studenti, Tiranë

2012 – Konkursi Qyteti Studenti, Tiranë – Çmimi i parë

2013 – ACCA, Galeria e Vogël, Tiranë

2014 – Art, Styling, Arkitekturë – The Art Space Ekspres

2014 – Bienalja e vizatimit, Galeria e Arteve, Ferizaj, Kosovë

Faleminderit për intervistën Zana dhe ju urojmë suksese në të ardhmen  në këtë rrugëtim tuaj .

Edhe unë dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për median Albania Express News për hapësirën dhe vëmendjen që i kushtoi rrugëtimit tim artistik. Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë të ndaj eksperiencën dhe pasionin tim për artin me publikun përmes një platforme serioze dhe profesionale si kjo.

Falënderoj gjithashtu stafin tuaj  për realizimin e kësaj interviste dhe për promovimin e vlerave artistike. Mbështetja e mediave është shumë e rëndësishme për artistët dhe për zhvillimin e kulturës në vend.

 

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Krim në familjen shqiptare në Austri, burri vret gruan me kaçavidë

Një krim i rëndë ka tronditur Austrinë, ku një...

Transportonte me automjet 7 emigrantë për kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohet në Morinë 31-vjeçarja

Një 31-vjeçare është arrestuar në pikën kufitare të Morinës...

Çështja e inceneratorëve, kryebashkiaku Veliaj fiton gjyqin për shpifje ndaj shtetasit italian

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka fituar...