Mbrëmja e 20 nëntorit 1983 mbetet një nga ato faqe të paharrueshme të historisë së futbollit shqiptar, ku Kombëtarja jonë i bëri ballë një prej superfuqive të Europës, Gjermania Perëndimore, në një përballje dramatike të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian “Francë ’84”.

Në atë sfidë, Shqipëria tregoi një shpirt të jashtëzakonshëm gare, duke ndërtuar një mbrojtje të hekurt dhe një organizim taktik që i vuri në vështirësi serioze gjermanët. Për minuta të tëra, kuqezinjtë rezistuan me vendosmëri, duke dhënë një performancë që u cilësua si heroike.

Por gjithçka u vendos nga një moment i vetëm. Një goditje me kokë nga qendërmbrojtësi Gerd Strack solli golin e avantazhit për vendasit, një gol që në pamje të parë dukej si rezultat i presionit të pandërprerë gjerman.
Megjithatë, me kalimin e viteve, kjo skenë ka hapur diskutime dhe dyshime. Në opinionin sportiv të kohës dhe më pas, u hodhën hipoteza nëse ai moment ishte thjesht meritë e kundërshtarit apo një “pakujdesi e qëllimshme” nga portieri shqiptar Musta , një tezë që kurrë nuk u provua, por që vazhdon të ushqejë debatet edhe sot.

Pavarësisht këtij episodi të diskutueshëm, ajo ndeshje mbetet simbol i krenarisë dhe sakrificës së një brezi futbollistësh që për pak sa nuk shkruan historinë, duke vënë në rrezik eliminimin e një gjiganti europian nga kompeticioni.
Një përballje që dëshmon se edhe përballë më të mëdhenjve, Shqipëria ka ditur gjithmonë të luftojë me dinjitet.

