Tre vite pas zbatimit të hartës së re gjyqësore, avokatët në Elbasan e cilësojnë reformën një dështim, duke theksuar se ka sjellë më shumë probleme sesa zgjidhje për qytetarët.
Sipas avokatit Ilia Gugu, sistemi i drejtësisë sot është më pak i aksesueshëm, ndërsa proceset gjyqësore janë zvarritur ndjeshëm. Ai shprehet se qytetarët që kërkojnë zgjidhje për çështje civile përballen me pritje të gjata, që në shumë raste zgjasin me vite. Një tjetër problem i shtuar, sipas tij, është rritja e kostove, pasi për shkak të zhvendosjes së proceseve dhe kohëzgjatjes së tyre, pagesat për avokatët janë dyfishuar.
Ndërkohë, situata paraqitet edhe më problematike në Gjykatën e Apelit. Avokati Demir Ciftja thekson se mbyllja e disa gjykatave në rrethe ka bërë që të gjitha çështjet e apelit të përqendrohen në Tiranë, duke krijuar një fluks të jashtëzakonshëm dhe vonesa të shumta.

Sipas tij, aktualisht janë rreth 200 mijë dosje të pashqyrtuara në Gjykatën e Apelit, çka tregon nivelin e lartë të mbingarkesës së sistemit.
Ky volum i madh çështjesh ka ndikuar jo vetëm në zgjatjen e proceseve, por edhe në cilësinë e vendimeve gjyqësore, ndërsa kostot për qytetarët vijojnë të rriten.
Në këto kushte, avokatët kërkojnë ndërhyrje dhe rishikim të hartës së re gjyqësore, me synimin për të rikthyer efikasitetin dhe për të garantuar një drejtësi më të shpejtë dhe më të aksesueshme për qytetarët.

