Hapësirë e re në Teatrin e Kukullave kushtuar Parlamentit të parë shqiptar

 

Në Teatrin e Kukullave është hapur një hapësirë e re kushtuar Parlamentit të parë shqiptar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga ekspozita e cila, siç u shpreh ai, sjell një udhëtim kronologjik me fotografi, dokumente dhe projekte arkitektonike, duke rikthyer fillesat e parlamentarizmit shqiptar.

Teatri Kombëtar i Kukullave festoi 75-vjetorin e krijimit, një jubile që shënon historinë e një institucioni të dashur për breza të shumtë fëmijësh.

I themeluar më 6 dhjetor 1950, në godinën e ndërtuar në vitin 1925, e cila dikur ka qenë selia e parë e Parlamentit shqiptar, Teatri i Kukullave vijon të mbetet shtëpia më e dashur e artit për të vegjlit.

Artistët që i kanë dhënë jetë këtij institucioni ndër vite kujtojnë me emocion rrugëtimin e gjatë të teatrit.

Për të shënuar këtë 75-vjetor, Teatri i Kukullave ka përgatitur një program të gjerë festiv, ndriçimin e pemës së fundvitit, si dhe hapjen e ambienteve të reja muzeale për fëmijë dhe të rritur.

Deri më 30 dhjetor, fëmijët do të mund të ndjekin shfaqje falas, ndërsa vizitorët do të përfitojnë guida muzeale pa pagesë.

Me këtë rast kujtohen figurat e para që ngritën artin e kukullës në Shqipëri: Zija Grapshi, Xhavit Xhepa, Xhavit Sallaku, Lorenc Pepa, Mirketa Çobani, Zef Kurti, Eva Pëllumbi, Melpomeni Çobani, Bakie Baboçi, Shegushe Bebeti e shumë të tjerë.

Janë pikërisht këta artistë që kanë bërë të paharrueshme personazhe ikonike si Pinoku, Borëbardha, Ujku, Gjergj Elez Alia, Bardhoshja dhe Zana, duke lënë gjurmë të thella në kujtesën e publikut të vogël ndër vite.

Teatri fton të gjithë qytetarët të bashkohen në festimet e këtij viti jubilar, duke rikthyer emocionet e fëmijërisë dhe duke përjetuar magjinë që ka shoqëruar prej dekadash publikun më të pastër, fëmijët.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Skandali me fondet bujqësore, prokuroria europiane kërkon heqjen e imunitetit për 11 deputetë të Parlamentit grek

Prokuroria Evropiane ka dërguar në Parlamentin grek një dosje...

Medalje, rekorde dhe krenari: Elbasani shpallet nënkampion i vendit në peshëngritje

Klubi Shumësportësh Elbasani ka konfirmuar edhe një herë traditën...

Shqipëria 17 vjet në NATO, Begaj: Faktor stabiliteti dhe sigurie në Aleancë

TIRANË, 1 prill /Albania Express News/ Presidenti i Republikës,...